Jemi më keq se më 1998

Postuar në 04 Mars, 2020 23:39
Skerdilajd Zaimi

 

Mediat në shërbim të Kryeministrit, përfshirë median shtetërore Agjencia Telegrafike Shqiptare, raportojnë se ambasadorja e ShBA në Tiranë, Yuri Kim i ka dhënë kurajo ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj që “të vazhdojë reformën në drejtësi në të njëjtin kurs”. Ky mesazh është përcjellë si një apel i koduar kundër lëvizjeve të Presidentit të Republikës. 

Kjo që ndodh na rikonfirmon se Shqipëria ka bërë hapa pas edhe në raport me vitin 1998. Në atë kohë politika negocioi krijimin e një komisioni për Kushtetutën, që ndonëse u ndërmjetësua nga faktori ndërkombëtar u trajtua dhe përpunua si draft me punën e të dyja krahëve edhe pse me refuzimin e PD-së. 

Aktualisht ne kemi një reformë në drejtësi e cila nuk është e shqiptarëve. Ajo është një paketë ndryshimesh ligjore dhe atentatit ndaj Kushtetutës që është vënë në tryezë nga amerikanët. Mbrohet prej tyre, u imponua votimi i saj po prej tyre nën alibinë e një interesi strategjik. 

Cili është ky interes? Le të pyesë kush të dojë zyrtarin më të parë apo më të lartë amerikan, por do të jetë shumë e vështirë që të marrë ndonjë shpjegim për të qenë se ku qëndron interesi amerikan në reformën në drejtësi, interes që të jetë pjesë edhe interesit tonë. 

Nuk ka situatë më absurde dhe groteste kur një qeveri mburret me 1 milionë shuplakat e votuesve, këta të fundit janë të ndërsyer ndaj Saliut, presin futjen në burg të Ilirit dhe kështu quajnë se demokracia triumfoi. Duke mos parë se ai që vjedh dhe po e çon këtë vend në greminë në thelb është kukull e një loje që në të vërtetë i ka dhënë fund çdo lloj pavarësie në këtë vend. Jo pavarësisë tradicionale, por asaj reale.

Një drejtësi e kontrolluar nga të huajt është në fakt dorëzimi i një instrumenti themelor për të shqyrtuar pasurinë e çdo shqiptari, disiplinuar lirinë ekonomike në këtë vend dhe në fund për të diktuar karrierat politike. Shkurt politika e z. Rama, e këtij lideri ballkanik, ka dorëzuar në emër të interesave apo pengjeve të veta një pushtet i cili është de facto transferim i drejtësisë në zyra konsullore. Më keq akoma, në duart e gurëve që qajnë me lekë për mëmëdhenë. 

Do të ishte me të vërtetë kurioz një anëtar i këtillë në BE, edhe pse në 150 vitet e fundit e kemi patur përherë cenin e të qenit ekzotik në atë që e quajmë kontinentin tonë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.