Arkiv-Lajme të përditësuara
Gjermani, shenja pesimiste për ekonominë
Besimi i biznesit gjerman pësoi rënie për të katërtin muaj radhazi, duke prekur nivelin më të ulët në dy vite e gjysmë, raportoi të hënën sondazhi i një qendre të specializuar.
Indeksi i besimit ra në 102.3 pikë në muajin gusht, një pikë më pak se sa në korrik.
Këto të dhëna tregojnë se shtatë mijë firmat dhe kompanitë më të mëdha gjermane janë nervoze për situatën aktuale financiare dhe kanë dyshime mbi aftësinë e Berlinit për të shmangur në vend rrjedhojat negative të paqendrueshmërisë brenda Eurozonës.
Obama apo Romney? AP: Shtatë shtetet vendimtare
Në prag të konventave kombëtare të partive respektive, Barack Obama dhe Mitt Romney gjenden të mbërthyer në një garë të ngushtë, me vetëm 70 ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Do të duhen 270 vota të kolegjeve elektorale për të fituar Shtëpinë e Bardhë, e secili prej rivalëve, e sheh veten pikërisht aty ku e nisi në fillim të verës, të fokusuar në shtatë shtete që pritet të vendosin gjithçka.
Gjermani, dënohen deklaratat anti-greke
Qeveria gjermane e qendrës së djathtë kritikoi një politikan konservator për deklaratat e tij anti-greke.
Në një intervistë televizive, lideri i Unionit Kristian-Socialist në opozitë, Alexander Dobrindt, sugjeroi se Greqia duhet të lejohet të falimentojë dhe të përjashtohet si rrjedhojë nga Eurozona. Dobrint akuzoi gjithashtu guvernatorin e Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, si falsifikator.
Në një reagim, të hënën, ministri i Jashtëm, Guido Westerwelle, theksoi se “denigrimi i Greqisë” duhet të pushojë.
Shtetësia greke për të huajt, pr.ligji në shtator në Parlament
Në shtator parlamenti grek do të fillojë rishikimin e kuadrit ligjor të nënshtetësisë, duke ndryshuar procedurat për marrjen e nënshtetësisë greke, nga të huajt që jetojnë në vend. Ndryshimi i ligjit të PASOK, është deklaruar si një prioritet për qeverinë greke të Samaras, që kur partia e tij erdhi në pushtet.
Për emigrantët që jetojnë e punojnë në Greqi, ligji i ri shton vitet e banimit të ligjshëm në vend. Pra që një emigrant të ketë të drejtë të aplikojë për nënshtetësinë greke, duhet të ketë 10 vjet banim të ligjshëm në Greqi nga 7 vjet që është aktualisht.
Romney: Obama po përçan Amerikën
Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara Mitt Romney ka akuzuar rivalin e tij, presidentin Barack Obama se po zhvillon një fushatë zgjedhore mbi bazën e "zemërimit dhe përçarjes". Romney tha se fushata e demokratëve ka prekur një fund të ri duke u munduar ta lidhin atë me pikëpamje të diskutueshme mbi përdhunimin, pikëpamje këto të mbajtura së fundi nga një tjetër republican. Kampi i Obamës ka akuzuar Mitt Romney për qëndrime ekstreme sa i përket çështjeve sociale.
Stuhia ‘Isak’, 4 shtete në SHBA shpallin gjendjen e jashtëzakonshme
Katër shtete të Gjirit të Meksikës në Shtetet e Bashkuara kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme serisa stuhia tropikale “Isak” po vjen drejt tokës.
Guvernatorët e Luizianës, Misisipit dhe Alabamës kanë lëshuar deklaratat e tyre të dielën, derisa Florida, e cila shpalli gjendjen e jashtëzakonshme një ditë më parë, u përmbyt nga shirat dhe erërat e forta të shkaktuara nga stuhia.
“Isak” i është afruar Florida Keys. Stuhia pritet të forcojë në kategorinë dhe të godasë tokën e Floridës dhe Luizianës të martën ose të mërkurën.
"Thahet" Liqeni i Fierzës, rrezik shterimi i rezervave
Thatësira e tejzgjatur dhe temperaturat e larta kanë ndikuar dukshëm në reduktimin e prurjeve në lumenjtë e vendit e sidomos në kaskadën e Drinit.
Burime të hidrocentralit të Fierzës tregojnë se liqeni ndodhet në kuotën 278 m mbi nivelin e detit, ndërsa prurjet shënojnë nivel tepër të ulët edhe për stinën, me më pak se 50 m3 ujë në sekondë. Këto të dhëna tregojnë se situata hidrike në kaskadën e Drinit nuk është shumë pozitive, duke pasur parasysh se prurjet mesatare të Drinit janë nga 250 deri në 300 m3 për sekondë.
20-vjetori i Rostokut, marshim kundër racizmit
Gjermanët përkujtuan 20-vjetorin e demonstratave raciste, më të dhunshmet në vend të kohës së pas Luftës, në Rostok. Me qindra qytetarë janë mbledhur për të dënuar në mënyrë simbolike gjestin e asaj kohe, kur ekstremistët e krahut të djathtë u vunë flakën një strehe azilkërkuesish, të brohoritur nga turma simpatizantësh.
Ndërtesa ku strehoheshin 150 azilantë, shumica vietnamezë u dogj, por banorët e saj arritën të largoheshin në momentin e fundit, në një incident që tërhoqi vëmendjen dhe kritikat e mbarë botës dhe shokoi kombin gjerman edhe pa të, të traumatizuar nga paslufta.
Shkup, përkujtohet 102 vjetori i lindjes së Nënë Terezës
Në Maqedoni sot janë organizuar aktivitete me rastin e shënimit të 102-vjetorit të lindjes së humanistes dhe nobelistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza.
Në amfiteatrin e shtëpisë përkujtimore “Nëna Terezë” në mbrëmje do të shfaqet premiera e filmit “Duke jetuar me Nënë Terezën” nga regjisori japonez dhe presidenti i Akademisë Japoneze të Filmit, Shigeki Çiba. Filmi ishte xhiruar në vitin 2010 dhe ishte shfaqur nëpër qendrat botërore me rastin e 100 vjetorit të humanistes shqiptare, ndërsa sonte për herë të parë shfaqet si premierë në Shkup.
Thahet Ballkani, miliarda euro humbje në bujqësi
Thatësira ka përfshirë rajonin e Ballkanit e disa vende e gjejnë veten në telashe të mëdha financiare për shkak të shkatërrimit të prodhimit bujqësor. Me motin më të thatë të 60 viteve të fundit, Serbia llogarit 2 miliardë euro humbje, më të mëdhatë në Vojvodinë e ashtuquajtura Hambar i Serbisë. Autoritetet e Shoqatës së Agrikulturës në këtë vend, thonë se thatësira ka nisur prej qershorit, dhe ka dëmtuar shumë bujqësinë ku janë të angazhuar më shumë se 50 për qind e popullsisë së vendit.
