Pensionet i rritëm, tani Francës i duhet një periudhë shërimi

Postuar në 07 Prill, 2023 15:44

Kryeministrja franceze sugjeron një “periudhë shërimi” për vendin, pas javësh të tëra protestash të dhunshme kundër rritjes së moshës së pensionit. Megjithatë, Elisabeth Borne nuk e ka një strategji se si mund të dilet nga trazirat politike.

Protestat, të cilat filluan si një lëvizje e udhëhequr nga sindikatat kundër reformës së kontestuar të pensioneve, kanë bërë bashkë zemërimin ndaj Macron-it, pasi ai shmangu votimin e ligjit në Parlament.

Edhe pse numri më i ulët i marshimeve në rrugë anembanë Francës të enjten tregoi se protestat po e humbasin fuqinë e tyre, reforma konsiderohet thellësisht jopopullore dhe nxjerr në pah pozicionin e dobësuar të Macron, i cili është e qartë se nuk ka një shumicë të sigurt në Parlament.

"Ne duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm për të mos i nxitur gjërat. Duhet t'i lëmë gjërat të pushojnë...Vendi ka nevojë për qetësim", tha Borne për Le Monde në një intervistë të botuar të premten.

Me ligjin e ri, Macron dhe qeveria e tij synojnë rritjen e moshës së pensionit me dy vjet, duke e çuar në 64 vjeç. Macron e argumenton këtë vendim me nevojën për të shmangur deficitin në buxhetin e pensioneve. Ndërsa sindikatat pretendojnë se paratë mund të gjenden diku tjetër.

Drejtuesit e sindikatave dhe protestuesit kërkojnë tërheqjen e ligjit, por qeveria ka refuzuar.

Kundërshtarët e projekt-ligjit tani presin që Këshilli Kushtetues të japë verdiktin e tij mbi projektligjin më 14 prill. Këshilli ka fuqinë të hedhë poshtë projektligjin - ose pjesë të tij - nëse e gjykon se shkel Kushtetutën. Por përvoja ka treguar se ligjet si të tëra nuk janë anuluar ndonjëherë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.