E megjithatë Ne duhet të protestojmë

Postuar në 13 Shkurt, 2019 12:06

Opozita parlamentare në Shqipëri ka paralajmëruar se do të protestojë më 16 shkurt kundër qeverisë. Përfaqësues të saj kanë dalë në seri për të njoftuar lloj lloj skenarësh, mes të cilëve edhe ai më i dashuri për mëmëdhetarët: populli do marrë në dorë fatet e saj. Si një konglomerat formacionesh politike që e ndjejnë se nuk kanë këllqe, mundësi dhe as kapacitet për të çuar në radikalizimin e protestës si akt politik i përgjegjshëm, opozita po ja lë në topin në derë popullit. Që në këtë rast mund të jenë militantë të saj që do të testojnë ndonjë gjë të papritur.

Protestën e vret që në ngjizje mosbesimi për drejtuesit e PD-së dhe LSI-së, atë e kompromenton marrëveshja e 17 majit si precedent dhe njollos prezenca e Monika Kryemadhit dhe Lulzim Bashës. Puna ka arritur deri aty saqë ka nevojë të flitet për higjenën e reagimit qytetar që po kuptohet si nevojë për të mos lejuar depërtimin e individëve të tillë në çdo tubim. Kjo u pa fare qartë në protestën e studentëve e cila paralajmëroi se në Shqipëri ka nevojë për forca të reja politike.

Mirëpo nëse do të flasim për domosdoshmërinë për të protestuar kundër qeverisë dhe gënjeshtrave të saj, dështimit dhe manipulimit, pra nëse do të përqëendrohemi te nevoja për të përcjellë një mesazh të tillë, atëherë protesta e 16 shkurtit duhet mbështetur. Masiviteti i protestës në fjalë mund të lexohet si mbështetje për opozitën, por kjo nuk është e thënë. Ne mund të protestojmë dhe sërish të mos e votojmë Lulzim Bashën, apo Monika Kryemadhin. Ne protestojmë edhe për një arsye tjetër: largimin e Edi Ramës si kryeministër, p.sh.

Për ta kuptuar më mirë protestën dhe vlerën e reagimit po sjellim këtu një pasazh nga komentet e ish-deputetit të PD-së, Gazmend Oketa në një intervistë të fundit dhënë për ”Gazeta Shqiptare”:

Sot gjykoj se bëhet fjalë për diçka më të madhe se PD. Sot është në diskutim e tashmja dhe e ardhmja e Shqipërisë. Fatkeqësisht Shqipëria ndodhet në një situatë kur pothuaj e gjithë shtresa e mesme e shoqërisë, të gjithë të arsimuarit, edhe pse ndoshta kanë një mundësi ekomomike relativisht të pranueshme, duan të largohen. Ata po zgjedhin të shkojnë drejt një të panjohure më të madhe, sepse kanë pësuar zhgënjimin e madh dhe e shohin me pasiguri të ardhmen.

Në vend që të largohen, dhe që kjo situatë të ndryshojë, unë mendoj se nuk është e thënë që e gjithë shoqëria të anëtarësohet në një grupim politik. Ajo që duhet të bëjë shoqëria shqiptare sot është që duhet të reagojë, duhet të mos paragjykojë opozitën, por të mbështesë ato çështje ku opozita ka të drejtë dhe të ngrihet sa herë që gjykon se qeveria po keq qeverisë apo po abuzon me pushtetin. Nuk ka nevojë të jesh anëtar partie, për të mbështetur çështjen e Teatrit Kombëtar, protestën e studentëve, protestën e unazës së re, të protestosh kundër koncesioneve apo vjedhjes së parasë publike, siç është rasti i projektit krejtësisht korruptiv të unazës së re.

Unë besoj se pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare është e pakënaqur me qeverinë aktuale, është e pakënaqur me mënyrën se si kryeministri i vendit, z. Rama po drejton vendin, është e indinjuar me faktin se ai po abuzon me pushtetin dhe se ai po përqendron në duart e tij të gjitha pushtetet. Ai ka pushtet absolut politik brenda Rilindjes, ai ka pushtet absolut në qeverisje, ai po shtrin pushtetin e tij në drejtësi. Ai ka krijuar një super pushtet mbi ekonominë shqiptare, duke përqendruar gjithçka në pak duar, por çka është dhe më e keqja, pas kriminalizimit të politikës, nëpërmjet krijimit të kushteve për pastrim të parave të pista po kriminalizohet edhe ekonomia. Në një situatë të tillë unë e shikoj më shumë se të nevojshëm reagimin e shoqërisë shqiptare.

Unë mirëkuptoj cilindo që ka rezerva edhe ndaj opozitës, por këto rezerva nuk duhet të kthehen në një mundësi më shumë për qeverinë aktuale, për më shumë abuzim me pushtetin, me paranë publike, me drejtësinë apo me gjithçka që ajo kontrollon. Reagimi qytetar duhet të jetë i tillë që të përcjellë një mesazh të fortë e të qartë tek e gjithë politika.

Mesazhi duhet të jetë fare i thjeshtë, “Ti nuk më shërben, unë të largoj nga pushteti”. Opozita e sotme, dha llogari para qytetarëve shqiptarë 6 vite më parë. Sot është dita që qeveria aktuale të japë llogari për tepsinë apo timonin që e ka krejtësisht e vetme

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.