Shqiptari(qytetar) dhe Qeni

Postuar në 05 Maj, 2019 00:13
Shaptilografisti

 

Po të kafshoi qeni, i zoti do marrë gjobë ose do shkojë në burg. Qeveria ka menduar më në fund të trajtojë ligjërisht një problem që nuk di si ta quash. Emri më i përshtatshëm është: Punë shqiposh. 

Shqiptarin dhe qenin i lidh një marrëdhënie e lashtë, sepse është e sigurtë historikisht se qenër këtyre anëve ka patur përherë. Por edhe shqiptarë po ashtu, mjafton të shikosh si u katandis Shqipëria. Qen bir qeni, me gjasë mund të jetë thënie që karakterizon gjykimin e njeriut shqiptar për kafshën në fjalë. Vdiq si qen ndërkohë ekziston edhe në italisht. Po ç’domethënie mund të ketë? Ndoshta me kuptimin vdiq vetëm, pa njeri. 

Shqiptari dhe qeni ndërkohë konstituojnë sot një raport të ri, një binom që sprovon qytetarinë e të parit dhe dënon të dytin me obezitet. 

I shihni rrugëve të Tiranës shqiptarët – disa prej tyre – dhe qentë lëshuar, pa maskë, që ecin rrugës duke dominuar të gjithë hapësirën. Janë aty të gjitha rracat e qenve, pastor, husky, rottweiler, doberman e deri te pekinez. Të gjithë banorë të çlirët të rrugëve tona, një kapita që ende nuk po hyn në statistika. Të larë, të pastruar, ecin rrugës, kapardisur duke tundur dhe shkundur bythët dhe kokën, duke u kthyer majtas e djathtas, duke shurruar ku të jetë. Gjithnjë zotër të rrugës, atyre duhet t’u hapësh rrugën, ose të kujtosh këshillat e fshatarëve: mos vrapo, mos shiko. 

Po të zotët e këtyre qenve i keni parë? Ka dicka të trashë në konstruktin fizik të të gjithëve prej tyre, diçka si prej maniaku të vetëkënaqur, diçka egocentrike, ku egoja afirmohet qenërisht. Mini diktatorë të rrugës publike, ata nuk duan të dinë se ka fëmijë, se ka njerëz që kanë fobi, alergji, apo edhe bezdi nga kafsha e tyre e dashur. Jo. Ata e çmojnë lirinë për të bredhur të qenit duke siguruar në çdo rast me qetësi gardiani: mos ki frikë se nuk të ha. Besë e shqiptarit kjo, si garanci edhe për sjelljen e qenit.

Nuk është çudi që të jenë zhytur në kredi për qenin, ushqimin, strehëzën, apo edhe takëmin e shampos dhe pse jo pudrës për t’i zbutur lëkurën e bythës si pasojë e ndonjë urthi sezonal. 

Ka një mendësi që e asocion qenin me budallallëkun. Në rastin e shqiptarit kjo thëni bie sepse nuk ka nevojë të kërkojmë budallallëkun kur kemi shqiptarin. 

Pronaret femra të këtyre qenve janë më interesantet. Sa më shumë konstaton shkëlqimin e syve të tyre nga një dashuri e pashjegueshme për qenin e tyre, aq më shumë kupton se ke të bësh me tyryfyle të vetmuara, cingune në kulm me çdo arsye, e me të cilat duhet të ndash çdo ditë rrugën, kalimin, do shkëmbehesh e nëse ndodh ndonjë incident edhe do të duhet t’u dëgjosh frymën kur flasin e i drejtohen qortueshëm qenushit të tyre të dashur. Që sapo ka bërë një gabim. Njerëzore është apo jo, të gabosh? Kaq e ka kuptuar edhe qeni. 

Ah diçka që nuk duhet lënë mënjanë. Po emrat e qenve i kemi dëgjuar? Ah, çfarë përkujdesje? Çfarë privilegji është të jesh qen këtyre anëve e të të vërë emrin një gocë Blloku? Apo ndonjë biznesmen Tirone. Të paktën kështu duket, por me siguri ata që dyshojnë se qentë e Shqipërisë ndihen të traumatizuar nga këto farë emrash si Xhejsol, Paci që jehojnë butësisht mbi epitetet ‘xhemla’ dhe ‘shpilti’, e kanë gabim. Këta janë qenë rrace, nuk janë qenë vendi. Këta të fundit jetojnë staneve dhe se ç’ka ë në sy një egërsim origjinal. Si do vetë natyra: Qen. Po emrat? Ka lezet, kam dëgjuar edhe qen me emrin Jaho. Këta nuk duan t’ja shohin bojën Tiranës, sepse këtu gëmusha e vetme që mund të të zënë sytë është krevati i të zotit/njës në të cilin do ashensor të shkosh. 

Janë edhe qentë e kazanëve, pa forma e me gjithfarë ngjyrash. Këta zdërhallen pranë plehravd dhe janë zgjyrosur nga palarësia, por prapë janë më qenër se qentë që kurohen të mjeku i familjes. 

Sigurisht që qeveria ka bërë shumë mirë që ka ndërhyrë. Por ka diçka të padrejtë në këtë temë. Merremi me qenin se me të të gjen belaja, por në fakt duhet të merremi me shqiptarin, këtë qenie të trashë të cilit i rri keq qyteti. 

Sot lë kokën pas qenit, dje e kishte objektiv qitjeje me gurë, apo objekt shakash nallbane të ndërsimit: sssss, shoqëruar me qeshje të zhurmshme vetëkënaqësie. Këtij çfarë t’i bësh? T’i vësh maskën dhe ta lidhësh? Jo, sepse të padit kodoshi. Qen bir qeni, jo shaka. 

Comments

Submitted by Taras (not verified) on

Te pakten kemi arritur tiu tregojme perendimoreve se kemi arritur stadin e tyre tek marredheniet me kafshet, packa se sillemi si kafshe vete, edhe zihemi si qen me njeri tjetrin.
Mgjth se duam te ikim nga Shqiperia se nuk ndjehemimire, qente jane te lumtur dhe shtohen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.