Drafti i PD-së: “Anëtarësimi në BE…ngjarje e pasigurt e së ardhmes. Sot mbi 90 % e shqiptarëve janë dakord, situata mund të jetë e ndryshme pas disa viteve”

Postuar në 18 Janar, 2016 17:23

Është përsëritur disa herë se reforma në drejtësi është çelës për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por në kushtet e tanishme miratimi i reformës kalon nga tre drafte paralelë, që përfaqësojnë mendimin e partive kryesore parlamentare për amendimet kushtetuese. Një prej të cilëve është edhe opinioni i ekspertëve të Partisë Demokratike që është shpërndarë sot për median. Një pikë e cila ka interes të diskutohet është qëndrimi i përcjellë për nenet e parashikuara në draftin e ekspertëve të nivelit të lartë që parashikon anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Komisioni i Venecias e vuri në diskutim nevojën për një rregullim të tillë, duke e cilësuar të parakohshëm. PD-ja del sot me një mendim ekspertësh por pas të cilit mund të shihet fare mirë një vlerësim politik. Thuhet në draftin e saj:

“Nenet 2, 8, 9, 10, 11dhe 54 parashikojnë rregulla mbi antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një pjesë e këtyre dispozitave dhe konkretisht ndryshimet në nenet 39 paragrafi 2, 64 paragrafi 4, 80/a, 122 paragrafi 3, 161 paragrafi 3, parashikohet të hyjnë në fuqi pas miratimit të ligjit nga Kuvendi që ratifikon marrëveshjen e lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për anëtarësimin (neni 55 i projektligjit – pika 10 e nenit 179). Ndërkohë që, në dispozitat e tjera, parashikohet kushti “pas antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”. Edhe pse teknikisht është më e këshillueshme formula e aplikuar nga neni 179 (e cila si rregull duhet të ishte zgjidhje e njëtrajtshme për të gjitha këto dispozita), në thelb, të dyja këto formula sanksionojnë hyrjen e mëvonshme në fuqi të këtyre parashikimeve. Argumenti i dhënë për përfshirjen e tyre në Kushtetutë lidhet me shmangien e ndërhyrjes së mëvonshme në tekstin e Kushtetutës.

2.2. Për këto amendamente, Opinioni i Komisionit të Venecias nr. 824/2015 shprehet se janë të pranueshme, “Nëse ligjvënësi shqiptar këmbëngul për të përfshirë dispozita të caktuara tani (me qëllim që të mos ndryshohet Kushtetuta përsëri në të ardhmen)...”

2.3. Në parantezë duhet evidentuar se drafti i rishikuar për këtë pjesë nuk e reflekton këtë rekomandim të Komisionit të Venecias sepse nuk është marrë një vlerësim politik për këto amendamente. Në vlerësimin tonë, këto dispozita janë të parakohshme për Shqipërinë, e cila ende nuk ka hapur negociatat me Bashkimin Europian dhe me shumë gjasa, ky proces do të zgjasë në kohë me disa vjet. Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një moment historik, që justifikon pa asnjë dilemë ndërhyrjen në Kushtetutë. Në çdo kohë dhe pavarësisht konfigurimit politik në Kuvendin e Shqipërisë.

2.4. Ne vlerësojmë se përfshirja e këtyre amendamenteve në këtë moment, krijon probleme të papërshtatshmërisë teknike. Edhe pse sot mbi 90 % e shqiptarëve janë dakord me antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, situata mund të jetë e ndryshme pas disa viteve. Është e pamundur që, në dritën e kushteve të sotme, të imponojmë zgjedhje për një të ardhme të largët dhe të pasigurt për disa arsye. Së pari, momenti i anëtarësimit të Shqipërisë në BE duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi dhe mbështetjeje të gjerë publike në Shqipëri për masat e nevojshme që duhen ndërmarrë. Së dyti, sot ligjvënësi shqiptar është në pamundësi të parashikojë të gjitha rrethanat dhe ndërhyrjet e nevojshme në Kushtetutë që duhet të adresojnë në mënyrë korrekte shkallën e zhvillimit institucional dhe shoqëror të Shqipërisë, që do të verifikohet pas disa viteve në kohën e anëtarësimit. Antarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, është një ngjarje e dëshirueshme për shqiptarët, por gjithësesi është një ngjarje e pasigurt e së ardhmes dhe që nuk varet vetëm nga vullneti i shqiptarëve dhe autoriteteve shqiptare. Për këtë arsye, vlerësojmë se teknikisht është jo e këshillueshme që këto dispozita të përfshihen në këtë moment në tekstin e Kushtetutës. Ne nuk vlerësojmë se ka ndonjë arsye të pranuar kushtetuese për të këmbëngulur në përfshirjen e tyre në tekstin aktual të Kushtetutës…”.

Një parashtrim që merr në konsideratë zhvillimet aktuale të Europës, por edhe faktin se ndoshta politika do të duhet të mbajë në sirtar skenarë alternativë. Pyetja që lind është se sa realiste është të ndërtosh të gjithë drejtimin politik të vendit në një kahje dhe orientim, destinacioni i të cilit po jep shenja pasigurie dhe ekzistence? Ndoshta koha për një diskutim të tillë ka ardhur.

Comments

Submitted by Drafti (not verified) on

Sic po duken bathet, ka rrezik te prishet BE, mbasi Gjermania, po pregatitet qe ne rast se Anglia do te dale nga BE, eshe ajo do te largohet.
Bile, bile, po merr masa duke planifikuar rifutjen e markes si monedhe te sajen.
Nga kjo gje, po u largua Gjermania, nuk ka me BE.
Pastaj guret e DOMINOSE, jane gati per t'u rrukullisur njeri pas tjetrit.
Shenjat jane te qarta, e te forta, sidomos me kete qe ndodhi ne Keln.
Gjermania eshte e gjermneve, jo e emigranteve.
Po keshtu, edhe Europa, eshte e europianeve.

Submitted by Astrit (not verified) on

Shume interesante te lexosh jo artikullin por fotokopjen origjinale; ne te jepen tre arsye (jo dy si ne artikull). Dhe nje nga argumentat eshte i perseritur ("se dyti" dhe "se treti...").
Nje dokument i pergatitur shkel e shko dhe qe permban gabime trashanike ne forme, nuk te frymezon shume per permbajtjen e vete, pasi tregon shume per karakterin e autoreve, impenjimin dhe vememndjen e tyre ndaj detajeve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.