“Manualet e NATO-s janë të vjetruara, ky është një konflikt krejtësisht i ri”

Postuar në 01 Shtator, 2023 17:34

Vadym Shepelenko është profesor i biokimisë në universitetin e Dnipros. 45 vjeç dhe shumë larg të qenit një nacionalist fanatik, ai është zëvendës komandant i Brigadës 128 të Këmbësorisë, e përqendruar në Vilika-Novasilka, një nga sektorët kyç për shpresat e Ukrainës për çlirimin e territoreve të pushtuara, që ndodhet midis rajonit jugor të Zaporizhizhia dhe atij lindor të Donbasit. Nëse do të ishte e mundur, do të ishte kthyer në laboratorë dhe te studentët e tij. Por luftës i është bashkuar që në fillim. Në vitin 2014 ai doli vullnetar për të mbrojtur Donbasin nga synimet e Moskës: "Nuk më pëlqente t'ua delegoja të ardhmen e vendit tonë të tjerëve". Corriere della Sera ka zhvilluar me të një intervistë në spital. Ai shprehet se mes radhëve të ushtarëve ukrainas ka shumë të pakënaqur me trajnimin e NATO-s, manualet e të cilës sipas tyre janë të vjetëruara dhe qasja shumë larg realitetit në terren.

Major, asnjë nga ushtarët apo miqtë tuaj nuk mendon se është koha për të kërkuar një marrëveshje me Putinin, a nuk jeni lodhur me kaq shumë të vdekur dhe të plagosur?

Është e vërtetë që çdo ditë shohim të vdekur e të plagosur, është një luftë e vështirë, e cila po vazhdon prej kohësh. Por unë mund t'ju siguroj se askush, me aq sa di unë, nuk është i gatshëm të heqë dorë nga toka jonë në këmbim të një paqeje, që në çdo rast, do të ishte e rreme dhe e përkohshme.

A flet dikush për këtë në spital?

Nuk e kam dëgjuar të thuhet as mes të plagosurve rëndë, as nga vetë invalidët e luftës apo nga familjet e tyre. Ne i njohim mirë rusët, flasim gjuhën e tyre, dimë se si mendojnë dhe e dimë mirë se Putini nuk ka humbur popullaritet duke vendosur të na sulmojë. Përkundrazi, ndoshta sot gëzon më shumë mbështetje se më parë. Dhe kjo vetëdije na bën të kuptojmë se nuk kemi alternativë: duhet të luftojmë, me të gjitha forcat tona, deri në fitore. Larg qoftë një fitore e Putinit: ai do të kërcënonte menjëherë vendet baltike dhe Poloninë. Nëse, nga ana tjetër, do të arrihej për fat të keq një armëpushim, do të ishte vetëm një parantezë. Kjo do t'u jepte kohë rusëve për t'u rigrupuar dhe më pas ata do të sulmonin edhe më fort se më parë. Unë mendoj se ne ukrainasit do të mundeshim nëse do të kishte një raund të dytë. Atëherë do të ishit ju të NATO-s që do të duhej të luftonit. Prandaj duhet të na përkrahni tani, pa vonesë, ne po luftojmë për ju.

A jeni të kënaqur me trajnimin që merrni nga NATO për të ndihmuar kundërofensivën tuaj?

Nuk e kam bërë. Por në mesin e shokëve të mi ushtarë, ata që kanë ndjekur kurset nuk janë të lumtur. Thonë se shërbejnë vetëm për të mësuar drejtimin e mjeteve që na jepen. Manualet e NATO-s janë të vjetruara, nuk i përgjigjen nevojave të kësaj lufte. Instruktorët e tyre duhet të vijnë në fushat e betejës në Ukrainë, atëherë ata do të kuptojnë se ky është një konflikt krejtësisht i ri.

Zelensky po konsideron mbajtjen e zgjedhjeve vitin e ardhshëm. Çfarë mendoni ju?

Nuk jam dakord. Në radhë të parë duhet të përfundojmë luftën.

Kur mendoni se mund ta çlironi Mariupolin?

Kjo varet nga ndihma e aleatëve, ndoshta brenda vitit të ardhshëm.

Pra, paqja është larg?

Ka sektorë të frontit që prej muajsh kanë ngecur. Rusët nuk duhen nënvlerësuar, jam lodhur duke thënë se janë të demoralizuar, nuk e shoh, ata kanë mësuar të përdorin shumë mirë dronët dhe kanë shumë më tepër se ne. Jam i sigurt për fitoren tonë, do të vijë, por sigurisht jo tani, do të duhet kohë. Nuk e përjashtoj as që Putini me shpinë pas murit të zgjedhë të bombardojë centralin bërthamor të Zaporizhizhias. Pra, nuk do të përdorë bomba atomike taktike: ato nuk janë të nevojshme dhe Kina do ta parandalojë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.