NATO dhe BE nuk mund të vazhdojnë të sillen si në kohë paqeje ​

Postuar në 19 Shkurt, 2024 22:12
Alar Karis*

 

Një billbord i ngritur së fundmi në Ivangorod, pikërisht përtej kufirit të Estonisë me Rusinë, shkruan: "Granitsy Rossii nigde ne zakanchivayetsya" - Kufijtë e Rusisë janë të pafund.

Kjo nxjerr në pah në mënyrë të përkryer se sa shumë ndryshojnë Evropa dhe Rusia në mentalitetin dhe vlerat e tyre.

Si kombe, ne e matim suksesin tonë me rritjen ekonomike dhe përmirësimet në mirëqenien sociale. Rusia, ndërkohë, përdor metrikën imperialiste të zgjerimit të territorit dhe fuqisë ushtarake. Dhe ne jemi të angazhuar në një luftë të përhershme të bazuar në vlera, sepse kufiri lindor i BE-së me Rusinë demarkon vijën midis këtyre dy mënyrave shumë të ndryshme të të menduarit dhe të të parit të botës.

Pushtimi rus i Ukrainës nuk na erdhi papritur. Rusia merr çdo gjë që ka mbetur e pambrojtur. Kjo është arsyeja pse nuk duhet të lëmë asgjë të pambrojtur.

Nuk ka kuptim të pyesim veten se cili vend mund të sulmohet më pas, sepse, siç ka treguar vazhdimisht historia, nëse i jepet mundësia, e gjithë Evropa mund të jetë e ardhmja. Kjo është arsyeja pse Estonia është avokate e fortë për zgjerimin e BE-së dhe NATO-s.

Vetë demokracia është një kërcënim për regjimin aktual të Rusisë, që do të thotë se çdo shtet demokratik përbën kërcënim për të. Kështu, është e pafrytshme t’i bazojmë strategjitë tona në pritjen se së shpejti do të ndodhin ndryshime thelbësore në Rusi. Edhe kur regjimi aktual të ndryshojë – siç do të ndodhë në fund të fundit – qëndrimi i Rusisë ndaj Perëndimit nuk do të ndryshojë.

ADN-ja kulturore e një vendi që është krijuar për ta kundërshtuar Perëndimin nuk do të transformohet brenda natës. Përgatitja për luftë është ngulitur në mendësinë ruse. Dhe ata që mendojnë ndryshe ose i detyrojnë të heshtin apo të largohen, ngacmohen, burgosen ose vriten – siç fatkeqësisht e kemi parë sërish kohët e fundit.

Për më tepër, presidenti rus Vladimir Putin nuk dëshiron vetëm të pushtojë Ukrainën, ai njëkohësisht po teston vendosmërinë e botës demokratike në emër të autokratëve të tjerë të botës. Ai po lufton gjithashtu për Korenë e Veriut dhe Iranin –prej nga rrjedh edhe mbështetja e tyre për përpjekjet e tij të luftës.

Ky është një moment vendimtar për brezin tonë. Nëse nuk tregojmë vendosmëri, do të na shohin si të dobët. Dhe siç ka treguar historia, dobësia nuk çon në paqe.

Aleancat janë ajo që demokracitë bëjnë më mirë. Regjimet autoritare nuk kanë qenë kurrë efektive në ruajtjen e tyre, sepse për autokratët, bashkëpunimi bazohet vetëm në nevoja afatshkurtra - jo në vlera. Bota demokratike e bën më mirë dhe kjo është forca jonë.

Dhe tani është koha për ta përdorur atë forcë. Ne duhet të sigurohemi që vlerat tona – liria, demokracia, mirëqenia dhe siguria – do të garantohen për komunitetin transatlantik për brezat që do të vijnë.

Çdo vend evropian do ta kishte të vështirë të përballej i vetëm me Rusinë. Por kur jemi të bashkuar, jemi të pathyeshëm. Rusia duket gjigante - një fuqi bërthamore me një popullsi prej afro 145 milionë banorë. Megjithatë, kjo nuk duhet të na paralizojë. Ka tre herë më shumë njerëz në BE, dhe PBB-ja jonë totale është rreth 10 herë më e lartë se ajo e Rusisë. Demokracitë evropiane, së bashku me bashkëpunimin e thellë transatlantik, janë mjaft të fuqishme për ta arritur paqen pa pasu nevojë për beteja.

Deri më tani, NATO e ka bërë mirë frenimin e Rusisë, por ne duhet të përpiqemi ta mbajmë aleancën po aq të fortë në të ardhmen. Kërcënimi rus nuk është më ekzotik apo abstrakt, është pikërisht përpara nesh. Për më tepër, ne të gjithë jemi tashmë në një luftë hibride me fqinjin tonë lindor çdo ditë. NATO dhe BE nuk mund të vazhdojnë në ritmin e tyre të rastësishëm në kohë paqeje. Përkundrazi, ne duhet të jemi relevantë. Për këtë, është thelbësore të forcojmë bashkëpunimin tonë.

Së bashku, ne duhet ta bëjmë mbrojtjen e NATO-s më të fortë duke i lidhur planet me forca, aftësi dhe struktura komanduese specifike. Dhe ne duhet të ushtrohemi rregullisht për ta mbajtur gatishmërinë tonë kolektive të tendosur dhe të mprehtë.

Së bashku, ne mund të forcojmë arkitekturën e sigurisë së BE-së brenda NATO-s. Si BE-ja, ashtu edhe vendet anëtare të saj, ne duhet të rrisim investimet tona në mbrojtje, të rrisim aftësitë e sektorit tonë të mbrojtjes industriale dhe të forcojmë forcat tona të armatosura.

Si bashkimi ekonomik më i fuqishëm në botë, BE-ja ka një rol të madh për të luajtur.

Unë mbështes idenë e krijimit të një pozicioni të Komisionerit të Mbrojtjes dhe rishikimit të strategjisë së mbrojtjes së BE-së.

Unë mbështes përshtatjen e rregullave të Bankës Evropiane të Investimeve, pasi ne duhet të kemi një burim financimi që gjithashtu lejon investimin në zhvillimin ushtarak.

Unë mbështes një nxitje ambicioze për Mekanizmin Evropian të Paqes, pasi është i vetmi mekanizëm i nivelit të BE-së që ofron mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe partnerët tanë

Por kjo nuk është e gjitha.

Ne kemi nevojë edhe për investime për të mbrojtur më mirë kufijtë e jashtëm të BE-së. Dhe, natyrisht, ne duhet të rishikojmë zinxhirët tanë kritikë të furnizimit për t'i bërë ata shumë më elastikë. Ukraina është e zonja ta fitojë këtë luftë. Tashmë ka një dekadë që provohet se një vend më i vogël mund t'i rezistojë një tjetri më të madh, nëse miqtë e ndihmojnë.

Estonia ka llogaritur se nëse çdo vend evropian kontribuon vetëm 0.25 për qind të PBB-së së tij ndaj Ukrainës në vitet e ardhshme, Ukraina do të jetë fitimtare. Atëherë, mund ta quajmë bllof të Rusisë se mund ta zgjasë këtë luftë për shumë më gjatë

Mbi të gjitha, kjo është tani çështje nëse ne kemi vullnetin për të ndërmarrë hapin e pashmangshëm e të domosdoshëm të sigurisë për brezat që do të vijnë. Ne, vendet perëndimore, kemi treguar edhe më parë se së bashku mund të triumfojmë. Ukraina po lufton një regjim që dëshiron ta shkatërrojë atë. Ukraina po bën luftën e mirë. Le ta ndihmojmë të fitojë.

*Presidenti i Estonisë

Politico.eu

Përkthimi: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.