Cila është politika e jashtme e SHBA?

Postuar në 25 Shtator, 2018 16:55

Agjencia ruse e lajmeve, Sputnik, citon në një raportim të vetin Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis të jetë shprehur se trupat amerikane do të qëndrojnë në Siri edhe pasi ISSI të jetë mundur.

Synimi ynë do të jetë që të stërvitim elementë lokalë të sigurisë për të parandaluar rikthimin e ISIS

është shprehur Mattis.

Ai ka injoruar faktin se Siria ka një qeveri, pavarësisht karakterizimit të saj nga Perëndimi. Stacionimi i trupave në Siri në rastin kur Damasku zyrtar do të shpallë pastrimin e vendit nga trupat e Shtetit Islamik, rrezikon të kthehet në një problem serioz me natyrë diplomatike dhe një pikë e re tensioni në Lindjen e Mesme. Formalisht trupat amerikane që janë në Siri janë aty në mënrë të paligjshme dhe ato nuk mund të justifikojnë qëndrimin në një vend sovra, anëtar të OKB-së përtej mandate që jep qeveria e atij vendi.

Por nuk është ky i vetmi problem. Agjencia ruse thekson diferencën mes qëndrimeve të Mattis dhe këshilltarit për Sigurinë të presidentit Donald Trump, John Bolton që është shprehur se trupat amerikane do të qëndrojnë në Siri sa kohë trupat iraniane do të jenë aty.

Një politikë e forcës dhe arbitraritetit brenda një rendi juridik ndërkombëtar që funksionon mbi rregulla që dekada më parë u sanksionuan po nga SHBA.

Diferenca në qëndrime dhe këmbëngulja amerikane për të mbajtur një pikë në një vend ku dështoi në mënyrë spektakolare është asgjë më shumë se fundi I legjitimitetit të këtij rendi që mishëron te dualiteti i politikës së jashtme amerikane, simptomat e veta më të qarta.

Rasti i Sirisë është vetëm një. Ne jemi dëshmitarë sesi dialogu mes Serbisë dhe Kosovës ka nxjerrë në pah propozimin për shkëmbim territoresh, që u tha se është miratuar nga Shtëpia e Bardhë. Por nëse me Shtëpinë e Bardhë nënkuptohet John Bolton, atëherë këtu lindin keqkuptime, të cilat manifestojnë natyrën e paqëndrueshme të vetë presidentit Trump. Kush kërkon shkëmbim territory? Humori i administratës amerikane, interesi i SHBA, apo nevoja për të bërë zgjidhje të shpejta?

Kjo nuk merret vesh kollaj. Bolton është në krye të një zhurme të shtuar në politikën e jashtme amerikane. Është po ai që ka deklaruar se vendimi i Rusisë për të furnizuar me sistemin S – 300 Sirinë, është një gabim i madh, ndërkohë që këtu sërish injorohet fakti se po furnizohet një qeveri me një sistem mbrojtës. Në të vërtetë sistemi në fjalë thjesht zhvlerëzon sistemet ofensive aktuale të Izraelit dhe kjo po shihet si kërcënim sigurie. Nga ana tjetër vetëm sot qarkulloi lajmi se SHBA i ka akorduar Tajvanit ndihmë ushtarake prej 300 milionë dollarësh, diçka që prek direkt Kinën.

Ai ka përmendur trupat amerikane, të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur e të tjera si këto, ndërkohë që deri më tani, qysh nga fillimi i luftës civile në Siri, Izraeli nuk është kërcënuar asnjëherë. Sulmet e tij ajrore kanë qenë në brendësi të territorit sirian dhe kryesisht ndaj objektivave iranianë, me lejen e Rusisë.

Ka edhe një problem tjetër serioz në këtë çështje. Perëndimi është i përçarë në politikën e vet. SHBA po kërkon të konstruktojë me çdo kusht rrezikun iranian, të cilit dëshiron t’i japë një fuqi që nuk e ka: atë të destabilizimit të mbarë Lindjes së Mesme dhe të një aktori global. Në të vërtetë Irani po vepron dhe ndikon vetëm ato zona që ka patur përherë nën ndikim: Sirinë, Irakun, Jemenin, Libanin.

SHBA nuk ka të njëjtin qëndrim për politikat turke, as për ato të Arabisë Saudite që mbështeti një grusht shteti dhe imponoi izolim ndaj Katarit.  Ato anashkalohen përherë dhe duke mbyllur sytë.

Bolton përfaqëson as më shumë e as më pak politikën e unilateralizmit amerikan dhe aspak një politikë që mbështet ideologjinë e demokratizimit dhe stabilitetit.

Precedenti në fjalë që po rivalizon tanimë edhe me politikat europiane duhet të shërbejë për ta kuptuar mirë qasjen e re të SHBA edhe në Ballkan. Një fuqi e madhe e cila po i bindet mendimit të njohur të Kissinger të një përshatjeje të Amerikës me një botë të rajonalizuar dhe ku ajo duhet të sillet me kredencialet e forcës.

Herët apo vonë ky gangsterizëm në politikën e jashtme do të imponojë ristrukturime serioze përderisa vetë e ashtuquajtura hapësirë transatlantike nuk ka më as kohezionin, por mesa duket nuk udhëhiqet më nga të njëjta vlera.

Deri më sot Shqipëria dhe shqiptarët na është thënë se i detyrohen shumë SHBA. Kjo është e vërtetë, por situatat ndryshojnë. SHBA po bën të qartë se shtylla e saj në Ballkan është Greqia dhe nuk është çudi që për çështje të ndjeshme kufitare të kërkojë cedimin ndaj fqinjit tonë jugor që akutalisht drejtohet nga një koalicion që nuk ka shprehur armiqësi ndaj shqiptarëve. Por edhe e ka përtypur me durim arrogancën e papritur të Tiranës zyrtare që pa te kriza greke një mundësi për faktorizim verbal.

Mbi të gjitha ka nevojë që ky realitet i ri të sqarohet më mirë për opinionin publik që vazhdon të shohë te SHBA atë vend që nuk është më. Dhe çka më shumë rëndësi: nuk do të jetë më ai që ka qenë. Edhe në eventualitetin e një rotacioni në Shtëpinë e Bardhë, pasojat e politikës së Trump, ideja e tij për Amerikën dhe rizgjimi i së djathtës radikale, po tjetërsojnë establishmentin e vendeve kryesore në Perëndim e bashkë me të edhe mendimin dominues politik të deritanishëm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.