Aleancat fluide Basha-Xhafaj-Veliaj vs Rama-Berisha-Meta

Postuar në 01 Gusht, 2018 13:35

Dy lëvizje politike tronditën dje filxhanin e parashikuesve të politikës shqiptare. Së pari ishte deklarata e Besnik Mustafajit – të cilin në fakt nuk e pyet kush, veç po kërkoi të flasë vetë – se Lulzim Basha duhet të japë dorëheqje nëse humbet zgjedhjet lokale të vitit 2019 dhe së dyti, oferta publike e kryeministrit për një bashkëqeverisje me opozitën.

Shahu politik – term ky i preferuar nga kryeministri që e ka shahun si argumentin e vetëm që nga aritmetika ka në kokë diçka më shumë sesa admirimi estetik për numrat arabë që përdorim të gjithë sot – sugjeron se diçka po ndodh në skenën politike. Redaksia e “Të Kripura” konsultoi për këtë qëllim njerëz shumë afër kryeministrit, diplomatë që ecin ende vetë dhe rreshton këtu disa argumentime.

Është e qartë se lëvizjet shpalosen me një objektiv: izolimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tani që ai duket se ka korrigjuar disi gabimin e 17 majit 2017 me pazarin me Edi Ramën dhe po vendos të luajë stekën më lart edhe në kuptimin e negociimit me pushtetin.

Të njëjtat burime, të cilat freskohen jo rrallë edhe nga zyra e Sali Berishës, i thanë redaksisë sonë, se problemi strategjik me Lulzim Bashën tanimë nuk është dobësia e tij, por fakti se z. Bash aka dalë nga faza e kryetarit embrional, e atij që ka detyrime dhe borxhe ndaj paraardhësit dhe po kupton se loja politike është e tillë që ecën drejt suksesit duke u afirmuar si lider dhe duke zhbërë karriera. Në këtë kuptim, z. Basha ka dhënë sinjale se ai nuk e ka problem që enturazhi i Sali Berishës dhe Ilir Metës në sistemin e drejtësisë të pastrohet i tëri, ndërkohë që ka bërë të qartë për partnerët ndërkombëtarë se ai dhe forca që ai drejton nuk kanë asnjë detyrim ndaj së shkuarës në kuptimin e gabimeve të qeverisjes së PD-së. Pra, z. Basha po jep dy mesazhe që ndryshojnë tërësisht skemën politike në vend: pastrimi në sistemin e drejtësisë më intereson aq sa ai të jetë i rregullt dhe jo duke e shndërruar atë në një aneks të z. Rama.

Së dyti, çdo arrestim apo hetim për ish-ministra të PD-së nuk e shqetëson këtë të fundit, aq sa të kërkojë të bllokojë procesin.

Kjo sjellje e manifestuar në shumë raste ka vënë në dilemë rolin politik të Sali Berishës, i cili qyshkurse dha dorëheqjen nuk ka rreshtur për asnjë çast së luajturi dublantin politik të PD-së, sidomos me qëndrimet në Parlament. Së fundmi, axhenda e PD-së është shkëputur përherë e më shumë nga loja e z. Berisha, denoncimet e tij e shumta gjejnë ndonjë vend në gazetën “Rilindja Demokratike”, po asgjë që nuk prononcohet më parë nga z. Basha nuk kthehet në çështje politike. Është e qartë se dobësimi i z. Berisha dhe goditja penale e tij implikon edhe Ilir Metën që e sheh sot veten si një president që nuk ndalon dot asgjë në zbrazjen e sistemit të drejtësisë nga njerëzit e garancisë së tij.

Me largimin e Donald Lusë, z. Basha I është hapur edhe një perspektivë e re politike: manovra me koninkturën brenda PS-së. Ky është një tjetër mësim që duket se është mësuar mirë nga kreu demokrat i cili ka kuptuar se nuk mund të ketë asnjë garanci për pakte me kundërshtarët politikë pa patur një marzh manovre brenda prapavijës së tij. Z. Basha mësoi të manovronte shpejt kur teksa dështoi me skemën “Babale” në goditjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa, një interes i tij afatshkurtër, por një kërkesë këmbëngulëse e segmenteve brenda PS-së, ai u hodh në aleancë me z. Xhafa.

Denoncimi paraprak prej tij I parave të kapura në Toyota Yaris është në fakt një lëvizje politike e inskenuar në marrëveshje dhe informim me ministrin e Brendshëm, edhe pse në media u luajt qëllimisht se informacioni kishte rrjedhur nga SHISH. Ky i fundit shfrytëzoi rastin e publikimit në një media të një të ashtuquajture dosje operative për spiunazhin rus në Shqipëri, për të dalë me një deklaratë ku hidhte poshtë si të pavërteta spekullimet për rolin e SHISH në çështje të ndryshme të përfolura në media. Në fakt shërbimi mohoi këtu ndonjë rol të vetin në aferën e Toyota Yaris e cila u shërbye për Bashën nga ministri Xhafa I cili kundërveproi ndaj grupimit që e godet atë brenda PS-së në krye të të cilit qëndron Edi Rama. Z. Basha korri kështu suksesin e bllokimit të detyruar të një linje trafiku, ndërkohë që ai ka hequr dorë tërësisht nga çështja e Maminasit, për të cilën kryeministri deklaroi se lidhet me drejtues të PD-së, duke aluduar Sali Berishën. Diversionet paralele që po luhen në këtë kuadër, evidentojnë një Lulzim Basha më të zhdërvjellët dhe që kërkon të luajë në mënyrë autonome.

Në këtë kontekst sulmi ndaj tij dhe oferta në fakt janë skema vepruese e tre politikanëve kryesorë që nuk dëshirojnë thyerjen e ekuilibrit që po sulmohet në emër edhe të kapjes në të ardhmen të kreut të PS-së, nga klani i z. Xhafa. Një shenjë se lufta është e ashpër është dorëzimi i Erion Veliajt, i cili dje deklaronte se nuk kishte ambicie për të luftuar për kreun e PS-së, por vetëm në Bashki. Një armëpushim apo dorëzim për një garë në të cilën tani protagonist kryesor është njeriu më i afërt i Edi Ramës, Damian Gjiknuri, një armik i Fatmir Xhafës.

A do të pranojë Lulzim Basha një Pazar ku ai merr një vend në tepsinë e një pushteti që ka miratuar rregulla që tashmë po e godasin? Gjasat janë që Jo për një arsye të thjeshtë: çdo Pazar i tij me Edi Ramën e bën atë personazh të dorës së dytë, ndërkohë që për ta mbrojtur atë dhe veten do t’I duhet përherë të ketë me vete Berishën. Klanit të z. Basha i leverdis sot rotacioni brenda PS-së, ribalancimi në të në mënyrë që të rifaktorizohet si alternativë kryesore. Përderisa z. Rama nuk do të lëshojë në këtë drejtim derisa të ketë garanci për veten, kjo gjë nuk do të ndodhë. Dhe ky është avantazhi strategjik për një opozitë që duhet vetëm të jetë serioze. Z. Rama po bën gabimin e madh të Sali Berishës që mendoi se kishte lidhur aq mirë interesat sa edhe pot ë ikte asgjë nuk do të ndodhte. Kjo thjesht nuk është e vërtetë.

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.