A do të vijë dita të kemi një opozitë normale?*

Postuar në 06 Korrik, 2017 11:28
Ndriçim Kulla - publicist

Gjatë këtyre ditëve të fundit paszgjedhore e kemi hedhur shpesh pyetjen për çështjen se a do të vijë ndonjëherë dita, edhe pse kishim menduar se tashmë ishin pjekur kohët dhe situatat e mbërritjes së saj, kur një parti a koalicion, pasi të humbë zgjedhjet, të gjejë përballë vetes opozitën normale, që të reflektojë për humbjen, t’u gjejë vendin autorëve kryesorë të kësaj humbjeje, të ringrihet me shpejtësi edhe të fillojë menjëherë fortësisht luftën me politikën qeverisëse, të dalë nëpër mitingje,të bëjë beteja me alternativat e saj për çdo implementim ekonomiko-kulturor, politik etj. etj. Të fillojë pa humbur asnjë grimë kohe betejën e vet në përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve të ardhshme, veçse me mjetet parlamentare, e jo ta quajë rezultatin të paligjshëm, të padrejtë, fryt i një “maskarade” të stërmadhe, i një kanibalizmi elektoral, e kushedi se çfarë tjetër mund të thuhet gjatë këtyre ditëve dhe të lërë mënjanë paaftësinë e saj.

Në një ligjëratë normale politike, gjithmonë shprehjet e çuara deri në ekstrem pa analizuar fillimisht veten, pra duke e anashkaluar atë, të sjellin menjëherë në mendje dy gjëra: propagandën dhe radikalitetin, e aspak të gjitha ato qëllime “ideale” apo mbi “demokracinë në rrezik”, për të cilën ato përdoren. Propaganda e sotme e Partisë Demokratike mbas humbjes së zgjedhjeve po bëhet një propagandë ndryshe, e mund ta përcaktojmë si “krahu ekzekutiv i justifikimeve të betejës së humbur”. E politikani që abuzon me të, duhet të ketë ambicione të ngjashme: të qëndrojë i “padukshëm” ndaj elektoratit, ndërsa kur krahu i tij “ekzekutiv”, duke vepruar, të shkaktojë entuziazme të kota demokratike. E politika opozitare, veçanërisht me këto qëndrime aspak të sinqerta që po mban me elektoratin, duket se ruan brenda vetes jo vetëm frikën nga ballafaqimi me të vërtetën, por dhe dëshirën për të vazhduar më tej pa reflektuar.

Është me të vërtetë e frikshme kur duket qartë se ke humbur radikalisht dhe të mos kesh kuptuar se çfarë marrëzish ke bërë në një drejtim krejtësisht kaotik, që i ke bërë partisë që të besuan me dhjetëra, qindra, mijëra njerëz, se do t’i sillje në pushtet. Është vërtet tragjike që të humbasësh besimin e njerëzve të mençur, që të mbështeten pa rezerva në aksionet e tua politike, të cilat i dredhove sipas interesave të tua të momentit, duke mos denjuar që t’ju kërkosh qoftë dhe një falje. Nëse ky është përfundimi ose është vija që na kishte propozuar opozita dhe ne s’e dinim ose nuk e kishim kuptuar, përtej rezultatit të zgjedhjeve, ku humbës dhe fitues duken njëlloj sot, atëherë diçka e rëndë po ndodh me demokracinë tonë. Natyrisht që e ardhmja jonë europiane do të vijë, por ndërkaq ne si elektorat rastin për të ndikuar, për ta sjellë në avancë, tashmë duket se e kemi humbur. Prandaj nevojitet syçelësi për kohën që po kalojmë, sepse kushtëzon kohën që na pret, dhe çasti i pranimit të rezultatit është mundësia ideale për ta ushtruar këtë syçelësi duke bërë prezent të vërtetën e cila muund t’i hapë rrugë shpresës. E kjo sepse heshtja, propaganda, justifikimi dhe kalimi nëpër to i këtyre çasteve është vetëm Shila e politikës në rrugëtimin tonë drejt kësaj të ardhmeje.

Është naive ose hileqare t’i japësh kaq shumë përgjegjësi kanabizimit dhe shitblerjes së votës në këtë proces humbjeje dhe të mos konsiderosh si të parin ose të harrosh strategjinë dhe taktikat e gabuara dhe pothuaj foshnjore të lidershipit të kësaj partie.

Është dashakeqe të thuash se një nga shkaqet e mëdha të humbjes së zgjedhjeve është veprimi aktiv i grupit të ish-deputetëve që nuk u futën në lista, kur ti demokratikisht nuk ke të drejtë fare t’u ndërpresëh zemërimin këtyre njerëzve, përtej vlerësimit nëse kishe të drejtë apo jo t’iu rezervoje një vendim të tillë; sepse nuk kishe të drejtën t’u rezervoje të drejtën e njeriut të punësuar si në të zezë siç u solle me ta, duke mos i thirrur të paktën për t’iu komunikuar vendimin si anëtarë të parlamentit. A mund të funksionojë politika vetëm me shmangie bizantine, me shprehje me fyryrë të vrenjtur dhe pa fjalë, pa përdorur letra dhe pa bisedime për ish-bashkëpunëtorët e tu?! Atëherë me ç’përgjegjësi morale, me ç’ndershmëri intelektuale a me ç’ndërgjegje politike për vendin, mund të fillojë ringritja dhe bashkimi i kësaj force politike? Nga duhet të vijë bashkimi kur ti metodën kryesore të vendimeve të tua ke hilenë dhe përjashtimin në vend të sinqeritetit?

Sfida e vërtetë, në politikë, është të mësosh të mendosh në limit. Bota është e vështirë të ndryshohet, nëse nuk zbulohet më parë që gjithçka ka një limit: Edhe përgjegjshmëria jonë. Tejkalimi i saj kthehet në një marrëzi madhështie: edhe kur ajo fshihet në sentimentët më sublimë, edhe kur forcat kundërshtare marrin vërtet formën e një makthi. Nga ana tjetër, është po kaq e vërtetë se është gjëja më e vështirë të mësosh limitet e të themelosh mbi to jo vetëm politikën, por edhe gjithë ekzistencën. Nevojiten cilësorë jo të lehtë për t’u gjetur e zotëruar, në botën përreth teje e në vetvete; nevojitet një shikim i ndarë, i distancuar nga vetja, si i atij që na sheh nga jashtë. Pa kaluar nëpër një proces të thellë reflektues në këto momente të vështira uni i mbarsur artificial në forcën politike të Partisë Demokratike, me gjithë dramën e humbjes që ka aktualisht do vazhdonte të fryhet, do të ndihet tragjikisht si triumfator sikur nuk ka ndodhur asgjë e rrjedhimisht, edhe vullneti i pushtetit, që banon në gjithë përbërjen e saj politike, por edhe në atë mediatike, do të shndërrohet në një verbim shfarosës. E si përfundim, nuk do të arrinim t’i mësonim kurrë limitet.

E gjithë fushata intensive gati njëvjeçare e udhëhequr përmes një radikaliteti të theksuar, ndoshta mund të konsiderohet brenda saj si një strategji, e ndryshme nga ato marëdhënie të buta, bashkëvepruese por jo shumë frytdhënëse që ajo pati me këtë mazhorancë 2 vjet para zgjedhjeve aktuale. Ndoshta rezultati i këtyre zgjedhjeve, pra mosardhja në pushtet, po çon dashur pa dashur në analizën e drejtë, se faji ishte i strategjisë së zgjedhur dhe i listës shumë të gabuar të përfaqsuesëvëe të popullit prej kryetarit. Një gjë e tillë po artikulohet ndryshe nga këshilltarët dhe ideatorët e filozofisë politike të kthyer përmbys, “Republika e Re”. Ende po këmbëngulet direkt dhe indirekt se filozofia politike për shqiptarët e një “opozite dialoguese” ishte ende e parakohshme, kur në fakt nuk ishte aspak kështu. Mos vallë rezultati që “korri” opozita nuk do të kish qenë i tillë pa bojkotin parlamentar, dhe me luftën e ditëpasditshme në parlament, duke e shoqëruar me protesta të njëpasnjëshme në rrugë? Dihet që pushteti gërryen, dhe rastet për ta bërë këtë luftë, ndofta s’kanë munguar. Po tanimë që humbja ka ardhur në mënyrë spektakolare, dhe opozita është katandisur si xhuxh duke iu kthyer edhe sherreve mes vetes, a nuk duhet të tingëllojë si eksperiment i gabuar strategjia e revoltës jashtë parlamentit, dhe cinike sjellja e kryetarit të opozitës që ende s’po ndërmerr një proces të sinqertë reflektimi?

Duke i përshtatur ditëve tona një shprehje të goditur të Spinozës, mund të themi se “jemi duke jetuar edhe në politikë kohën e pasioneve të trishta”, një epokë të disgregacionit, ku lidhjet sociale të forcave politike apo partiake me shoqërinë, janë këputur realisht sepse partitë shikojnë parësisht pushtetin dhe interesat e tyre dhe shpresa në të ardhmen tashmë mungon qartë edhe tek opozita që e ka mision shpresën.

Nëse sot, qytetarët duken ta kenë humbur shpresën në angazhimin si faktor transformimi, arsyeja qëndron në faktin se ndjenja mbizotëruese e kohës sonë është bërë frika, pasiguria dhe mosbesimi që i pengon njerëzit të kenë besim te ndryshimi dhe i gozhdon të gjithë në një lloj fatalizmi, pafuqie dhe dorëzimi pasiv. E gjithë kjo politikë apo pritje ndaj mosreagimit të opozitës sot si një prag gjëme apo humnere të sjell në përfundimin e qartë, se frika dhe mosbesimi po bëhen jo vetëm një kategori psikologjike, por dhe një kategori e vërtetë politike. Pikërisht për këtë gjë është e rëndësishme të mos i besojmë vetëm kodit të arsyes e të post-ideologjive, por të mbështetemi edhe te kodi i sensit të jetës dhe emocioneve, sepse siç thotë biologu i famshëm Humberto Maturana, nuk është arsyeja ajo që na bën të veprojmë, por emocioni. Le të mos harrojmë, pra, se është ngacmimi i dëshirave dhe emocioneve, e jo vetëm ai racional dhe konjitiv, shtysa sekrete që mund t’i shtyjë njerëzit të angazhohen përsëri, me shpresë dhe kurajë, për ndryshimin dhe të ardhmen.

Por, nëse duam t’i ndezim sërisht motorët e ndryshimit dhe të çelim një stinë të re të shpresës, që të na bëjë të dalim nga dyert e kësaj kohe të shënjuar nga pasionet e trishta, duhet të kemi kthjelltësinë ta orientojmë angazhimin tonë fillimisht drejt qytetarisë në përgjegjshmërinë e vetë politike dhe civile dhe jo parësisht drejt politikës mashtruese.

*Titulli origjinal: Duke jetuar në politikë kohën e pasioneve të trishta

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.