Etilda ndërhyn në vetë të parë për fotografimin e Borëbardhës

Postuar në 24 Mars, 2019 20:10

Në datën 20 mars, redaksia e “Të Kripura” në ResPublica, që kryen punë autonome për llogari të buzëqeshjes publike dhe buzëvarjes politike, publikoi një lajm sipas të cilit fotografi i zonjës Belinda Balluku, njohur nga Gjenerata X si Borëbardha e Infrastrukturës, ishte pushuar nga puna.

Lajmi u keqkuptua. U keqinterpretua madje si provokim. Arsyeja që redaksia jepte për shkarkimin është se fotografi sipas Borëbardhës nxirrte foto me kënd jooptimal që e nxjerrin atë si të shëndoshë. Kur në fakt ajo është thjesht e Shëndetshme. Redaksia spekullonte me burime se ministrja ia ka vënë syrin fotografes së ministres elegante, Etilda Gjonaj.

Këtë të fundit, pra ministren Gjonaj, na duhet ta falenderojmë për ndihmën që na ka dhënë së fundmi kur përmes një fotografie që duket se e ka shkrepur nga celulari i vet, na konfirmoi drejtësinë e tezës se në fotografitë e Borëbardhës ka probleme këndi.

Shikoni Ju lutemi foton e postuar në Facebook e zonjës Etilda:

Kemi nga e majta në të djathtë ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu që nuk dihet pse ka dalë në një pozicion që ngjan me atë të një militanteje nga Kuçova që të zë rrugën e do patjetër të bëjë një foto me deputetin e zonës, në mes kemi Borëbardhën dhe në të djathtë, ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Që është edhe karamelja e foografisë. Pse e falenderojmë ne znj. Gjonaj? Po të shohësh fotoja e ka prerë bustin – kjo për shkak të krahut dhe këndit - duke i lënë ministres vetëm pjesën e sipërme. Këtu Borëbardha duket më elegante. Pra kemi të bëjmë ose me një mundësi të kufizuar fizike të fotografes Gjonaj, ose me një qasje shumë të hollë profesionale të saj, si një fotografe e apasionuar, ose me një veprim që tregon takt. Pra e rregullon imazhin e koleges duke evidentuar pjesën më elegante.

Këtu patjetër që problemi nuk është te fotografi vetëm. Nuk kemi pse të spekullojmë. Këtu çështja është edhe te shijet e Borëbardhës. Shikoni këtë fotografi të datës 15 mars, publikuar në profilin tuiter të ministres Balluku.

Nëse nuk do ta njihnim zonjën në fjalë për atë që është do të mendonim se kemi të bëjmë me një:

1.  Astrologe

2.  Kuzhiniere që sapo ka publikuar një libër profesional

3.  Maxhordome apo organizatore eventesh

Në këtë kuptim problemet e imazhit burojnë nga dy drejtime: fotot që priten bust dhe profil dhe paaftësia e zonjës për të përzgjedhur mes tyre kur autorizon publikimin. Ky problem nuk vihet re te fotografia me autore znj. Gjonaj dhe një gjë e tillë është evidente.

Ndaj mund të pyesim pse vallë një vërejtje estetike duhet politizuar? Nuk thamë që fotografët e ministrive t’I nënshtrohen vettingut, thjesht sugjerojmë që pushteti të mos tregohet kaq arrogant sa të problematizojë edhe estetikën e shëndetit. Mendja e shëndoshë, në trup të shëndoshë.

Shaptilografisti

PS: Për tekstin më sipër u konsultuam edhe me sportelistin e Ministrisë së Infrastrukturës

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.