Talenti për të dështuar

Postuar në 25 Nëntor, 2018 11:44
Skerdilajd Zaimi

Zgjedhjet lokale të vitit 2019 po afrohen shpejt dhe mesa duket opozita kryesore në vend është kapur e papërgatitur. Paaftësia e z. Lulzim Basha është tanimë stampa zyrtare e opozitarizmit në Shqipëri që e kompromenton të ardhmen e vet jo vetëm me këtë, por edhe me pasigurinë që jep një karakter si ai. 

Një pjesë e madhe njerëzish e dinë tashmë se çfarë është qeverisja e Edi Ramës dhe se çfarë mund të prodhojë një fitore tjetër elektorale e tij. Mund të imagjinohet komoditeti i kryeministrit që i vendos kandidatët si birila dhe mbyll pazaret me një tundje koke. E megjithatë, e mira e këtij sistemi është se asnjë pushtet nuk kontrollon dot të ardhmen, sepse duhet të falet tek e panjohura e votës. Në Shqipëri, Lulzim Basha ia doli që ta eliminojë edhe këtë pasiguri strategjike të pushtetit. Ai mund të thotë çdo gjë sot, mundet edhe të shfaqet racional duke na kujtuar se “ne votojmë dhe protestojmë për veten”, por një protestë pa alternativë priret të prishë më shumë sesa të rregullojë. Përndryshe nuk do të ishim dëshmitarë të paradoksit të madh kur protestat dhe pakënaqësa sa vijnë dhe shtohen, ndërkohë që opozita dhe sidomos kryetari i saj mbeten subjekte dhe personazhe periferikë të zgjidhjes. 

A është kjo dobësi arsyeja pse ish-kryeministri i vendit kërkon përmbysje me dhunë të Edi Ramës dhe pastaj kalimin në zgjedhje? Ndoshta, por Sali Berisha është duke na ofruar një dhuratë të papranueshme: pasi imponoi vendosjen e Lulzim Bashës në krye të PD-së, pasi e mbrojti në dy humbjet poshtëruese elektorale, sot, z. Berisha po punon për dhuratën e fundit: ta bëjë Lulzim Bashën kryeministër me çdo çmim. Po z. Basha vetë çfarë do bëjë? Çfarë di dhe ka ambicie? A mund ta përballojë Shqipëria një model kukullash politike që shërbejnë vetëm përtë vijuar me eksperimentin e demokracisë së emërimeve? 

Të shtrosh këto pyetje nuk është diversion ndaj përpjekjeve opozitare, pasi të tilla nuk duket se ka. Po flasim për nisma serioze, për qasje reale ndaj problemeve, për këmbëngulje në kauzat që ngrihen. PD-ja dhe z. Basha janë një hap mbrapa medias, qytetarëve dhe së fundmim edhe ndonjë ambasade. Ku është pozicioni i kësaj opozite? 

Z. Basha po kthehet në një problem shumë serioz për Shqipërinë edhe për një arsye tjetër: ai nuk do, nuk di, ose ka frikë të shkëpusë veten nga telenovela e kunatit. Që e vendos atë si njeri me lidhje interesi të dukshme dhe të padukshme me lejet e ndërtimit që shpërndan Edi Rama, me biznese në arsim që shkojnë miliona euro, apo me kompani që e financojnë, siç janë edhe ato të trija që sot i sulmon pse po ndërtojnë tek Unaza e Madhe. 

Nuk po kërkohet që opozita të mos ketë interesa, që në radhët e saj të mos ketë njerëz të biznesit. Aspak. Por një opozitë që flirton kështu, e dënon me vdekje aktivitetin e saj politik, e bën të pabesueshme Fjalën e saj, e vret aksionin dhe e zhvlerëson programin. Kjo po ndodh me PD-në dhe z. Basha. I paaftë që të rithemelojë opozitën dhe opoziarizmin përtej kuptimit të masave dramatike dhe me pasoja që mori për spastrimet në parti. I paaftë dhe mesa duket ashiqare i padëshiruar që të veshë kostumin e dikujt që mund të sjellë ndryshimin, për ç’shkak njëherë e shohim duke mallkuar Edi Ramën për të bërë mandej marrëveshje me të, për të kërcënuar LSI-në sh.p.k dhe për të vendosur bashkëpunim strategjik me të. Kush nuk do qeveriste rehat me këtë tralala që qëndron i ftohtë përkundrejt çdo gabimi, rrënimi, shkatërrimi dhe dështimi? 

Z. Basha ka zënë një karrige më të madhe se bytha e tij, nëse mund të flasim në këtë mënyrë. Nuk ka asgjë të keqe pse iu dha shansi ta provonte që të paktën ta ngrohte. Por sot ai është një drejtues me bilanc katastrofik. Është shumë që për të të harxhohet energji që t’i dhurohet edhe karrigia e Kryeministrit sipas parimit: “Ti vetëm prit se do të të vijë radha”. 

Në këtë aspekt z. Berisha ka përgjegjësi shumë të madhe dhe ai ka detyrimin të ndërhyjë për të stabilizuar një situatë që beniamini i tij nuk e menaxhon dot. Në PD po zhvillohen zgjedhje dhe serioziteti në to, do të ishte një sinjal. PD-ja duhet të tregojë një model ndryshe për diçka, pasi Basha si kryetar është ndryshe vetëm në një aspekt: në talentin për të dështuar. Dhe dështim është edhe sikur ai të marrë një fitore tavoline në dy nga bashkitë e mëdha të vendit, siç po përflitet prej kohësh. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.