IMAZHI...që nuk pastrohet as nga Vjosa

Postuar në 19 Mars, 2023 15:30

Lexoni statusin e sotshëm të kryeministrit Edi Rama!

Jehona e Vjosës tonë “Park Kombëtar” në mediat e mëdha të botës i ka dhënë një fuqi të re imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, si një vend me bukurira të pafundme dhe vetëdije qeverisëse për përgjegjësinë monumentale të mbrojtjes së mjedisit në kushtet kur planeti vuan ndryshimet dramatike klimatike

Lexoni sesi ka një vuajtje kronike për imazhin e vendit në faqen e këtij njeriu në Facebook, që në fakt është një imazh për qeverinë dhe qeverisjen. Zoti Rama vjedh këtu një akt të kërkuar dhe lobuar me vite në derën e qeverisë së tij për të kërkuar protagonizmin e Të Mirit në botën e lajmeve ku ai portretizohet si Pisi i Europës. "Vjosa Park Kombëtar" ka të paktën që në vitin 2015 që kërkohet nga organizata mjedisore jashtë vendit dhe ka qenë më i dashuri ministër, Damian Gjiknuri që fliste për nevoja të zhvillimit asokohe, kur diskutohej ndërtimi i hidrocentraleve.

Imazhi ndërkombëtar për të cilin flet zoti Rama nuk lidhet me bukuritë natyrore sepse malet dhe lumenjtë nuk janë meritë e shqiptarëve, por fat i tyre. Imazhi lidhet me aktivitetin njerëzor, atë aktivitet që e vendos Shqipërinë e Edit në raportet e OKB-së ku thuhet se ky vend ka kontroll të trafiut të kokainës në nivel ndërkombëtar dhe se në prapavijë të grupeve që pretendohet se po drejtojnë krimin qëndron një shtet i tërë që tashmë po kërkon edhe të amnistojë paranë e gjeneruar prej tyre. Për llogari kuptohet të atyre që janë në Tiranë.

Imazhi ndërkombëtar është ai i gazetave “The Telegraph” në Britaninë e Madhe, ku z. Rama po humbet një betejë publike me drejtuesit e ekzekutivit aty që kanë vënë në shënjestër kriminalitetin shqiptar, për arsye që nuk janë ende shumë të qarta. Por ne duhet të pyesim: reagimi në heshtje taktike dhe kundërveprim propagandistik nga qeveria në Tiranë, kanë të bëjnë me politikën e jashtme, apo me faktin se dikush po përpiqet të mbrojë interesa të veta në atë linjë biznesi të krijuar mes Francës së Veriut dhe Britanisë në La Mansh?

Sa çudi pra që miku i Tony Blair dhe atij Alastairit të PR, është kapur kështu në darën e goditjeve mediatike në Londër për synime pastërtisht politike, por ndoshta edhe të sigurisë, e të cilat ne ende nuk i kuptojmë. Ironikja këtu është se Londra shpalli non grata një ish-kryeministër, teksa sot autorizon shkrime popullarizuese për dominimin nga krimi shqiptar që në trajtimin mediatik kanë në fakt vlerën se kondensojnë një konsideratë operative në një klishe dhe stigmë që ushqen mërinë e opinionit publik. Jemi koka e turkut në Britani, pavarësisht imazheristit të Tiranës.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.