Gjallërohet ekonomia europiane, në suficit pas dy vitesh deficit

Postuar në 30 Gusht, 2023 00:08

Bilanci tregtar midis Bashkimit Evropian dhe pjesës tjetër të botës është rikthyer në suficit pas gjashtë tremujorësh radhazi deficiti.

Sipas një raporti të Eurostat, një suficit modest prej 1 miliard eurosh u regjistrua në tremujorin e dytë të këtij viti.

Nxitjen kryesore për rritjen e kanë përcaktuar kimikatet, makineritë, automjetet, ushqimet dhe pijet e eksportuara nga BE-ja, të cilat arritën të kompensojnë blerjet e produkteve energjetike, si gazi dhe nafta, çmimet e të cilave mbeten jashtëzakonisht të larta si rezultat i luftës në Ukrainë.

Bilanci tregtar shpjegon peshën e eksporteve dhe importeve në një ekonomi. Kur një vend ose, në këtë rast, një grup vendesh eksporton më shumë mallra se sa importon, ai ka një suficit ose një bilanc tregtar pozitiv. Në të kundërt, kur importon më shumë se sa eksporton, ka deficit ose bilanc tregtar negativ.

Këta shifra nganjëherë citohen për të përshkruar shëndetin e një ekonomie, por ekspertët paralajmërojnë se janë elementë të pjesshëm dhe nuk marrin parasysh faktorë të tjerë si rritja, punësimi ose produktiviteti. Për shembull, Shtetet e Bashkuara, ekonomia më e madhe në botë, ka shënuar pandërprerë një deficit tregtar që nga vitet 1970.

Në rastin e Bashkimit Evropian, blloku pa një suficit të qëndrueshëm në pjesën më të madhe të viteve 2010, kur vendet anëtare iu drejtuan eksporteve si një rrugëdalje nga kriza financiare. Por ky drejtim mori një fund të papritur me fillimin e krizës energjetike.

BE-ja është shumë e varur nga prodhuesit e huaj të lëndëve djegëse fosile dhe për këtë arsye është e ndjeshme ndaj luhatjeve të forta të çmimeve në tregjet globale. Që nga mesi i vitit 2021, blloku është detyruar të paguajë një faturë të rëndë për të siguruar furnizimet me energji, për të mbajtur ekonominë funksionale dhe për të shmangur skenarin e frikshëm të ndërprerjeve të energjisë elektrike ose racionimit.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), vitin e kaluar BE pagoi rreth 400 miliardë euro vetëm për blerjen e gazit. Paratë u dedikuan për zëvendësimin e dërgesave ruse, të cilat deri në luftë ishin të njohura për vlerën e tyre me kosto të ulët.

Blerjet në sasi të madhe përmbysën në mënyrë drastike bilancin tregtar dhe e zhytën bllokun në deficitin më të thellë tregtar që nga prezantimi i monedhës së përbashkët.

Deficiti tregtar i 27 vendeve anëtare arriti në 155 miliardë euro në tremujorin e tretë të 2022, më i madhi në rekord. Pas kësaj, flukset filluan të stabilizohen, pasi paqëndrueshmëria dhe spekulimet në tregjet e energjisë u ulën.

Me shpenzimet më të pakta të BE-së për blerjen e gazit dhe naftës, bilanci tregtar u rikuperua dhe arriti një suficit në tremujorin e dytë të këtij viti, kur blloku regjistroi një rënie prej 15.6% në importin e blerjeve të energjisë në krahasim me periudhën e mëparshme.

/ Euronews /

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.