Shqipja fiton terren në Maqedoni, miratohet ligji i gjuhëve

Postuar në 11 Janar, 2018 17:17

69 deputetë të parlamentit të Maqedonisë votuan pro ligjit  për përdorimin e gjuhëve, i cili i jep gjuhës shqipe një shtrirje të gjerë edhe në institucionet e larta shtetërore ku nuk përdorej deri më tani. Shumica e nevojshme u arrit nga mbështetja e  deputetëve të partive shqiptare jashta koalicionit qeveritar, ndërsa opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE nuk mori pjesë në seancë.

Ligji thekson se “gjuhë zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik”. Në nenin e dytë thuhet: “Krahas maqedonishtes, gjuhë tjetër zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20 përqind e popullatës dhe alfabeti i saj”.

Sidoqoftë, gjuha shqipe me ligjin e ri pritet të ketë avancim në përdorimin e saj në organet më të larta shtetërore, gjyqësore, në institucionet publike dhe ato lokale. Ligji do t’i mundësojë mes tjerash, kryetarit të parlamentit, duke qenë shqiptar që seancat të mund t’i drejtojë në gjuhën e tij amtare. Edhe ministrat shqiptarë në seancat e qeverisë të flasin shqip, po ashtu.

Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve nga shumica parlamentare, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerësohet si përmbyllje e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur në gusht të vitit 2001. Marrëveshja e Ohrit që rezultoi pas një konflikti të armatosur midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare maqedonase në vitin 2001, përfshinte një sërë ligjesh që ngritnin pozitën e shqiptarëve në vend, por gjuha shqipe pati mbetur gjatë kohë me një status të cunguar, duke nxitur pakënaqësi të shumta tek popullata shqiptare në Maqedoni.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.