Gjermania dëbon dy diplomatë rusë

Postuar në 15 Dhjetor, 2021 19:59

Gjermania ka dëbuar dy diplomatë rusë, pasi një gjykatë në Berlin dënoi një shtetas rus me burgim të përjetshëm për vrasjen e një gjeorgjiani me etni çeçene në një park të Berlinit në vitin 2019. Vendimi për dëbimin erdhi pasi gjykata konkludoi se vrasja ishte kryer me urdhër të Moskës, raporton France 24.

Vadim Krasikov, alias Vadim Sokolov, u gjet fajtor për vrasjen e shtetasit gjeorgjian Tornike Kavtarashvili, 40 vjeç, në Tiergarten, parkun më të njohur të Berlinit, më 23 gusht 2019.

"Autoritetet shtetërore ruse urdhëruan të akuzuarin të ekzekutonte viktimën", tha kryetari i trupit gjykues Olaf Arnoldi, duke rënë dakord me prokurorët se vrasja ishte planifikuar me kujdes.

Vrasja ishte një hakmarrje për rolin e Kavtarashvilit përkrah separatistëve çeçenë që luftonin Moskën në vitet 2000, konkludoi gjykata.

Disa orë pas vendimit, ministrja e re e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha se kishte thirrur ambasadorin e Moskës për ta informuar mbi vendimin e dëbimit.

 "Kjo vrasje me urdhër të shtetit, siç përcaktohet nga gjykata sot përbën një shkelje të rëndë të ligjit dhe sovranitetit gjerman", u tha Baerbock gazetarëve.

Ky zhvillim i ri thellon ndarjen në marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.