11 shtatori dhe simptomat e rënies së Amerikës

Postuar në 09 Shtator, 2021 15:51
Antonio Polito

 

Ushtari i fundit sovjetik, gjeneral Boris Gromov, u largua nga Afganistani më 15 shkurt 1989. Muri i Berlinit ra në nëntor, nëntë muaj më vonë. BRSS u shpërbë në Krishtlindjet e vitit 1991. Perandoria Komuniste nuk i mbijetoi disfatës në Kabul. Fundi i Perandorisë Britanike – kujton historiani Niall Ferguson - filloi pas një krize financiare dhe një pandemie katastrofike, gripit spanjoll të viteve 1918-1919. Shtetet e Bashkuara, në një periudhë të krahasueshme kohore, e kanë njohur edhe njërën edhe tjetrën.

Paralelet historike mbresëlënëse kanë ringjallur profecitë e "rënies amerikane" javët e fundit. Shumë besojnë se vitet 2000 nuk do të jenë, siç ishte shekulli i njëzetë, "shekulli amerikan". Nga ana tjetër, të gjitha perandoritë bien herët a vonë, vetëm për shkak të "zgjerimit të tepërt", domethënë, për shkak se janë zgjeruar shumë, pa pasur burimet ekonomike dhe ushtarake të mjaftueshme për të kontrolluar zonën e madhe të botës mbi të cilën ato shtrijnë interesat vetjake. Nga pikëpamja ushtarake, Amerika ende nuk ka rivalë; por ushtarët e saj, me qindra mijëra, janë të pranishëm në 150 vende. Nga pikëpamja ekonomike, kriza e 2007-2008 e bindi Kinën dhe botën se mbreti është lakuriq: turbo-kapitalizmi anglo-sakson, i imituar deri më tani kudo (edhe në Pekin), nuk është i pandalshëm dhe në të vërtetë mund t’i eksportojë krizat e tij. Me pak fjalë, simptomat e rënies janë atje. Por dikush do të thoshte: vendimin t’ua lëmë pasardhësve.

Më shumë sesa fati i SHBA-ve, në fakt, ne evropianët duhet të jemi të interesuar për fatin e botës që do të vijë "pas" SHBA-ve. Pyetja që na shqetëson nuk është nëse jemi dëshmitarë të rënies së perandorisë amerikane të parashikuar nga Paul Kennedy qysh në fund të viteve 1980, diçka për të cilën është më se e ligjshme të kesh dyshime. Por përkundrazi, pyetja është nëse Amerika është ende "kombi i domosdoshëm". Kjo do të thotë, nëse bota mund të shpresojë për një rend thelbësisht paqësor dhe të begatë, dhe në të njëjtën kohë të karakterizuar nga zgjerimi i lirisë, të drejtave të njeriut dhe demokracisë, pa udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara. Edhe për këtë kemi të drejtë të dyshojmë.

Ishte Madeleine Albright, ndoshta sekretarja e fundit e madhe e Shtetit, e cila përdori përkufizimin  "komb i domosdoshëm", në rastin e fundit në të cilin Shtetet e Bashkuara ranë dakord të bënin "luftën e të tjerëve": ndërhyrja e vitit 1999 kundër Serbisë dhe në mbrojtje të Kosovës. Ishte ideja e Shteteve të Bashkuara si garantues të stabilitetit ndërkombëtar, si e vetmja superfuqi e mbetur. Por ishte në të njëjtën kohë edhe një riformulim i parimit të "epërsisë amerikane", besimi se ai komb ka një detyrë të veçantë ndaj gjithë botës, sepse vlerat që ai përfaqëson janë të veçanta. Kjo teori shpesh është interpretuar si një shfaqje e thjeshtë e imperializmit. Megjithatë, ndjenja e të pasurit një mision universal i ka bashkuar të gjitha kombet e lindura nga një revolucion në histori: nga BRSS, në Francë, në Britaninë e Madhe.

Që atëherë, ndoshta pikërisht pas 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara kanë bërë një përzgjedhje që është lidhur gjithnjë e më shumë me interesat e tyre kombëtare. Dy luftërat në Afganistan dhe Irak doli se ishin "luftëra amerikane", megjithëse të mbuluara me arsye morale dhe angazhime për "ndërtimin e kombit". Që nga koha e Obamës, pastaj më brutalisht nga Trump, dhe në fund me sinqeritet befasues nga Biden, erdhi mesazhi se Amerika po tërhiqej nga fushat e betejës ku besonte se kishte arritur qëllimin e saj parësor: Eliminimi i Bin Ladenit dhe shkatërrimi i Al Kaedës në Afganistan. Përplasja me fundamentalizmin islamik u transferua në Irak. Kjo do të thotë, ta heqësh fushën e betejës nga toka kombëtare, duke pranuar të humbasësh ushtarë për të shpëtuar civilët. Në fund të fundit, kjo ishte ajo që qëndronte në themel të së gjithës. Tani shkëmbimi nuk është më i nevojshëm, prej njëzet vjetësh terrorizmi ka pushuar së godituri në Amerikë, dhe për këtë arsye ne po kthehemi në shtëpi.

Ka të ngjarë që tronditja e 11 shtatorit të ketë qenë vendimtare për t’i dhënë fund idesë së "kombit të domosdoshëm". Pyetja e parë që amerikanët i bënë vetes atë të martë ishte: "Pse na urrejnë kaq shumë?" Përgjigja, në planin afatgjatë, duhej të ishte një tendencë për t’iu përkushtuar më pak botës, për të hequr dorë nga roli i gjigantit që endet duke mbajtur një karotë në njërën dorë dhe një shkop me gunga në dorën tjetër. Përgjigja, në planin afatgjatë, ishte: secili duhet ta bëjë atë rol për veten e tij. Dhe nëse ndryshimi midis premtimit të Bidenit në fushatën elektorale për të rifreskuar rolin ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara dhe realitetit të sjelljes së tij aktuale në rastin e parë është befasues, nuk është aspak befasuese drejtimi i kësaj rruge, e cili në fund është njësoj si e paraardhësit: kthimi i ushtarëve në shtëpi.

Megjithatë, sado kontradiktore të duket, fundi i një lufte nuk do të thotë domosdoshmërisht fillimi i paqes. Në Afganistan, për shembull, nuk kishte pasur luftë për ca kohë, dhe në vend të saj pas tërheqjes amerikane ajo rifilloi, me pushtimin e talebanëve dhe betejën e Panshirit. Për më tepër, boshllëku strategjik i lënë nga SHBA do të mbushet. Saigoni ra në pranverën e vitit 1975, duke sanksionuar humbjen më të hidhur të gjigantit amerikan në Azi: katër vjet më vonë Bashkimi Sovjetik u ndie aq i sigurt në vetvete sa pushtoi Afganistanin, duke i dhënë fund fazës së relaksimit paqësor midis Lindjes dhe Perëndimit. Ndërsa Obama po praktikonte strategjinë e "udhëheqjes nga prapaskena", duke pretenduar se e udhëhoqi botën nga sedilja e pasme, Putini ndërhyri në Ukrainë dhe Siri. Dhe është e sigurt se tani, pas Afganistanit, nacionalizmi kinez do të ndihet më i fortë dhe më i guximshëm.

Nga ana tjetër, provën se pa xhandarin amerikan bota nuk është aspak më e sigurt, ne e pamë në Kabul këto ditë: ishin talebanët ata që liruan qindra militantë nga Isis-K, grupi që pretendoi masakrën e aeroportit, dhe emëroi kryeministër një terrorist ndërkombëtar në listën e OKB-së.

Bota mund të mos i rezistojë testit të rënies amerikane. Njëzet vjet pas Kullave Binjake, SHBA nuk do më të jetë "kombi i domosdoshëm". Por ne ende kemi shumë nevojë për të.

Shkrimi është botuar sot në Corriere della Sera 

Përktheu: Gazmira Sokoli

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

E vertete Antonio.
30 vjet qe kjo Amerike po ua leron momen shqiptareve dhe ketyre te fundit iu lipsen edhe 300 te tjera qe t'a kapishin. Eh povero imbecile popolo albanese por edheti Antonio nuk qenke shume larg. Nuk e paske kuptuar se me pushtimin e Irakut kjo Ameriqi ia rrenoi ekonomine gjithe Dunjase more cretino.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.