Në Tiranë ka mbetur vetëm ministri i Financave..!

Postuar në 08 Gusht, 2015 20:58

Tregues domethënës, që Vipat e Shqipërisë i kalojnë pushimet brenda vendit, duke i shpenzuar paratë në atdhe dhe duke dhënë kështu një kontribut për të ardhurat që me zor po kapin një objektiv të pranueshëm. Kjo nuk vlen në rastet kur udhëheqja politike pushon në vilat qeveritare të sistemuara enkas për drejtuesit më të lartë të shtetit, gjithmonë me aprovimin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe kuotën e përcaktuar për dieta dhe ushqime, pavarësisht nëse je vegjetarian, mishëngrënës apo hamës ëmbëlsirash.

Qëndrimi në plazhet e jugut mund të ketë edhe një arsye tjetër që lidhet me faktin se jashtë Shqipërisë paria politike dhe ajo e shoubizit nuk tërheq vëmendjen që ka brenda vendit. Gjithsesi kur qeveria thotë ka nisur pushimet dhe kur këtë e zbaton i pari i qeverisë të tjerët nuk kanë si të mos “marrin vallen”, përveç dy ministrave që u qëlloi ters kjo verë. Edmond Panaritit që i ngordhën midhjet në Butrint nga një fatkeqësi natyrore dhe Shkëlqim Canit që i rrodhën informacionet sekret ose i dërgoi vetë në media për të parapërgatitur opinionin publik për kamzhikun e taksave që vjen në shtator bashkë me aksionin e Bashkisë për luftën kundër zhulit.  Mbase ministri gjykoi që vapa dhe fokusimi në plazh do e bënte më të lehtë mandatën e taksës për të varfrit, por duket se i plasi në derë dhe kjo u reflektua në nervozizmin e nëpunësit që ishte lënë në Tiranë për t’u marrë me këto punë, zëdhënësit Bardh Sejdarasi.

I vetmi që nuk e vret mëndjen është kryeministri i vendit. Sportiv dhe jashtë protokollit nuk refuzon asnjë fotografi medashje apo pa dashje nga lëvizjet që bën sa në Kavajë, sa në Qeparo dhe Dhërmi ku donte të shkonte dhe presidenti Nishani. Nuk është se kryeministri nuk shqetësohet apo nuk ka një përgjigje për të gjitha këto që po ndodhin, por është në strategjinë e tij që për çështje të rëndësishme të paralajmërojë se kur do flasë ai në mënyrë që të përgatitet dhe opinioni publik.Ndodhi kështu në rastin e armëve kimike kur nga gjithë zallamahia pritej kur do fliste kryeministri dhe ai e lajmëroi datën dhe orën kur do dilte para popullit. Edhe këtë radhë nuk kemi pse të shqetësohemi, duhet të presim postimin në facebook për orën dhe vendin kur do flasë kryeministri në përputhje edhe me seriozitetin që I takon kësaj çështje.

l.mitro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.