Aleanca e socialistëve me mediat kundër Rilindjes. Në pikëpyetje karriera e Taulant Ballës

Postuar në 10 Gusht, 2019 02:00

Në mbledhjen e fundit të kryesisë së Partisë Socialiste u verifikuan dy zhvillime që kaluan për u raportuar në media. 

Së pari ishte debati mes kryetarit të saj Edi Rama me ish-ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati për çështjen e votimeve të 30 qershorit. Kryeministri është ankuar për pjesëmarrjen e ulët në Tiranë dhe në Shkodër por ky qëndrim është lexuar nga Bushati si goditje për të. 

Në një Kryesi ku të gjithë ulin kokën, Bushati ka reaguar duke u mbrojtur me argumentin se vetë fakti që votimet kaluan qetë në një qark si Shkodra duhet vlerësuar. Sipas tij ajo që ndodhi më 30 qershor as që duhet konsideruar si sukses nga PS-ja. Bushati ka arsye të ketë irritim ndaj z. Rama, jo vetëm për shkak të mënyrës sesi e shkarkoi nga detyra, por edhe për faktin ai shpesh e ka dubluar dhe minuar punën e Bushatit në qytetin verior me deputetin Tom Doshi. 

Lajmi tjetër është paralajmërimi për zhgradimin politik të Tualant Ballës dhe Gramoz Ruçit, dy njerëz kryesorë që mbajnë kontakte me bazën socialiste. 
Është qesharake në fakt kur mendon se një parti si PS-ja e z. Rama të ketë pobleme kuotizacionin e anëtarësisë së vet. Por ja që z. Rama është kujtuar për këtë fakt dhe sipas burimeve për redaksinë e “Të Kripura” ai ka vënë në dukje se objektivat për shtimin e numrit të anëtarësisë, aktivizimit të saj nuk përkojnë me rregullin e pagimit të kuotave që më shumë sesa të ardhura flasin për seriozitetin e një force politike dhe mbajtjen gjallë të marrëdhënieve me njerëzit. 

Nga ana tjetër z. Rama ka urdhëruar disiplinë në këtë drejtim edhe për arsyen se për financat e partive politike do të ketë vëmendje të shtuar në muajt në vijim. 

Erjon Braçe ka shtuar dozën e sulmit ndaj Taulant Ballës kur ka deklaruar se sipas të dhënave që ka nga zona e vet, baza socialiste nuk ndihet më e lidhur me partinë, por më e keqja ajo nuk i beson më as narrativës së lidershipit. 

Militantët dhe anëtarët tanë i drejtohen përherë e më shumë ndonjë medie që shkruan për të majtë në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe merret me temat që janë fibra e PS

ka thënë Braçe. Burimet tona flasin se ai i referohet gazetës Dita. 

Pak ditë pas kësaj mbledhjeje në mënyrë shumë të papritur gazeta në fjalë ka publikuar në faqen e parë të saj online kërkesën për financime nga publiku. Është e konfirmuar se ky fakt është lexuar si akt me prapavijë politike nga drejtuesit e PS, si një manovër e z. Balla për të thënë se kritika nuk qëndron. 

Aleanca mes mediave që janë për të majtën tradicionale dhe njerëzve që duan të ndalin shndërrimin e PS-së në një grup ekonomik të dominuar nga dyshja Rama - Veliaj është bërë e qartë. Ajo konfirmon luftën e egër mes dy grupimeve që sot po manifestohet te çështjet simbolike dhe të identitetit, por në fakt fsheh një betejë pushteti. Përpjekja e z. Veliaj për të rimishëruar herë partizanët, e herë veteranët, duke folur për luftën dhe nderin apo fitoren, nuk kanë ngjitur. 

Pak kohë më parë organizata e veteranëve i ka dërguar një letër z. Rama përmes së cilës i ankohet për një sërë çështjesh, por edhe bën një lloj divorci sentimental me të, çka paralajmëron se reforma e z. Rama duke manipuluar një brez dështoi. Ndaj edhe mesa duket po përgatit goditjen në Kongres të çdo individi që në një mënyrë në një tjetër, jo vetëm kundërshton por edhe nuk formatohet dot në mënyrë të besueshme si Rilindës.

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.