Vagon i Maqedonisë

Postuar në 25 Qershor, 2018 23:21

Shqipëria mund të përfitojë hapjen e negociatave për një konjukturë që nuk lidhet drejtëpërdrejtë me përmbushjen e kritereve nga ana e saj, por nga marrëveshja e Greqisë me Maqedonië. 
Presioni i Athinës mbi vendet anëtare është rritur pas paktit me Shkupin dhe një "jo" për hapjen e negociatave të Maqedonisë do vinte në diskutim kredibilitetin e Europës përballë një hapi të madh politik për stabilitetin e rajonit.

Ka shumë zëra që duan të veçojnë Maqedoninë nga Shqipëria, por Tirana ka kapur nga xhaketa shumë vende për të përfituar një "po" sido që të jetë edhe me kushte. Greqia po e shfrytëzon më së miri këtë nevojë të qeverisë shqiptare edhe për bisedimet dypalëshe, por edhe për pozitën e saj në rajon. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias u bëri apel vendeve të BE-së që të mos diferencojnë Shqipërinë nga Maqedonia dhe të hapin dritën jeshile për dy vendet.

"U them kolegëve të mi se mund të jenë të kritikë sa të duan. Por ne nuk duhet ta ndërpresim këtë perspektivë. Kam frikë se në qoftë se nuk do t'i jepet një datë Maqedonisë së Veriut, të gjitha këto përpjekje që kemi bërë me sakrifica të mëdha dhe kompromise mund të rrezikohen. Gjithashtu, nëse fillon procesi për një nga dy vendet, dhe Shqipëria do të qëndrojë jashtë, kjo do të krijojë një gjendje jostabiliteti në rajon. Nëse dikush kishte probleme, do të ishte e këshillueshme të mos arrinim në raportin e Komisionit dhe propozimin për hapjen e negociatave. Tani Evropa duhet të mbajë fjalën e saj"-theksoi Kotzias.

Nga ana tjetër shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi nga Luksemburgu se Maqedonia do të do të bëhet anëtare e plotë e Aleancës, në qoftë se ratifikon në parlament emrin e ri sipas marrëveshjes me Greqinë dhe nëse i thotë "po" referendumit që do të mbahet për këtë çështje.  

I pyetur për hapjen e negociatave té anëtarësimit për Maqedonisë, Stoltenberg u përgjigj se ky është një vendim që do të merret nga shefat e qeverive të NATO-s, në samitin e 12 korrikut në Bruksel. "Unë pres dhe shpresoj që shefat e shteteve apo qeverive të NATO-s të jenë në gjendje të bien dakord për hapjen e negociatave të pranimit (me FYROM-në)" tha Stoltenberg.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.