Evazioni nis nga brenda/M. i Financave: “Punonjës tatimorë bëjnë bilancet e bizneseve”. Deri ku shkon implikimi?

Postuar në 23 Gusht, 2015 03:48

Pak ditë përpara se të nisë aksioni i paralajmëruar kundër evazionit fiskal dhe informalitetit të biznesit, ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka dhënë disa sqarime. Ai ka folur hapur për situatën aktuale, duke bërë disa deklarata që gjithsesi paralelizojnë idenë e krijuar se goditja ndaj informalitetit dhe evazionit është problem i atyre subjekteve që i shmangen ligjit. Nëse dikush do të pyeste, siç edhe ka ndodhur, sesi ka mundësi që për një kohë kaq të gjatë, 1/3 e bizneseve të jenë të pafiskalizuara, apo të bëjnë evazion në këto nivele, atëherë një përgjigje e ka marrë dje nga vetë ministri i Financave. Cani ka pranuar problemi buron edhe nga brenda Drejtoris ,së Tatimeve, ku punonjës të saj, mbulojnë detyrimet e bizneseve, duke u bërë atyre bilancet. “...duke vendosur normë, duhet të justifikojnë të gjithë auditet, të cilat nuk është ndonjë gjë që nuk e dimë të gjithë; është ashtu siç thoni ju, pra e harton punonjësi i tatimeve, e pranon punonjësi i tatimeve...Në qoftë se do t’iu duhet juve si kontabiliste që të raportoni 20 bizense dhe nuk do të raportoni dot 100, 1000, sa t’iu vijnë vetëm për të hedhur firmën; kuptohet do të kërkohet emri real i atyre që kanë bërë biznesin, se do të jenë vetëm 20. Për 80 të tjerat duhet gjetur kush është hartuesi”, tha ministri, që ka theksuar se për këta punonjës tatimorë do të vendoset ndëshkimi, 7 vjet burg. Ky konstatim, që bëhet për herë të parë, konfirmon një aspekt të çështjes që është lënë jashtë vëmendjes: korrupsionin në administratën tatimore. Kjo punë e dytë, për të cilën flet ministri, është hallka kyçe e një sistemi status quoje, që biznesi ka vendosur me administratën në emër të fitimit dhe shmangies së kostove që vijnë nga detyrimi.

Ministri thotë se kjo gjë dihet. Nëse është kështu pse nuk është verifikuar asnjë masë deri më sot, por përkundrazi, qeveria ka vendosur t’u besojë të njëjtëve drejtues një aksion kaq të rëndësishëm? Informacione të ndryshme nga qeveria, flasin në fakt për shkarkimin e rreth 10 punonjësve tatimorë në muajin korrik, por asgjë nuk është bërë publike dhe zyrtare. Rrjedhimisht mbetemi në kuadrin e të vërtetave të dyshimta.

Deri ku shkon implikimi?
Çështja e dytë, e që pason nga kjo deklaratë e ministrit është ajo se deri ku shkon ky implikim, që nuk është sporadik, por sistemik? Logjika e do që, nëse një inspektor tatimesh mbulon, duke bërë bilancet, një biznes të vogël, apo të mesëm, për një biznes të madh, kushdo prej këtyre inspektorëve nuk e ka këtë fuqi. Ka spekullime të shumta, fjalë dhe informacione se për këtë kategori përfshirja shkon në nivele të larta të Drejtorisë së Tatimeve. Po kështu burime të ndryshme flasin për aktivitete të vërteta biznesi, të krijuara nga punonjës të lartë të tatimeve, apo edhe të ndonjë ministrie tjetër, që mbajnë bilancet e disa bizneseve VIP. Gjithçka është e pakonfirmuar, por nëse ministri e bëri fakt të njohur e të ditur këtë fenomen, atëherë çdo informacion fiton të drejtën për t’u marrë në konsideratë. Në këtë kuadër lind vetiu pyetja: a ka lidhje largimi i drejtorit të Hetimit Tatimor pak javë më parë me situata të ngjashme në DPT? Do të ishte e pafalshme nëse këto të dhëna që fliten sot nga ministri, kryeministri apo titullarë të tjerë, t’i kenë marrë vesh kaq vonë. Mbetet sidoqoftë një lajm “i mirë” që qeveria po mendon të godasë brenda dhe jashtë në luftën kundër evazionit dhe informalitetit, që përbën ndoshta sfidën më të madhe të qeverisë për pjesën e mbetur të mandatit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.