E mbështet apo jo Europa Minishengenin?

Postuar në 24 Dhjetor, 2019 14:21

Tashmë është e qartë se nisma e Minishengenti Ballkanik e ka ndarë politikisht botën shqiptare. Një tregues për këtë është edhe alibia e zakonshme e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që e shet këtë si një nismë që ka mbështetjen e SHBA dhe BE-së. Duke theksuar paraprakisht se një njeri i lirë, por edhe një shoqëri që është e lirë, ka të drejtën të mendojë dhe të mos bjerë dakord as me SHBA dhe as me BE-në, le të shohim sa e vërtetë është një gjë e tillë duke iu përmbajtur qëndrimeve publike.

Deklarata e z. Rama se projekti është në sintoni me politikën e të mëdhenjve u bë pas takimit të Tiranës, në datën 21 dhjetor, kur ai në një intervistë të improvizuar me gazetarët replikoi me politikën kosovare dhe mediat në Tiranë duke nxjerrë pikërisht këtë tezë. Pra përkundrejt spekullimit se Minishengeni është një projekt sllav, z. Rama nxjerr alibinë e Perëndimit.

Mirëpo këtu verifikohen disa inkorenenca jo të vogla. Vetëm dje, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciç ka deklaruar se Minishengeni ka armiq në Europë. Ose kundërshtarë.

Disave nuk u pëlqen që vendet e Ballkanit të zhvillojnë biznesin e tyre, ata ndjehen të shqetësuar kur nuk vendosin për ne, por ata nuk mund ta kundërshtojnë drejtpërdrejt, sepse nisma mbështetet në katër liri, domethënë vlerat që nënvizojnë Bashkimi Evropian, liria e lëvizjes për njerezit, kapitalin, shërbimet dhe mallrat.

Ne po krijojmë një hapësirë ekonomike në të cilën kompanitë tona mund të punojnë dhe në të cilën kamionët nuk do të presin në kufij. Kush dëshiron le të marrë pjesë, ne nuk po e detyrojmë njeri, por të gjithë do t’i bashkohen asaj për 10 vitet e ardhshme. Kjo ide do të mbetet në histori, si bërthama e diçkaje që ka krijuar ekonomi të forta. Të gjithë do të bashkohemi me Mini Shengenin me kalimin e kohës

tha ai në një televizon serb.

Pra në Europë nuk janë shumë entuziastë për këtë që po ndodh. Se kush janë këta kundërshtarë këtë nuk e thotë askush, por Vuçiç nuk ka sqaruar nëse Komisioni Europian e mbështet apo jo. Zoti Vuçiç madje nuk ka folur as për alokim fondesh nga BE-ja për këtë nisëm, ndërkohë që z. Rama gjatë samitit të Tiranës foli për 1.2 miliardë euro.

Cilin të besojmë? Për z. Rama ne kemi përvojën tonë që gënjeshtrën e ka të fundit në listën e cilësive që u bën embargo morale, ndërkohë që Vuçiç paraqitet me terma konkrete se cilat janë interesat serbe në këtë rast. Po të qëndrojmë te fondet ne mund të vëmë re se askush nuk flet më për Procesin e Berlinit, nga i cili u tha se do të rridhnin deri në 1 miliardë euro investime në Ballkanin Perëndimor. Është pak e vështirë të mendohet se BE-ja hedh 1 miliardë njëherë dhe 1.2 më vonë duke ja lënë menaxhimin përfituesve. Këtu ka të paktën diçka që nuk shkon në sensin praktik.

Por le të kthehemi pak në origjinën e nismës siç u njoftua ajo. Nisma u zyrtarizua më 10 tetor të këtij viti(2019) në Novi Sad të Serbisë. Në atë takim, z. Rama ndër të tjera citohet të jetë shprehur:

Ne nuk mund të jemi peng i të shkuarës dhe as i mosdakortësive të tashme, por duhet të bëjmë gjithçka që fëmijët tanë të kenë të drejtë të jetojnë në një Ballkan të paqtë, ku nuk jetojnë qytetarë të dorës së dytë dhe se vendet tona nuk janë territore eksperimentale. Kemi rënë dakord që të takohemi sërish në Ohër, ku nuk do të jemi vetëm ne të tre por do të ftohen të gjithë vendet e Ballkanit dhe nuk ka asnjë veto për asnjë vend.

Deri tani qytetarët e vendeve ballkanike iu është dashur të qëndrojnë 26 milion orë pritje në vit për të kaluar nga njëri kufi në tjetrin dhe se kostua e këtyre pengesave ka qënë 5 fish më e lartë. Historia nuk duhet të taksojë të ardhmen tone

Kjo deklaratë që ishte qartazi një kritikë kundër BE-së, u bë 18 ditë përpara sesa për Shqipërinë të jepej opinioni i Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit për të cilat z. Rama kishte informacion se do të ishin JO. Është premtuar se në muajin mars, apo më vonë do të ketë një Po, por këto lloj qëndrimesh nuk përbëjnë më garanci.

Është e udhës dhe e logjikshme që të mendohet se në momentin kur qeveria e z. Rama u la në baltë nga partnerët e vet në BE, ai të ketë kthyer timonin drejt një propozimi serb, që në fakt rimerrte një ide të brendashkruar në Procesin e Berlinit, por tanimë në format ballkanik dhe vendimmarrje autonome. Një formë e një politike alternative ndaj anëtarësimit. Ndaj përqendrimi i deklaratave është te qarkullimi i mallrave dhe njerëzve dhe jo te fondet. Për rrjedhojë çdo përpjekje për ta justifikuar nismën e Minishengenit me mbështetje të BE-së është në fakt politikë e brendshme e një kryeministri që thuajse të gjitha nismat e rëndësishme i ka paketuar me gënjeshtrën europiane.

Është mënyra sesi marketon ky njeri, sesi sillet, mungesa e transparencës që vret çdo mundësi besimi edhe për projekte që pavarësisht sesi janë e nga vijnë do të duhet të diskutoheshin për përmbajtjen. Ndaj sot, kur z. Rama dhe sejmenët e tij të palyrë në media bërtasin se janë në kraun e duhur, do të duhet të kuptojnë se edhe Vuçiçi po i nxjerr lakuriq në gënjeshtrën dhe sidomos kompleksin e tyre. Por do të duhet të kuptojnë se është Ai dhe janë Ata arsyeja e perceptimit publik në këtë formë. Mund të ketë shumë të interesuar për këtë lloj bashkëpunimi, por në botën shqiptare pakkush është i interesuar që edhe procese të tilla shumë të rëndësishme t’i duartrokasë si medalje të shtuara për vizionarin e vetëm në rajon. Sepse largimi i Rilindjes është bërë emergjencë kombëtare.

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.