Mediat e Saliut

Postuar në 20 Tetor, 2017 11:25

Opozita, LSI-ja dhe Sali Berisha po arrijnë një fitore të madhe. Po godasin një nga njerëzit kryesorë të Edi Ramës në katër vjet, një nga etiketat e Rilindjes, një superministër të cilit i kanë prerë fletë arrestin. Ky është mesazhi dhe perceptimi që mediat pranë qeverisë po tretin me vështirësi në këto orë, duke riaktivizuar imagjinatën propaganduese kundër të keqes Sali Berisha, që tërthorazi është mbrojtje për Sajmir Tahirin dhe PS-në.

Tituj për Gërdecin, njerëz që shkruajnë statuse në Facebook që qarkullohen në llagëmet mediatike, 21 janari, Sali Berisha si agjent I UDB-së, CEZ dhe deri edhe Remzi Hoxha janë dosja e mediave pro Shqipërisë së Rilindjes që po konsumohen si municion i një artilierie tanimë muzeale. Po edhe në qofshin këto të vërteta sa lidhje kanë me fajësinë apo pafajësinë e z. Tahiri? 

E ca më tej: pse disa media po marrin këtë rol të avokatit që synon të bëjë diversion përmes zhurmës dhe nuk i përmbahen misionit të raportimit? Kjo pyetje shtrohet pasi tashmë jemi mësuar që të mbajmë mendjen dhe sytë nga analizat e këtyre burimeve që të kuptojmë një çikë se çfarë ndodh në këtë vendin tonë. Për forcë zakoni që nga 1997-a, kjo kategori që sa vjen dhe shëndoshet, numerikisht dhe fizikisht, i ka mbushur mendjen vetes se zotëron edhe monopolin e etikës dhe moralit në këtë vend, duke pervertuar një raport publik që do të duhet të ishte ndryshe. Në vend se të analizohet dhe hulumtohet ajo që po ndodh me ish-ministrin e Brendshëm, media të caktuara po frustrohen se mos me këtë rast fiton Berisha ndonjë gjë. E bashkë me këtë duan të frustrojnë edhe njerëzit të cilëve u dalin për zot e kujdesen se mos bëjnë ndonjë budallalëk.

Po a fiton ndonjë qytetar i këtij vendi nëse ish-ministri I Brendshëm nuk del para drejtësisë? Asaj drejtësie të cilës qeveria e tanishme nuk do që t’i dëgjojë emrin edhe për ato çështje që ngrihen si akuza ndaj Berishës dhe të vetëve. Pra pse kjo qeveri nuk këmbënguli për drejtësi për ato çështje që renditen më sipër dhe pse këto media nuk i shtrojnë këtë pyetje po kësaj qeverie?

Nuk duhet të lodhesh për ta kuptuar. Thjesht Sali Berisha po mban me punë një qerre me gazetarë dhe analistë, qoftë në mënyrë të qëllimshme(fundja në politikë të vlejnë po aq sharësit dhe kritikët që mjafton të dish t’i ndërsesh sa edhe servilët), qoftë pse ashtu di të sillet. Në fund të fundit, nga kjo perspektivë, këto media mund të quhen media për Saliun, edhe pse ulërasin se janë të pavaruara. Hiqu Berishën si temë ditore dhe çfarë mund të gjesh si arsye për ekzistencën e tyre? Asnjë gjë me gjasë.

Ta shpallësh të keqen përmes refleksit "analitik" që varet tek emri i një personi nuk është gazetari dhe as rreshtim politik. Është bordero. Ndaj forca: gjeni edhe kur është qethur tullac Berisha apo kujt i mori këpucë borxh kur ishte student. Pyesni z. Taulant Balla për këto se me siguri që i ka të protokolluara.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.