Hashashi, ekonomi kombëtare. “Shqipëria u kthye e gjitha në mini- Lazaratër”

Postuar në 02 Shtator, 2015 12:43

A po fitohet beteja ndaj hashashit? Shohim përditë aksione dhe asgjësim parcelash, por ditën tjetër, shfaqen me qindra të tjera. Ndonëse nuk pranohet, harta e kultivimit është zgjeruar tej Lazaratit, goditja e të cilit, si monopol, aktivizoi mekanizmin e tregut, plotësimin e tij pra me ofertë nga zona të tjera. Gazeta “Shekulli” pranon sot në një editorial të vetin se beteja është e humbur.
“Më shumë se një vit, pas aksionit të Policisë së Shtetit, kundër “Republikës së Lazaratit”, Shqipëria u kthye e tëra në mini-Lazaratër. Beteja është e humbur, edhe pse shteti bën përditë aksione, me qindra forca, dhjetra mjete dhe fonde të konsiderueshme, për të çrrënjosur një biznes që vetëm dy vite më parë vlerësohej në miliarda euro. Por shteti nuk po denjon të kuptojë një nevojë bazike: ekzistencën”, shkruan Arben Rrozhani. Qasja sipas tij duhet të ishte ndryshe: dekriminalizimi i kësaj bime dhe transferimi i saj nga ekonomi kriminale në ekonomi legale. Por qeveria duket se do të vijojë me kokfortësi në këtë rrugë. Thotë Rrozhani: “Qeveria e majtë që e ka bërë moto të qeverisjes luftën pa kompromis kundër kultivimit të lëndëve narkotike ndjehet e frustruar përballë projektit të një deputeti të majtë që kërkon formalizimin e një biznesi që në shumë vende të botës po njeh vetëm rritje dhe kur të ftillohet mendja e shqiptarëve, nuk është çudi që tregu botëror të mos ia “vërshëllejë’ me prodhimit shqiptar, edhe pse ai është shumë cilësor. Ajo si në thënien “bar do hamë dhe parimet nuk i shkelim” do të shkulë çdo rrënjë bime, edhe pse shumica e atyre i mbjellin janë njerëz në hall ekzistence fizike në pamundësi të alternativave të tjera të jetesës që normalisht duhet t’i ofrojë qeverisja”. Nuk mbetet veçse të urojmë sukses, edhe pse qasja ndaj këtij fenomenti duhet të jetë komplekse dhe jo vetëm me aparatin represiv.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.