Mandat i ri, zanat i ri/Të korruptuarve u rekomandohet dorëheqja

Postuar në 09 Tetor, 2017 14:04

Kryeministri Edi Rama po i jep një kuptim devizës së “timonierit” që hodhi në fushatë elektorale. Ky kuptim shkon kaq qeverisja personale e urdhërave dhe direktivave, duke u vënë në rezonancë me perceptimin e përgjithshëm se përgjegjësitë janë kolektive.

Pas hipotekave dhe spitaleve rajonale, drejtuesit e të cilëve u shkarkuan me rekomandimin e dorëheqjes, pas akuzave gjithfarëshe për korrupsion, radha u ka ardhur drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit.

“Kështu që ata që duhet të largohen, besoj e kuptojnë vetë. Agjensia Kombëtare e Ushqimit është një institucion që ve gjoba, që i nxin jetën sipërmarrjes, që terrorizon dhe që në fund fare nuk përmbush misionin e vet”, tha Rama sot në një takim me punonjës të kësaj agjencie. Mediat kanë kapur tek kjo sjellje një akt spastrimi nga të emëruarit e PDIU-së që kontrollonte këtë institucion. Por problemet e ngritura nga z. Rama qëndrojnë dhe janë shumë evidente. Po kështu, siguria ushqimore është përfshirë si prioritet në programin e këtij mandati qeverisës dhe kryeministri ka çdo të drejtë të vihet në lëvizje.

Çështja këtu është për rrugën e zgjedhur dhe njollosjen e “reformimit” me spektaklin e ndëshkimit nga Lart të korrupsionit, duke aplikuar parimin e përgjegjësisë kolektive. Puna në sektorë të ndryshëm ka përgjegjësi të mirëcaktuara. Nëse një drejtues nuk ka përmbushur detyrimet, ndëshkimi ndaj tij është I përshkallëzuar dhe kjo rregullohet me ligj apo me kontratë.

Edhe në një panoramë kaq të zymtë si kjo e Shqipërisë, nuk mund të lejohet që kreu I qeverisë, nga njëra anë të konstatojë dhe pohojë se institucioni është gjobvënës dhe I korruptuar dhe nga ana tjetër të kërkohet largimi.

Shumëkush mund të mos e ndjejë veten të korruptuar, as të aftë të vendosë gjoba. Ndaj përgjegjësia do kërkuar rast pas rasti dhe në vijim. Kërkohen mekanizma kontrolli, zbatim ligjesh dhe disiplinë, pasi ndryshimi I disave me të tjerë nuk zgjidh gjë. Fjala e një kryeministri nuk është garanci se drejtorët e rinj nuk do vazhdojnë me gjoba.

Së dyti, edhe në këtë rast, kreu I qeverisë po amniston të korruptuarit që i shpall vetë duke u kërkuar dorëheqjen. Dorëheqja është penalitet minimal në këtë rast. Ajo nuk lë gjurmë në dosjen e nëpunësit drejtues, siç është ndjekja penale, apo shkarkimi. Për këto arsye është e vështirë të ndash në këto qëndrime publike nëse kemi të bëjmë me një strategji të z. Rama për të larë duart pa dënuar njeri dhe për të hapur ca vende pune, apo me një aktrim në inat e sipër. E sigurtë është se kjo është mënyra më e keqe për të vënë gjërat në vend.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.