Një fshesë për pluhurat

Postuar në 21 Nëntor, 2017 17:30

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot nismën më të re, apo aksionin më të ri të qeverisë: Pastrimin e territorit. Problemet fillojnë që me emrin e nismës: Pastrojmë Shqipërinë që Duam. “Shqipëria që Duam” është ajo e së ardhmes ku do ta çojë Rilindja, është Shqipëria që rilind nesër  përmes korriigjimit dhe ndryshimit, ndaj edhe ndoshta devizës i mungon një “Për”, që mesa duket nuk e ka zënë vendi.

Së dyti ngjan e pazakontë që një kryeministër të angazhohet personalisht në aksione të kësaj natyre, ndërkohë që partia e tij kontrollon shumicën e pushtetit vendor dhe ndërkohë që reforma territoriale presupozohet se do të rregullonte me ligj përgjegjësitë në këtë drejtim.

“Shqipërinë do ta bëjmë një vend që të rrezatojë pastërti, me hir dhe me pahir. Me hir së bashku me të gjithë ata që Shqipërinë e duan të pastër jo vetëm me llafe, por janë gati të kontribuojnë për të dhe me pahir ndaj çdokujt që Shqipërinë e do të pastër, vetëm kur bën ato komentet në Facebook dhe është gati sapo mbyll iPhone të hedhë bananen që është duke ngrënë ndërkohë bën komente”, tha kryeministri.

Ai ka deklaruar se në aksion do të angazhohet edhe policia, e cila pas ushtrisë bëhet forca e dytë e armatosur që hidhet në veprim për detyra civile të kësaj natyre. Kryeministri e ka shpallur pra pastrimit prioritet për të paraprirë një sezon turistik që nuk duhet të gjejë më një Shqipëri llozhrash dhe ujërash të zeza dhe këtu nuk ka asgjë të keqe.

Por ky aksion tërheq vëmendjen nga probleme serioze mjedisore që lindin si pasojë e atyre që quhen politika zhvillimi. Jemi dëshmitarë sesi qytetarë të ndryshëm kanë protestuar për ndërtimin e HEC-eve në Valbonë, në Vjosë dhe askush nuk i ka dëgjuar. Për Vjosën madje ka një sensibilitet ndërkombëtar dhe sërish qeveria nuk ka ndërmend të tërhiqet.

Është po kjo qeveri që ka lejuar ndërtimin e incineratorëve për mbetjet, ndërkohë që premtoi tjetër gjë. Dhe është kjo qeveria që e ka synim të vetin importin e tyre.

Do të duhet të pritet nisja e punës, por një operacion i kësaj shkalle që nuk konsideron hetimin për veprimtari siç është administrimi i mbetejeve spitalore, sa për të përmendur një shembull, do të jetë vetëm një ndërhyrje estetike në vijnë bregdetare sa për të mos vuajtur atë serial ngjarjesh stresuese që u pa verën që lamë pas.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.