Arkiv-Lajme të përditësuara
Greqi, policia përplaset me protestuesit para parlamentit
Policia greke ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që u mblodhën sërish përballë Parlamentit, në ditën e dytë të manifestimeve të organizuara nëpërmjet internetit, pas vetëvrasjes së një pensionisti grek. Protestuesit hodhën gurë dhe shkopinj kundër forcave të rendit të cilat kishin formuar një kordon jashtë Parlamentit, ku rreth 900 njerëz demonstruan pasi farmacisti 77-vjeçar në pension qëlloi veten në kokë, duke thënë se problemet financiare e kishin shtyrë atë drejt këtij veprimi dramatik. Akti ekstrem ka nxitur protesta në mbarë vendin.
20 vjet nga lufta në Bosnje, koncert para 11 541 karrigeve bosh
Bosnje-Hercegovina përkujton sot 20-vjetorin e fillimit të luftës së viteve 1992-95, me tre komunitete që jetojnë në paqe edhe pse të ndara gjatë konfliktit, sinonim i tmerrit më të madh në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore.
Qyteti i Sarajevës do të organizojë sot, në kuadër të 20-vjetorit të fillimit të luftës në Bosnje-Hercegovinë, një koncert para 11 541 karrigeve bosh, që është numri i qytetarëve të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe, njoftuan organizatorët.
Mali, rebelët shpallin pavarësi
Rebelët që kontrollojnë veriun e Malit shpallën pavarësinë nga qeveria qëndrore, duke e pagëzuar shtetin e ri me emrin Azauad.
Lëvizja Kombëtare për Pavarësinë e Azauadit e bëri njoftimin nëpërmjet faqes së saj në internet, ndërsa theksoi se organizata do të respektojë kufijtë shtetërorë të shteteve të tjera, përfshi pjesës së mbetur së Malit dhe se do të aplikojë për të fituar antarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Pasuri botërore, Titanic do të mbrohet nga UNESCO
Mbetjet e anijes Titanic pritet të vendosen nën mbrojtjen e agjencisë kulturore të OKB-së, UNESCO. Agjencia tha se më shumë se 700 zhytës kanë vizituar rrënojat e anijes, në thellësinë 4 mijë metra në brigjet e Kanadasë, duke marrë herë pas here me vete, edhe sende prej saj.
Së shpejti do të bëhen 100 vjet që nga fundosja e anijes, ndaj ajo do të mbrohet me konventën e vitit 2001, në bazë të cilës mbrohen rrënojat që janë më të vjetra se 100 vjet.
Landi i Bavarisë: Ndaloni “Mein Kampf
-Landi i Bavarisë me anë të një përgjigje dërguar ekskluzivisht “Gazetës Shqiptare” në lidhje me botimin e librit “Lufta ime” të Adolf Hitler, shprehet kundra publikimit të këtij libri në Shqipëri dhe se janë vënë menjëherë në lëvizje për të kryer një hetim në lidhje me këtë incident. “Leja e Botimit për të gjithë veprën nuk jepet as brenda dhe as jashtë vendit. Kjo vlen edhe për rastin e një botimi të ri me komente. Ndaj shkeljeve të së Drejtës së Autorit dhe të Drejtës së Botimit, Landi i Bavarisë ushtron ndjekjen ligjore me të gjitha mjetet juridike që janë në dispozicion.
Kinë, hackerat sulmojnë 500 faqe interneti
Grupi i hackerave, 'Anonymous' thotë se ka sulmuar më shumë se 500 faqe interneti në Kinë. Mes tyre janë faqe të disa institucioneve qeveritare, kompani të tregtisë etj. Në mesazhin e vendosur në faqet e sulmuara thuhet se sulmi është bërë në shenjë proteste ndaj politikës së qeverisë kineze për të mbajtur nën kontroll popullin e saj.
Mesazhi po ashtu u bën thirrje kinezëve t'i bashkohen grupit e të dalin në protesta kundër regjimit.
Këshilli i Etikës jashtë loje
Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit ka ndërmarrë një sondazh në website-n e tij, duke ftuar përmes të gjitha formave, qytetarë të ndryshëm të shprehin mendimet e tyre, nëse pesë emisione të paracaktuara nga KKRT–ja, e shkelin ose jo etikën.
Duke dalë jashtë funksionit të saj, në mënyre duket të qëllimtë, KKRT-ja ka paragjykuar pesë emisione duke orientuar votuesit të zgjedhin njërin prej tyre.
Në sondazh janë përfshirë emisionet "Portokalli", "Big Brother", "Zonë e Lirë", "Aldo Morning Show" dhe "2XL".
Konflikti për pyjet në Panarit, banorët gjyq për grabitjen
Banorët e fshatit Panarit kanë denoncuar në Gjykatën e Faktit në Korçë atë që e cilësojnë vjedhje të pyjeve të tyre. Edhe pse 490 hektarë pyje që rrethojnë malet e Panaritit figurojnë në hipotekë si pronë shtetërore, me një gjyq që banorët e cilësojnë të fshehtë, ato po tentohen të privatizohen nga një ish-banor i kësaj zone.
Elbasan, mbetjet urbane, paralajmërohen vendorët
Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi ka mbledhur të gjithë krerët e Komunave të Qarkut, për të diskutuar mbi ndotjen e mjedisit.
Serbia, notë proteste për incientet në Kosovë
Qeveria e Serbisë ka dërguar një notë proteste tek bashkësia ndërkombëtare lidhur me incidentet e fundit në Kosovë.
Mediat kanë kthyer Prishtinën në qendër të vëmendjes pas sulmit ndaj delegacionit serb që ishte pjesë e bisedimeve dhe është raportuar edhe për incidente në Manastirin e Deçanit dhe në disa vende të tjera.
