Inflacioni i "reformave"

Postuar në 03 Shtator, 2017 20:36

Kryeministri maqeonas Zoran Zaev ka bërë të ditur se së shpejti qeveria e tij do të sinkronizojë me ndërhyrje legjislative lehtësitë dhe ndihmat që do të ofrohen për të gjithë investitorët, e huaj ose vendas, që krijojnë vende të reja pune dhe investojnë në  Maqedoni. Zaev ka shtuar se qeveria mendon që në disa raste të trajtojë me prioritet kompanitë vendase në krahasim me at otë huaja, nisur nga vlerësimi se ato kanë potencialin për të krijuar vende pune më stabël. 

Ky mesazh pason një debat të nxehtë në zgjedhjet e fundit mes partive politike, ndërkohë që edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, nuk ka ndalur në asnjë çast fushatën në profilin e vet në Facebook për promovimin e investimeve që janë mundësuar falë politikave fiskale të qeverisë së tij. 

Merr rëndësi ky fakt pasi mund të shërbejë si kriter krahasues me atë që ndodh në vendin tonë. Kryeministri aktual gëzon mbështetje të madhe ndërkombëtare, por nga takimi në takim, nga samiti në samit, duket se kjo mbështetje është përvijuar përherë e më shumë si një skenografi personale pa ndonjë dobi të prekshme për vendin. Vetë Edi Rama pranoi para disa ditësh nevojën e zëvendësimit të imazhit të Shqipërisë, ndërkohë që në takimin me ambasadorët tanë jashtë vendit, ai ua hodhi fajin atyre për mungesën e investimeve të huaja. 

Kjo qeveri ka miratuar edhe ligjin për investimet strategjike që parashikon lehtësi të mëdha për investimet e huaja, por asgjë nuk ka ndodhur. Po flitet së fundmi për programin “1 miliardë për rindërtim”, për një aeroport në Vlorë, janë paguar para për publicitetin e mirë të Shqipërisë për turizmin, por sërish mbetemi pas edhe Maqedonisë. Përpjekjeve të qeverisë u vjen ndesh raporti vjetor i DASH ku korrupsioni konkuron vetem me qeverinë parardhëse, ndërkohë që në këtë qeveri, nuk mundet të gjesh asnjë individ që të ketë shpalosur nocione të qarta për reformat, të jetë njeri që dëgjohet me vëmendje kur flet dhe të ketë ndërmarrë nisma që të lënë gjurmë apo të sjellë vërtet një kah ndryshimi. Padyshim që reformat e mëdha dhe ndryshimet që pasojë ato kërkojnë njerëz të caktuar që kanë personalitet e që mundet fare mirë të shikohen si modele suksesi. Kur vallë Shqipëria është përmendur për ndonjë nga këto tregues? Po flasim për gjëra më serioze sesa shkrimet e paguara dhe të ricikluara në Facebook. 

Për ilustrim mund të sillet rasti i Qipros, një vend që ka marrë veten nga kriza e vitit 2008 dhe po përjeton rritje të vërtetë ekonomike. Në një shkrim në gazetën “Kathimerini” përmendet në hollësi ky ndryshim dhe për këtë ka disa të dhëna. Në një prej projekteve më luksoze në Mesdhe që parashikohet të ndërtohet në këtë vend, kanë nisur prenotime nga miliarderë të ndryshëm dhe është e qartë se prezenca e kësaj paraje gjeneron të ardhura shtesë, investime dhe klimë. Arsyet që i lejuan Qipros të vijë këtu janë tri: konsensusi politik, zbatimi rigoroz i programeve të Trojkës dhe masa për ringritjen si përjashtim nga taksat për blerje pronash në kohë krize si dhe nënshtësi për ata që depozitojnë shumë të caktuara në bankat qipriote. Në këtë mënyrë vlerësohet se Qipro rigjallëroi sektorin e ndërtimit, hotelerisë dhe akumuloi në formë depozitash 4 miliardë euro. Qeveria refuzoi ngritjen e taksës së korporatës duke gjykuar se ulja e kostove shkon në disfavor të investimeve. Ministri i Financave Harris Georgiades vlerësohet në këtë drejtim duke përmbullur ekuacionin e suksesit në të gjithë drejtimet. 
http://www.ekathimerini.com/221280/article/ekathimerini/business/cyprus-...

Po të vijmë në Shqipëri do të mjaftonte të kujtonim se edhe në një vlerësim të fundit nga CIA sistemi I taksave në vendin tonë shikohet si kompleks dhe dekurajues për investimet. Të lëmë mënjanë këtu korrupsionin. Ngado që ta shikosh pak gjëra shkojnë në favor të qeverisë që është përgjegjësja kryesore. Ka shumë vlerë të ritheksohet se ekonomia për të cilën z. Rama u mbajti leksion edhe amabasadorëve ka tregues të matshëm, ka simptoma dhe mbi të gjitha, nuk mbulohet me fjalë. As me shaka. Dikur z.Rama deklaronte se në Shqipëri nuk ka sindikata, ndaj kjo duhet të ishte një mënyrë e mirë që investimet të vijnë. Mirëpo kjo, përveçse një shaka banale, mundet edhe të na thotë se në Shqipëri ka një qeveri të keqe, pasi atë askush nuk e kundërshton. E ndërkohë që të gjitha vendet po tregojnë sa munden për investimet dhe rritjen, në vendin tonë ka nisur lufta kundër burokracisë. E mirë në vetvete, por vështirë se duhet konsideruar prioritet i një mandati. Do të ishte për të ardhur keq që në fund të këtij mandati, qeveria të mburrej me adminìstratën e reformuar dhe cilësorë, ndërkohë që ekonomia mund të ketë marrë tatëpjetën që duket se ka nisur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.