Përdorimi i të dhënave, një “gjobë” nga e shkuara për Facebook

Postuar në 16 Shkurt, 2022 20:31

Meta, kompania mëmë e Facebook, ra dakord të paguajë 90 milionë dollarë, në një ujdi që i jep fund një procesi gjyqësor të nisur në vitin 2012, kur rrjeti social u akuzua se i gjurmonte përdoruesit edhe pasi ata kishin dalë nga llogaritë e tyre.

Marrëveshja pritet të marrë edhe miratimin e Gjykatës së Qarkut të SHBA për Distriktin Verior të Kalifornisë, për të hyrë në fuqi. Pala paditëse do të marrë shumën dhe ndërkohë Meta do të detyrohet të fshijë të gjitha të dhënat që ka mbledhur në atë kohë.

Zëdhënësi i Meta-s, Drew Pusateri, tha për The Verge se “arritja e një zgjidhjeje në këtë rast, i cili ka më shumë se një dekadë, është në interesin më të mirë të komunitetit tonë dhe aksionerëve tanë dhe ne jemi të lumtur që e zgjidhëm këtë çështje”.

Padia u rrëzua në qershor 2017 pasi një gjykatës federal tha se paditësit nuk arritën të provonin shkeljen e privatësisë ose se kishin pësuar dëme financiare. Por në vitin 2020, një gjykatë federale e apelit e riktheu çështjen, duke u shprehur se mbledhja e të dhënave të Facebook krijoi "dëm ekonomik" dhe se ky grumbullim i supozuar i të dhënave kërkonte pëlqimin e qartë të përdoruesit të specifikuar në Aktin e Përgjimit. Facebook i apeloi këto vendime në Gjykatën e Lartë, por kjo e fundit refuzoi ta merrte çështjen në shqyrtim vitin e kaluar, duke e lënë në fuqi vendimin në fjalë.

Sipas marrëveshjes, përdoruesit që vizituan faqet e internetit që përfshinin një buton "like" në Facebook midis prillit 2010 dhe shtatorit 2011 do të dëmshpërblehen.

Nëse marrëveshja miratohet nga gjykata, kjo zgjidhje do të ishte një nga marrëveshjet më të mëdha të privatësisë së të dhënave në historinë e SHBA. Megjithatë, Facebook është përballur me dënime edhe më të mëdha në të kaluarën për shkeljet e supozuara të privatësisë së të dhënave. Shkurtin e kaluar, një gjykatës federal miratoi një marrëveshje 650 milionë dollarëshe për privatësinë e Facebook-ut që prek mbi 1.6 milionë përdorues. Pala paditëse e akuzoi Facebook-un për shkeljen e Aktit të Privatësisë së Informacionit Biometrik të Illinois, për përdorimin e njohjes së fytyrës në etiketimin e fotove.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.