Kjo është politika: tani, i preferuar nga Europa?!

Postuar në 22 Gusht, 2015 14:12

Kjo është politika, të kthesh çdo shans kundër, në mundësi. Dhe lojtari i fundit i kësaj loje të vështirë është Alexis Tsipras. Hyri në skenë si radikal i majtë, që flet për popullin, që kundërshton shitjen e konservatorëve te kapitali perëndimor, akuzon dhe paralajmëron drejtësi ne emër të popullit. Provon se mund të marrë vendime në kufijtë e aventurizmit, por në fund, rezulton se është shumë racional. Para pak ditësh doli lajmi se kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh se “Tsipras ka ndryshuar”, kur vetëm përpara referendumit flitej për një njeri të paqëndrueshëm dhe që loz gjithçka. Takimi i fundit i Tsiprasit me partnerët europianë, aty ku ai çedoi dhe provokoi mandej çarjen e partisë, thjesht sa i dha mundësi atij që t’u vërë në dukje partnerëve se ai mund të jetë ndryshe. Aq sa tani në skenën politike greke ka mbetur vetëm dhe pa një kundërshtar të vërtetë të perceptueshëm. Dhe më interesantja: ai është edhe i preferuari i europianëve. “Unë mendoj se qëllimi i kryeministriy Tsipras është të krijojë një qeveri më stabël”, shprehet presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, që është edhe ministri i Financave i Holandës. “Protothema” këtë qëndrim të tijin e sheh si shprehje të miratimit për të si politikan e kryeministër. Një marrëveshje është arritur dhe ajo që kërkon Europa është zbatimi i saj, mbajtja e krizës nën kontroll. Me nxjerrjen e ish-ministrit Yannis Varoufakis nga “dritarja” Tsipras duket se ka luajtur kartën e tij me Eurogrupin dhe Gjermaninë, u ka shkelur syrin, për të thënë se në Athinë do të merreni vesh me mua. 14 koncesionet e aeroporteve për Gjermaninë, kur vetëm pak muaj më parë i kishte kundërshtuar janë një shenjë e mirë. Paradoksalisht, Tsipras hyri në skenë në emër të aspiratave të majta radikale, por me firmën e vet dhe aftësinë për kompromis e çau më tej këtë të majtë, që sheh tek marrëveshjet e tij, dorëzimin pa kushte. Publikimi nga Varoufakis, i planeve konkrete të qeverisë greke gjatë mujave të vështirë të negociimit me Eurgrupin, thjesht sa bindin se Tsipras ka qenë një hap para nga kolegët, përherë me një plan në kokë për t’u marrë vesh me më të mëdhenjtë. Dhe deri më tani ia doli jo keq. Deklarata e Dijsselbloem dhe e Merkel nga ana tjetër i japin atij peshë të re. E bëjnë si të thuash lideri kryesor të së majtës në Ballkan, që në mos i ka dhënë shpresë vendit të vet, po u jep shumëçka atyre vetë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.