Nuk ka mekanizëm për rishikimin e kufijve në Ballkan

Postuar në 30 Qershor, 2021 18:07

Nicolas White*, një ndër analistët politikë dhe diplomatikë më të njohur për Ballkanin, thotë në një intervistë për MCN se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të drejtë të pyesin nëse BE është serioze në ofertën e saj per integrimin e rajonit. Sipas tij, Shqipëria u penalizua në mosmarrjen e një date për konferencën ndërqeveritare me BE, për shkak të Bullgarisë, por shanset janë që një vendim të ketë në samitin e funddhjetorit. Kjo është intervista e tij e parë për një televizion shqiptar.

Z. White, vijmë në këtë intervistë në kontekstin e një takimi që është mbyllur me një jo të radhës për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kanë kaluar 18 vjet nga Samiti i Selanikut dhe duket se Europa, projekti i saj ka ngecur në rajonin tonë. Çfarë nuk ka funksionuar sipas jush?

Ne kemi një bllokim real. Bllokimi aktual është për shkak të Bullgarisë. Më parë kishim çështje me Holandën, Danimarkën dhe Francën. Mendoj se është e drejtë për vendet e Ballkanit Perëndimor të pyesin nëse BE është serioze. A ka qenë ndonjëherë realisht serioze në këtë ofertë. Është e trishtueshme që ndodhi ky problem me Bullgarinë, që ka qenë përgjithësisht në favor të integrimit. Ështe e trishtueshme që vendi juaj po preket nga mosmarrëveshjet bilaterale, në të cilat ju nuk jeni të përfshirë. Fakti i thjeshtë është se zgjerimi ka dalë jashtë interesit të BE, që nga anëtarësimi i Kroacisë në 2013.

Ju jeni një person me përvojë në projekte për demokratizimin në Ballkan. Në fakt edhe procesi i integrimit në BE ka qenë lidhur me kapjen e standardeve demokratike. Duke patur parasysh përvojën e deritanishme, a është projekti demokratik në Ballkan, diçka e dështuar, në mos e pamundur?

Është një pyetje shumë e mirë. Nuk duhet të harrojmë se i gjithë qëllimi i BE është të bëjë luftën të pamundur dhe demokracinë të pakthyeshme. Mes vendeve që iu bashkuan BE në 2004-2007 duket se ka vende që nuk janë rojtare të demokracisë. Vendet që nuk kanë demokraci të zhvilluar dhe funksionale nuk do mund t’i bashkohen BE. Kjo do të thotë pjesëmarrje e plotë në qeverisje e të gjitha forcave politike, pra dhe qeverisë dhe opozitës. Është e drejtë të themi se disa vende në rajon, janë larg atij momenti. Në të njëjtën kohë, dhe këtu jam optimist, mendoj se në fund, logjika e situatës të çon në një mbjellje më të të mirë dhe të fortë të integrimit. Për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kosovën, Bosnjen, madje dhe Serbinë, fati i tyre shihet tek integrimi dhe për të arritur deri aty, forcimi i demokracisë është thelbësor. Sa kohë do duhet për këtë? Kjo është pyetje tjetër.

Meqë jemi te demokracia. Këto dy vjet po flitet përherë e më shpesh për zëvendësimin e demokracisë me stabilokracinë. Besoni se në Bruksel po e bëjnë këtë kompromis?

Mendoj se nuk është një kohezion që është zgjidhur. E mira e demokracisë është se ofron një tranzicion të mirë të qeverive. Nga ana tjetër, BE pëlqen të ketë stabilitet, në kuptim të të pasurit partnerë që janë të gatshëm të mbajnë angazhimet, që ka marrë përsipër vendi i tyre. Kjo është një nga arsyet pse pjesëmarrja e opozitës është e rëndësishme se BE nuk pëlqen të flasë me qeverinë e një vendi, ku ndryshimi i qeverisë mund të nënkuptojë ndryshim të politikave. Pra, më e rëndësishme se kush është në fuqi këtë vit, është njeriu që do vijë në pushtet vitin tjetër.

Ka një përmasë fetare në këtë refuzim të vazhdueshëm ndaj vendeve si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, apo Bosnja?

Jo, jo në të vërtetë. Ju e dini sa rëndësi ka faktori fetar në Shqipëri. Në çdo vend perëndimor të BE, është një çështje që po adresohet në mënyra të ndryshme. Franca ka hapur një dialog kombëtar se cila është e ardhmja e Islamit në Europë. Por nuk është ky terreni mbi të cilin po shihet Ballkani Perëndimor. Terreni që po shihet lidhet me stabilitetin, kontributin ekonomik dhe demokratizimin. Faktori fetar është shumë distant në këtë.

Mendoni se BE-ja, më saktë Berlini, po toleron një rol të Turqisë në Ballkan në këmbim të marrëveshjes për refugjatët?

Përgjigja është jo, direkte. Turqia është e interesuar për Ballkanin Perëndimor, Gjermania ka interes për Ballkanin. Mendoj se perspektiva e Berlinit është se Turqia nuk i ofron Ballkanit atë që i ofron Gjermania dhe BE. Ka një fazë të ndërmjetme mes asistencës turke për çështjen e refugjatëve dhe faktorëve të tjerë. Por faktori më i madh sipas meje janë paratë. Mos harroni se Turqia është vetëm 1 nga 3 kanalet nga të cilat refugjatët po vijnë në Europë. Ndaj nuk duhet ta zmadhojmë si faktor në politikën e Ballkanit Perëndimor.

Si e shihni rolin e ri të administratës amerikane të z. Biden lidhur me riafirmimin e Perëndimit në një zonë që është pikë kontakti me “aktorë të huaj”?

Së pari, Biden e njeh ketë terren shumë mirë. 15 vjet më parë, kur unë po punoja mbi Ballkanin më shumë se tani, kur shkova në Uashington, e vetmja zyrë ku mund të isha i sigurt për një bisedë të informuar ishte zyra e senatorit Biden. Pra, ai e di shumë mirë çfarë po ndodh në Ballkan. Është e qartë, se prioriteti i Biden tani janë Kina dhe Rusia dhe jo shumë Ballkani. Ka një ndjesi të fortë se Ballkani duhet të shihet nga lentet e BE. Une e njoh Amada Sloat që është drejtoreshë e Çështjeve Europiane e Këshillit të Sigurimit Kombëtar. Ajo është europiane në formimin akademik. Ajo nuk do shohë Ballkanin si një terren për idetë amerikane, por si një terren ku SHBA duhet të ndihmojë BE që të ndërhyjë drejt.

Pak javë më parë, në mediat ballkanike qarkulluan disa non paper për rishikim kufijsh. Mendoni se do të kemi sërish një rishikim të hartës politike në Ballkan dhe sa e mundur është sipas jush pajtimi shqiptaro-serb?

Nuk e pashë të parin, por i dyti ishte shkruar nga dikush që flet serbisht më mirë se anglisht. Pra nuk e shkroi asnjë nga BE. Dua ta them këtë në mënyrë kategorike. Këto u bënë për të krijuar kaos dhe frikë dhe ka disa njerëz që duan ta bëjnë këtë. Nuk dua të spekuloj. Nuk ka mekanizëm për rishikimin e kufijve në Ballkan. Nuk ekziston. Do të ndodhte nëse do të kishte një dëshirë të qartë të gjithë aktorëve politikë që preken nga çështja. Edhe kur kjo ishte një çështje reale diskutimi nuk kishte një masë kritike në favor të saj në Kosovë ose Serbi. Pra mund të rrëzojnë rishikimin e kufijve si një perspektivë realiste, së paku në këtë anë të Ballkanit.

Pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve? Kjo është një çështje e gjatë. Do të kërkojë kohë dhe angazhim në nivel lidershipi. Kryeministri Edi Rama e ndjen se ka një raport të mirë personal me Presidentin Vuçiç. Rama ka një raport të mirë me shumë njerëz, se ai kështu është. Është një fillim, por jo i mjaftueshëm. Element thelbësor për Serbinë është të kthejë të dhënat kadastrale nga Serbia në Kosovë. Ky është një premtim i bërë në marrëveshjen e Beogradit, por nuk është bërë asgje për këtë. Është i rëndësishëm si një simbol nga Serbia, se nuk presin rishikim të kufijve dhe se kufijtë nuk lëvizin. Jo vetëm Kosova dhe Shqipëria, por i gjithë faktori ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë presion mbi Serbinë në këtë aspekt.

Sikurse përmend kryeministri i Shqipërisë, dua t’ju pyes, z. Rama përsërit se Europa duhet të jetë strategjike dhe jo të mbetet peng i standardeve. Është sipas jush një zgjidhje kjo mënyrë të menduari?

Kryeministri Edi Rama është optimist. E njoh prej vitesh, besoj e njihni dhe ju. BE është ndërtuar mbi standarde. Pra nuk ka shans të devijimit të standardeve dhe qeverisjes për anëtarësim në BE.

Ju pyes edhe një herë për integrimin. Do te kemi një datë në Samitin e dhjetorit sipas jush?

Më shumë mundësi ka që kjo të ndodhë. Pjesë e problemit me Bullgarinë është se për momentin nuk ka stabilitet politik. Ata kanë zgjedhje në 11 korrik. Pas zgjedhjeve, nëse krijojnë një qeveri ndryshe, atëherë do mund të shohim fleksibilitet për të ndryshuar.

Sa kohë mendoni se do të kërkojë anëtarësimi? Skenari më i mirë dhe më i keq..

Do kërkojë kohë. Kroacia nisi procesin në 2005 dhe u anëtarësua në 2013. Me Malin e Zi janë në dialog më të gjatë. Do kërkojë kohë dhe një mënyrë të ndryshme të sistemit qeverisës në Shqipëri për ta sjellë në standardet e BE, për ta bërë kompetivitive në mënyrën e konkurrencës që kërkon BE.

Afati maksimal, 29 vjet. Skenari më optimist, 10 vjet.

*Një ndër ekspertët dhe analistët politikë dhe diplomatikë më të njohur për Ballkanin, Kosovën dhe ShqipërinëNga viti 2014 është drejtor i Filialit të Brukselit i Shoqatës së njohur të Komunikuesve Politikë të Europës APCO me prani në 35 vende.

Nga fundi i viteve '90 deri më 2004, ekspert diplomatik në CEPS (Qendra Europiane e Studimeve Politike), një nga dy think-tanket më të mëdha të BE-së;  në vitet 2004 - 2008 drejtor i programit të Grupit Ndërkombëtar të Krizës për Europën; gjatë asaj periudhe ka qenë dhe këshiltar i qeverisë së Kosovës për Pavarësinë dhe me vendin tonë për integrimin europian, dhe për qeveri të vendeve të tjera.

Nga viti 2008 - 2014 drejtor i think tank “Independent diplomat”, me analiza diplomatike.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.