E dhinë punën!

Postuar në 08 Janar, 2018 21:04

Në nëntor të vitit 2014 ambasadorja amerikane në Kosovë, Trejsi An Xhejkobson, i dha de facto fund krizës së stërzgjatur  me një fjali shqip: “Mos e dhi punën!”.

“Është një mesazh që unë ua kam dhënë të gjithë liderëve, dhe madje mund ta them edhe në shqip: Mos e dhi punën!”, u shpreh Xhejkobson para studentëve dhe aktivistëve të lëvizjes “Fol”.

Tre vjet më vonë, Kosova gjendet përballë ShBA pothuajse njëlloj si më parë. Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt i është refuzuar viza hyrëse dhe parprakisht qeveria e tij dhe establishmenti politik është kërcënuar se do të ketë pasoja nëse nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale do të realizohet.

Duhet thënë se kursi i Kosovës për në familjen euroatlantike është i kushtëzuar nga njohja ndërkombëtare dhe nga patronazhi amerikan. Në këtë rrugë Prishtinës zyrtare i janë shfaqur dy kushte: demarkacioni me Malin e Zi dhe Gjykata Speciale. Të dyja konsiderohen si padrejtësi, sidomos kushtëzimi i heqjes së vizave për në BE me demarkacionin me Malin e Zi, një vend që ka fituar rëndësi strategjike për NATO-n së fundmi. Po kështu Gjykata Speciale ngjan si një lëvizje që favorizon tezat e Serbisë për krime lufte nga UÇK dhe me gjasë ajo synon pastrimn e një pjesë të elitës së Kosovës.

Nga një këndvështrim strikt politik, të dyja përbëjnë problem pasi lufta është parë nga shqiptarët si një zhvillim ku sensi i drejtësisë ka qenë përherë me ta.

Duket se Kosova duhet të ndajë një pjesë të historisë me të ardhmen e saj. Dhe kjo jo pa kosto dhe çmim.

Edhe aktori kryesor që ka faktorizuar veten me kontestimin e përhershëm të kompromiseve, Lëvizja Vetëvendosje, është së fundmi e përçarë, në një kohë që të bën të dyshosh se diçka “është kurdisur” në lidershipin politik kosovar.  Një lidership që është kapur në befasi dhe nuk po di të japë zgjidhje për kërkesa që çojnë pariisht në asgjësimin e tij.

Këtu vijmë tek ai problem simptomatik që kemi si shoqëri. Mungesa e vizionit dhe e qasjes strategjike në ndërtimin e institucioneve. Për Kosvën ka shumë vlerë mesazhi i Perëndimit pas përfundimit të luftës me inkurajimin politik të Ibrahim Rugovës. Po kështu edhe vota kosovare pro LDK-së në ato vite do të duhej të lexohej me një tjetër mençuri.

Ekipi që prodhoi UÇK-ja bëri të kundërtën e asaj që do të duhej të bënte për të kapitalizuar atë investim madhor që ishte lufta. Një qeverisje e suksesshme, një shtetformim krejt ndryshe nga ky që pamë, nga korrupsioni i jashtëzakonshëm dhe dëshpërimi social kronik. Kërkesa dhe shantazhi i sotshëm amerikan lidhet padyshim me interesa më të mëdha, por pastrimi i politikës kosovare është një faturë që nuk ka pse lidhet me sovranitetin siç preferojnë ta ngatërrojnë shpesh. Në fund të fundit, nëse qeverisja do të kishte qenë një tjetër histori, sot do të ishte shumë e vështirë që SHBA të kërkonte diçka të tillë me këtë gjuhë. Ndaj, për aq sa informohemi nga qëndrimet zyrtare, Kosova njësoj si Shqipëria ndaj së cilës sot po kërkohen arrestime, e ka “Dhi punën vetë”. Dhe keq madje, aq sa ndonjë përfaqësues opozite deklaron protesta dhe revolucion por kërkon mosndërhyrje nga ndërkombëtarët. Është vonë dhe mesa duket në shtete false si këto tonat, nuk ka asnjë shumë paraje që të mund të të falë një çikë sovranitet në pushtet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.