Kush mund ta shpëtojë nga Vetja?

Postuar në 11 Dhjetor, 2021 21:53
Skerdilajd Zaimi

 

Çfarë ndodhi sot?

Asgjë e jashtëzakonshme, veç aplikimit të parimit se politika nuk e toleron boshllëkun. Z. Berisha emëroi një gjoja kryetar partie në vitin 2013. Z. Rama ia doli të krijonte një gjoja opozitë përballë vetes për të qëndruar i qetë në drejtimin e një gjoja qeverie që bën reforma por në fakt bën vetëm zullume.

Z. Basha e gjeti më në fund sot emrin e tij të vërtetë nga mentori dhe shpikësi i tij politik, nga Baba Carlo i këtyre 8 vjetëve: një Monument i Hiçit.

Na thonë se z. Berisha po e bën të gjithë këtë për bythën e vet, se ka hallin nga Amerika. Kjo është e vërtetë padyshim, por pikërisht kjo arsye e bën të gjithë këtë që ndodhi të vërtetë kauzën e tij personale. E bën konkrete dhe reale. Dhe për arsye personale, z. Berisha i duhej që të rishpikte veten si antipod i Edi Ramës, ndonëse sot duket se luftën e ka me Lulzim Bashën që është një efekt anësor i gabimeve të 2013-ës.

Z. Berisha ka mëkatet e gjithë dynjasë, hajde po e pranojmë këtë. Por ai veproi si politikan, këmbënguli, doli në skenë dhe mobilizoi. Ndoshta z. Basha nuk e ka këtë vokacion, por dobësi të tilla në politikë falen, kompensohen. Hiçi, i dobëti, jo, ata nuk falen sepse të gjithë e ndjejnë se nuk të çojnë asgjëkundi.

Edhe z. Basha e përjashtoi Sali Berishën për bythën e vet, por ai edhe këtë nuk e bëri vetë. Thjesht lexoi një deklaratë që ia kishin dhënë. Dhe sot jemi këtu ku jemi, kur një njeri në moshën 77 vjeçare, pas 30 vjetësh që ka bërë çka dashur, zëvendëson opozitën. Sepse do apo nuk do sot Sali Berisha, ai është i kushtëzuar të ndjekë kursin e përplasjes me qeverinë, pasi të ketë mbaruar punë me monumentin e hiçit, të cilin dështoi ta bënte Diçka.

Ne pamë sot kryeministrin të citonte një ndër filozofët më të mërzitshëm, Emil Cioran, një akrobat fjalësh që i ngjan kaq shumë monotonisë verbale të z. Rama. Pikërisht sepse i vënë përballë faktit se tani ka në fushë dikë që ka realizuar një proces politik gjenuin dhe i pastepur nga fjala SHBA, do të duhet të rillogarisë çdo gjë. Në mos i trembur, z. Rama i është prishur rehatia. Rehatia e bashkëqeverisjes me heshtjen e Lulzim Bashës që kaq shumë dëme i bëri këtij vendi me hiçmosgjënë e tij.

Comments

Submitted by Heu bre (not verified) on

Keni filluar te beheni "OK". Keshtu e ndihmoni kete shoqeri te pafat e te mjere.

Submitted by Anonymous (not verified) on

78*

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.