Arkiv-Lajme

Byroja parlamentare përjashton për 10 ditë Sali Berishën nga punimet e Kuvendit. Berisha: “Demaskova kryeministrin”

Postuar në 19 Qershor, 2014 06:20

Byroja e Kuvendit ka përjashtuar për 10 ditë nga punimet parlamentare, përfshi komisionet, deputetin Sali Berisha. Shkak është bërë fjalori i tij në adresë të bashkëshortes së ministrit të Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj. Ai i është referuar fjalëve që i ka riprodhuar edhe vetë në Facebook, për zënkën në ditëlindjen e Tedi Papavramit. “Një burrë që i quajnë gruan kurvë dhe prostitutë dhe nuk bën zë, ky është”, tha ai duke folur për Veliajn. Kreu i Kuvendit ka ndërprerë seancën dhe më pas ka mbledhur Byronë.

Nis zyrtarisht mbretërimi i Felipes VI Burbon në Spanjë

Postuar në 19 Qershor, 2014 04:31

Është bërë zyrtar rotacioni në monarkinë spanjolle. Pas abdikimit të Huan Karlos ka nisur që nga dje mbretërimi i Felipes VI Burbon. Felipe merr fronin pas mbretërimit 39 vjeçar të të atit që bëri histori në Spanjë. Ai është betuar në Parlament bashkë me gruan Leticia dhe me dy vajzat. Betimi është pasuar nga një duartrokitje e deputetëve dhe thirrjet: “Rroftë Mbreti, rroftë Spanja”. Përveç titullit të mbretit të Spanjë, ai trashëgon edhe titullin e Markezit të Oristanës, një provincë kjo në ishullin e Sardenjës.

“Populli luajti mirë”. Tani fjalën e ka politika

Postuar në 19 Qershor, 2014 03:50

Është bërë shumë i vështirë parashikimi se kush do të jetë kryeministri i ri i Kosovës. Ditë pas dite mediat përcjellin zhvillime, takime, deklarata, zbulojnë taktika, zbardhin ndonjë të dhënë, por asgjë nuk duket që të shënojë ndonjë hap përcaktues. Koaliconi i ri opozitar LDK-AAK-NISMA, që u krijua në kushtet paszgjedhore kur Hashim Thaçi nuk mori dot shumicën, po insiston në kërkesën për largim të tij nga detyra dhe hapjen e rrugës për krijimin e qeverisë së re. Mirëpo as koalicioni opozitar nuk ka i numrat.

Himara me Vranishtin? “Shekulli” i drejtohet poetit Lefter Çipa: “Bashkimi do të presë edhe ndonjë ferrë të vrerosur”

Postuar në 19 Qershor, 2014 03:04

“Shekulli” ka marrë sot në trajtim çështjen e reformës territoriale duke u ndalur te Himara. “Me Vranishtin dhe Lukovën, Himara bëhet me krahë dhe kurorë”, është titulli i “Shekullit” për këtë temë. Për të marrë përgjigje me karakter historik, etnologjik, por edhe ekonomik, gazeta në fjalë i është drejtuar Lefter Çipës, “mjeshtrit të letrave” siç e quan gazetarja Valeria Dedaj. Çipa ka shprehur mendimet e tij për bashkimin që synohet t’i bëhet Himarës me Vranishtin, duke vlerësuar traditat e përbashkëta, cilësitë e njëjta si guximi, patriotizmi, trimëria, bujaria dhe sakrifica.

Byroja Kombëtare e Hetimit, me “50 të paprekshëm”

Postuar në 19 Qershor, 2014 02:49

Zbardhet projekti përfundimtar për Byronë Kombëtare të Hetimit, struktura “elitë”, e kërkuar me ngulm nga Kryeministri Rama dhe e cilësuar si FBI-ja shqiptare. Kjo strukturë, që përfundimisht është vendosur të jetë brenda Policisë së Shtetit, do të ketë vetëm 50 punonjës, të cilët do të jenë OPGJ, agjentë policie dhe ekspertë nga fusha të tjera. Me rregullat e vendosura për emërimin, shkarkimin dhe detyrat e tyre, mund të thuhet pa dyshim se punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jenë “50 të paprekshmit”.

Akademia e Shkencave përkujton “Revolucionin e Qershorit”. Beqir Meta dhe Valentina Duka flasin për mungesë diversiteti mendimesh dhe glorifikim

Postuar në 19 Qershor, 2014 02:39

“Panorama” shkruan sot se Akademia e Shkencave bashkë me Fondacionin për Kulturë dhe Arte “Fan S. Noli” organizojnë në datën 24 një konferencë për përkujtimin e atij që në historiografi njihet si Revolucioni i Qershorit. Gazetarja Alma Mile që informon mbi aktivitetin, nuk ka munguar të komentojë edhe vetë mangësitë që sjell sipas saj me vete ky aktivitet. “Pasi u mësuam 50 vjet vetëm me një lloj trajtimi të kësaj ngjarjeje, ndryshimi i sistemeve solli diversitetin e mendimeve”, shkruan gazetarja Mile për të dalë në fund me pyetjen: Ka qenë revolucion apo grusht shteti?

Spanja i thotë lamtumirë Botërorit

Postuar në 18 Qershor, 2014 16:03

Spanja ka humbur ndeshjen e sotme me Kilin me një rezultat 2:0. Ishte diçka e papritur pasi pas humbjes me Holandën, spnajollëve u mbetej vetëm një rrugë: fitorja. Kili ka shënuar dy gola që në pjesën e parë; Vargas në minutën e ’20-të dhe Aranguiz në minutën e ’43-të. Pas kësaj Spanja është jashtë Botërorit duke pësuar padyshim një humbje poshtëruese.

s.z 

Një ide e re për Stonehenge

Postuar në 18 Qershor, 2014 15:28

Teoritë dhe supozimet për qëllimin e Stonehenge nuk kanë të sosur. Një e fundit vjen nga Royal College of Art në Londër, që i mvesh sitit dhe furvë të famshëm të tij një funksion muzikor. Kjo pasi sipas studiuesve të këtij kolegji, gurët e sitit kanë cilësi akustike jo të zakonshme nëse goditen. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse këta gurë u zhvendosën për 200 milje për t’u sjellë në vendin që shihen sot. Kambana prehistorike, mendohet që të jenë këta gurë, për të cilët ka një seri supozimesh. “New York Times” e ka sjellë këtë studim, ose hipotezë duke e zgjeruar.

Behgjet Pacolli, me siguri politikani shqiptar më i pasur. “Zëri” jep një vlerësim: 340 milionë euro

Postuar në 18 Qershor, 2014 13:39

340 milionë euro është pasuria e Behgjet Pacollit. Të paktën kështu shkruan gazeta “Zëri” në Kosovë, e cila e shoqëron shkrimin e vet edhe me disa të dhëna dokumentare. Kështu sipas “Zëri” që i referohet deklaratave të pasurisë, avioni privat i Pacollit vlerësohet 18 milionë euro, shtëpia e tij jashtë Kosovës në 17. 6 milionë euro, kurse hotel “Iliria” që disponohet prej tij vlerësohet në 20 milionë euro bashkë me një pjesë në 42 milionë euro aksione të Grand Hotel .

Kreu i ILKDP-së Ganaj thotë se janë zhdukur disa dosje dhe pjesë të dokumentacionit. Por ende asgjë konkrete se për kë bëhet fjalë

Postuar në 18 Qershor, 2014 12:36

Kreu i ri i Inspektoriatit të Kontrollit dhe të Deklarimit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj ka përsëritur sot në Komisionin Parlamentar të Ligjeve faktin se në institucionin  që ai drejton mungon arkiva. Pra sipas tij, një pjesë e të dhënave për pasurinë e ish-zyrtarëve nuk pasqyrohet më në dokumentacion. “Kur kam marrë detyrën nuk kam gjetur arkivë. Për juristët është e pakonceptueshme që fleta e inventarit të dosjes të thotë 72 dhe aty të ndodhen vetëm 22. Krahas kontrollit, nga sot derisa të jem në atë detyrë, kam  urdhëruar rikontrollin e çdo dosjeje nga viti 2003 deri më sot.

Pages

Subscribe to RSS - Arkiv-Lajme