Skandalet si mall konsumi për opozitën

Postuar në 08 Maj, 2021 18:04

Partia Demokratike ka bindur veten se zgjedhjet ia blenë dhe se në Shqipëri tashmë është instaluar regjimi “Rama-Doshi-Rakipi”. Pra përveç Edi Ramës, autokratit në krye të ekzekutivit, Aiqf Rakipi dhe Tom Doshi, përbëjnë hallkat e zbuluara të një sistemi kontrolli politik në këtë vend.

Përballë këtij regjimi qëndron i papërkulur Lulzim Basha dhe Ilir Meta, ende me mendjen në kokë.

Pak situata janë më qesharake sesa kjo që po na shohin sytë. Në një vend ku serioze dhe profesioniste është vetëm vrasja dhe vjedhja, është pak e vështirë të mendosh se ka regjime politike me synime politike të caktura veç kapjes së pasurisë publike dhe ushtrimit të pushtetit si të tillë. Ky kuadër është i vetmi ku opozita konkuron realisht me shumicën në pushtet; pra në kërkesën për të kapur pushtetin dhe ushtruar atë si akt sigurie për pasuimin. Asgjë më tepër.

Shikoni sesi PD-ja aktualisht e ka zhvendosur vëmendjen nga i ashtuquajturi skandal i patronazhistëve te blerja e votës me skemën e rindërimit apo me legalizimet. Skandalet janë tashmë mall konsumi për një opozitë që ka eminente mbijetesën dhe asgjë më shumë sesa kaq. E cila ka adoptuar një ligjërim që as e beson, por që është thjesht gjethja e fikut për të fshehur atë që është patjetër një dështim politik i një lidershipi që nuk frymëzon dhe as është i besueshëm.

Të gjitha këto vijnë ndërkohë që nën zë po flitet për negociata për bashkëqeverisjen dhe forma të saj mes PS-së dhe PD-së. ftesat e shumicës për miratimin nga opozita të shkarkimit të Presidentit nuk kanë asnjë përmasë morale, veç faktit se ato synojnë të japin një shans për kalimin në një varkë të dy forcave kryesore duke kompromentuar çdo marrëdhënie me LSI-në.

Don të paraqitet kjo si politikë e re, frymë e re, një epokë madje e re nëse arrihet. Ndonëse është asgjë më shumë sesa shumatorja e një politike tërësisht amorale dhe kundër interesit publik, që uzurpon edhe të ashtuquajturën kauzë të integrimit që tashmë nga objektiv është shndërruar në koniunkturë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.