Ka edhe gazetaria(media) të urtët e vet

Postuar në 26 Prill, 2022 13:26

Nja dy ditë më parë, analisti Lorenc Vangjeli, paralajmëroi se ka të dhëna se për Berishën apo Bashën ka ardhur një dosje në SPAK. Zoti Vangjeli duhet thënë që ka përherë indicie, njësoj si gazetarë të caktuar të kronikës që kanë indicie për vrasje që do ndodhin dhe nuk ndodhin, për mëngjarashë dhe djathtoshë në qarkullim, përherë e më shumë të entuziazmuar nga mënyra sesi zgjidhin çdo enigmë në këtë vend.

Në SPAK paska ardhur bazmataja. Ne mund të pyesim pa të keq, po pse erdhi tani kjo dosje, kur vetë Berisha ka muaj që e kërkon? 

Pse u duhet një dokument i tipit 'dosja ruse' për Lulzim Bashën pikërisht tani?

Punët e amerikanëve janë shumë të thella, ato i konfidohen me pikatore vetëm Lorenc Vangjelit. Ose vetëm ky ka kurajon t’i qarkullojë si lajme përherë në interesin e publikut.

E më t’ia marrë Vangjeli, ia pret Ilir Yzeiri i cili sot në një artikull, a letër të hapur, elegji e vajtim, akuzë dhe denoncim, i ka kërkuar kreut të SPAK, Arben Kraja të veprojë për Berishën.

Yzeiri gjuan me një lloj stili prej guruje, të dikujt të cilit as mos ia diskuto fjalën që ka mencuri thinjash.

Ai p.sh thotë se fakti që Berisha nuk po hetohet nga SPAK, ushqen konspiracionin në këtë vend, ndërkohë që merr kurajon e shpirtit të lirë të thotë se SPAK ngulmoi të merrej me Saimir Tahirin përtej kompetencave që i jep ligji

Nga buron ky orientim për SPAK-un e Tiranës? Nga dëshira e e madhe qytetare për të rrasur brenda Berishën?! Noshta, nuk i lejohet kujt të paragjykojë dy njerëz fare të pavarur në atë që thonë. Është shqetësimi i brendshëm, sëkëlldia e madhe e demokratit ajo që vë në lëvizje këto thirrje dhe paralajmërime, është nevoja përvëluese për paqe sociale në këtë vend, për paqe me koncesionet dhe me idenë e një partie, ajo që po kërkon ta kapë për zhelesh Berishën e ta fusë në qyp.

Ndërkohë që drejtësia e vërtetë nuk mund të simulohet nga jashtë siç ka thënë dikush, dhe drejtësia me Berishën ka patur mjaft prova për t'u marrë me kohë. Kjo e tanishmja, është drejtësi e hormonizuar me kredencialet e SHBA, e cila mundet ta likujdonte Sali Berishën kur të donte, sepse në 30 vjet ne kemi dëshmuar sesi gangsterizmi u bë parim funksional i sistemit ndërkombëtar.

Nuk kemi pra pse të mos vëmë në dukje se liria e shprehjes së dy zotërinjve në fjalë – që kanë karakteristikën e veçantë që e dinë se çfarë do thonë para se një gjë të ndodhë(tregues I një mençurie unike) – përkon tashmë me vullnetin e një superfuqie në një rreshtim gati astrologjik të paprecedentë, çka e bën SPAK e Krajës asgjë më shumë sesa një zëdhënës të fatit, të destinit dhe avenirit të shkëlqyer të këtij vendi.

Çfarë gëzimi të jesh dëshmitar i kësaj ngjarjeje, i kësaj drejtësie me kupona nga Amerika, sepse është gëzim i madh kur ke rastin të kuptosh se spektakli i drejtësisë si kjo ka brenda shijen e një dredhie të madhe që prevalon mbi të gjitha zullumet e zullumqarit patologjik Berisha. Kështu nuk kemi pse të kemi asnjë iluzion – po të duam të kemi sy dhe mendje – për SHBA, lojën e tyre dhe çdo gjë tjetër me të cilën e kanë ndotur këtë vend më shumë se ç’ka qenë.

s.zaimi 

Comments

Submitted by Mane Brinja (not verified) on

Ket Izeirin nuk e njoh c'tip eshte e me c'merret e s'them dot gje. Por per Lencin vras mendjen, keto konfidencialitetet ne car gjuhe i lexon? Duhet ti kete me te shkrojtur se ana andej jane te kujdesshem me telefonat. Me njohjen time te dikurshme ky dinte ca cobance, por me duket se ata andej nuk ia feksin ksaj.

Submitted by Heu bre (not verified) on

O redaksia, pse nuk kane te drejten e fjales katundaret e Permetit e te Gramshit? Po ato jane ajka e elitave te elites more.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.