Në Jekaterinburg protestohet për një park kundër ndërtimit të një katedraleje

Postuar në 17 Maj, 2019 12:09

Në qytetin e katërt të Rusisë, Jekaterinburg, po protestohet prej ditësh kundër prishjes së një lulishteje dhe ndërtimit në të të një katedraleje. “The Moscow Times”, një media kritike me pushtetin e presidentit Vladimir Putin, shkruan se protestuesit kanë ndarë në fakt qytetin më dysh, por me protestën e tyre kanë vënë në dukje se në Rusi po rritet aktivizmi lokal dhe fruma e shoqërisë civile.

Të hënën që lamë pas, protestuesit i konfrontuan me forcat e policisë dhe pati arrestime. Ata citohen nga mediat teksa shprehin kundërshtimin e tyre për prishjen e parkut që sipas tyre përbën një hapësirë të gjelbër të nevojshme. Ata u mblodhën pasi panë se parku ishte rrethuar me gardh, shenjë se do të niste ndërtimi i katedrales së Shën Katerinës.

Kritikët thonë se katedralja në fakt është pjesë e një projekti më të madh komercial pas të cilit qëndrojnë dy nga njerëzit më ta pasur të Rusisë, miliarderët Igor Altushkin dhe Andrei Kozitsyn, por Kremlini i ka hedhur poshtë këto zëra. Protestuesit kërkojnë që për katedralen të gjendet një hapësirë tjetër, ndërkohë që mbështetësit e projektit pretendojnë se ai është miratuar në seanca dëgjimore publike.

Nuk do shumë mundim të gjesh ngjashmëri mes asaj që po ndodh në Jekaterinburg me atë që po ndodh në Tiranë me Teatrin Kombëtar. Edhe këtu një pronë publike, një godinë historike do të shndërrohet në kulla dhe një teatër të ri që në kudër të milionave që hidhen ngjan si dhuratë për indigjenë.

Duhet thënë se në Tiranë pushteti ka miratuar një ligj të posaçëm dhe me gojën e të mirënjohurit për kësi gjërash, kryebashkiakut Erion Veliaj, pretendon se ka patur seanca dëgjimore.

Por në Rusi ka një dallim nga Shqipëria. Mund të pritej që Putin të vepronte me dhunë dhe arrogancë, nisur nga portretizimi që i është bërë. Por të enjten presidenti rus propozoi që të zhvillohet një sondazh mes banorëve të Jekaterinburgut që duhet të sqarojë situatën dhe të përcaktojë se “pakica duhet të dëgjojë shumicën”. Por presidenti rusk a qenë i kujdesshëm kur ka shtuar se:

Opinioni i pakicës duhet pa asnjë dyshim të dëgjohet

Demagogji? Patjetër që po. Tashmë është në dorë të banorëve të dëshmojnë sesa janë të gatshëm të mbrojnë parkun, por ky dueli i shumicës me pakicën dëgjohet në Tiranë shpesh nga vetëm një njeri: Erion Veliaj. I cili ndryshon nga Putin në një pikë: ai nuk ka folur asnjëherë që të mbahet parasysh opinion i pakicës.

Por ka edhe më. Shqipëria është një vend ku godinat historike dhe madje vetë qyteti i Tiranës, është konceptuar nga pikëpamja urbanistike gjatë një regjimi totalitar. Gjatë fashizmit që hodhi bazat e tij dhe të trashëgimisë që kemi sot. Mirëpo fashizmi dhe Zogu që autorizoi projektin e Tiranës asokohe nuk cenoi ndonjë qendër historike urbane, por një qytezë që dominohej kryesisht nga sipërfaqe toke dhe shtëpi të ulëta. Nga kjo pikëpamje edhe kostoja sociale e krijimit të Tiranës ishte minimale.

Por sot këtë trashëgimi po përpiqen ta modifikojnë ca për gusto dhe arrivizëm personal, ca për interesa financiare, gjithnjë duke u fshehur pas nevojës për të korigjuar pasojat e kaosit të tranzicionit. Por Tirana nuk është më në 1930-ën. Dhe në këto dekada kanë ndodhur shumë gjëra sa të gjithë të mbyllin sytë. Ajo që po ndodh me Teatrin Kombëtar është simptomë dhe simbol i një kohe që duket se po prek shumë vende. Me ndryshimin se në Shqipëri koleksioni i kujtesës historike është i vogël, ndaj edhe duhet ruajtur me më shumë xhelozi. Ata që shfaqen si iluministë janë kalimtarë në histori, sepse janë aksidente.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.