Me shqelma në Europë

Postuar në 26 Shtator, 2019 10:01

Tani që Gjermania ka dhënë dritën jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë problemi i z. Rama reduktohet shumë. Që këtej e tutje, kryeministri i Shqipërisë do ta ketë shumë të lehtë të menaxhojë sulmet e brendshme pasi në çdo rast i ka argumentet gati. Një vlerësim i Hollandës nuk peshon më shumë nga një vlerësim i Gjermanisë, vend që niset edhe nga konsiderata strategjike. 

Kundërshtimet e mundshme nga Franca apo Greqia janë të menaxhueshme përmes perceptimit të përgjithshëm shqiptar se ato nuk janë vende dashamirëse ndaj Shqipërisë. Megjithatë për Greqinë duhet thënë se janë vënë re disa ndryshime. 

Ndryshimi i parë dhe më domethënësi është mënyra sesi kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka komentuar Marrëveshjen e Prespës pasi erdhi në detyrë. Krejt ndryshe nga sa pritej Mitsotakis ka deklaruar se Marrëveshja do respektoht ndonëse ai nuk është dakord. 

Ndryshimi i dytë vjen në raport me Shqipërinë. Ka patur një bindje se qarqet pas Mitsotakis do të aktivizionin politikën e vjetër të ashpërsisë me Shqipërinë, por në fakt kryeministri grek thjesht sa ka përsëritur ato që përsëriste çdo kryeministër para tij: pronat e pakicës greke, të drejtat e njeriut etj..Këto janë tema që pavaraësisht se krijojnë probleme nuk kanë më atë potencial bllokues për vendin tonë që mirë apo keq disa gjëra i kë shtyrë para, pa folur për faktin historik se në këtë vend padrejtësia godet pa diskriminim etnik. 

Së treti, z. Rama zhvilloi një takim formal me Mitsotakis dhe përmes disa mediave të veta përhapi idenë se së shpejti në tryezë do të jetë marrëveshja e detit. Kjo e fundit ka vlerën e mallit të shkëmbimit me Greqinë dhe kush pret qëndrime patriotike nga qeveria shqiptare është naiv. Marrëveshja është një ferrë në këmbët e çdo qeverie pasi përpara se të diskutohe në nivel profesional kalon në filtrin e zhurmës së histerikëve online. 

Së katërti në Greqi mendimi i përgjithshëm për Shqipërnë dhe interesave që lidhen me të kanë ndryshuar. Në një opinion në gazetën konservatore “Kathimerini”, e cila mbështet kryeministrin aktual, Mitsotakis, analisti Stavros Tzimas sugjeron që BE-ja duhet t’i japë dritën jeshile Shqiprisë dhe  Maqedonisë së Veriut. Arsyet janë strategjike dhe ky rekomandim i shkon edhe Athinës zyrtare që me Marrëveshjen e Prespës kaloi Rubikonin e sentimenteve të veta historike. 

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë kruciale për ekuilibrin e ndjeshëm të Ballkanit. Të dyja janë anëtare të NATO-s dhe duhen përfshirë në familjen e Bashkimit Europian në mënyrë që të lidhen më fort me Perëndimin. Eurokratët janë të vetëdijshëm për dështimet e vazhdueshme, por janë më shumë të interesuar në krijimin e një rrjeti të sigurtë për të ruajtur stabilitetin dhe për të mbrojtur Ballkanin, të ashtuquajturin “barku i butë”. Duhet marrë në konsideratë fakti se Ballkani është shtëpia e miliona shqiptarëve, Maqedonia e Veriut duhet mbrojtur nga ndërhyrjet e mëtejshme të Rusisë – mes të tjerave – dhe popujve të të dyjave këtyre vendeve u duhet dhënë diçka për të shpresuar…

shkruan Tzimas. 

Në një farë mënyre po sugjerohet që Europa të bëhet strategjike, tezë demagogjike kjo e z. Rama, por këtu pikëpyetja e madhe qëndron gjetkë: afrimi në Europa sa kushtëzohet realisht me dënimin e korrupsionit? 

Nëse politikanët e Ballkanit ja kanë dalë të imponojnë këtë mënyrë arsyetimi në Europë si vallë nesër ky ekuilibër strategjik do të prishet kur nga Ballkani nuk po dalin alternativa të reja? 

Nga ana tjetër kjo qasje nuk po konsideron një rol të ShBA që të paktën në Shqipëri po rezulton thelbësor për reformën në drejtësi dhe në emër të së cilës po bëhen premtime për “prerje kokash”. Çka do të thotë se ekuilibri politik në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri kalon së pari nga ShBA pastaj nga BE, ndaj edhe vonesat e mëtejshme do ta bënin të palexueshme çdo perspektivë. 

Sa për Greqinë ajo ndikohet edhe nga “rrethana turke” në këtë politikë që e ka vënë atë në krye të interesave amerikane në një rajon ku duket se hoteli ku banojnë njerëzit është sipas standardeve të BE-së por pronësia është e tjetërkujt. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.