Qeveria ndërhyn pas 39 vjetësh në Fierzë. Gjen para në Gjermani

Postuar në 29 Mars, 2021 18:09

Më datën 16 mars 2021 qeveria shqiptare ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj që rregullon financimin e rehabilitimit të Hidrocentralit të Fierzës. Sipas këtij drafti, qeveria ka rënë dakord me qeverinë gjermane për financimin prej 42 milionë eurosh, nga të cilat 40 milionë euro kredi e butë nga KFË dhe 2 milionë euro për masat shoqëruse. Në vlerësimin që i bëhet projektaktit qeveria deklaron se ai i:

...mundëson Republikës së Shqipërisë marrjen e një huaje me kushte të favorshme (nga KFW-ja), për projektin “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës (DKTI)”, në vlerën 40 000 000 (dyzet milionë) euro, si dhe marrjen e një financimi prej 2 000 000 (dy milionë) eurosh për masat e nevojshme shoqëruese për zbatimin dhe mbikëqyrjen e projektit. Në pikëpamjen strategjike, projekti do të ndikojë për përmirësimin e sistemit elektroenergjetik, sepse hidrocentrali i Fierzës përbën njësinë gjeneruese më të rëndësishme të sistemit elektroenergjetik shqiptar, i cili prodhon 1328 GWh/vit dhe luan rolin e rregulllatorit 1-vjeçar të kaskadës së Drinit. Projekti do të ndikojë në rehabilitimin e agregateve të Hidrocentralit të Fierzës, të cilat janë instaluar 39 vjet më parë dhe janë në gjendje kritike, dhe kjo ndërhyrje është e domosdoshme dhe urgjente

Teknikisht marrëveshja thjesht i jep qeverisë shqiptare mundësinë që të marrë kredi nga KFW 40 milionë euro me kushtin që:

projekti vlen për t’u mbështetur në pikëpamje të politikave zhvillimore dhe nëse vazhdon të konfirmohet aftësia kredimarrëse e Republikës së Shqipërisë si dhe nëse Këshilli i Ministrave jep garanci shtetërore për sa kohë nuk është ai vetë marrësi i kredisë

Këto përcaktime vënë në dukje faktin se sektori energjetik në Shqipëri del me humbje, një paradoks ky shqiptar në një farë pikëpamjeje. Pasi energjia është mall që shitet me çmim të rregulluar dhe ndërkohë që qeveria e z. Rama shpall se ka bërë reformë të thellë në sektor, nuk ka ecur dot në drejtim të stabilitetit financiar të tij.

Zhurma me OSHEE-në në fakt lidhet me menaxhimin e shërbimit ndaj konsumatorit dhe në të vërtetë përherë janë injoruar kërkesat e KESH për çmimin e energjisë që ka mbetur peng i të ashtuquajturave politika sociale. Ka kuptim që HEC-e të reja të financohen me kredi, por rehabilitimi i Fierzës me para borxh tingëllon grotesk edhe pse punët e financave janë kaq misterioze në këtë vend.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.