Dekretet? Akte të vlefshme, por si letra bakalli

Postuar në 09 Shtator, 2019 20:37

Politika shqiptare ka ofruar sot një ndër shfaqjet më bajate që sugjerojnë se pazari i radhës tashmë ashtë arritur dhe po kërkohen rrugët proceduriale për të bonifikuar fekalet e prodhuara në shkallë industriale këto muaj. Në paraqitjen e tij para Komisionit Hetimor që shqyrton argumentet për shkarkimin e tij, presidenti i Republikës u pyet nga deputeti Bashkim Fino: 

Çfarë do të bëni me 13 tetorin? 

Fjala është dekretin e caktimit të datës së zgjedhjeve lokale pas dekretimit për anullimin e 30 qershorit që ishte dekretuar më herët. Pyetja në vetvete është një truk dylekësh i një ish-kryeministri që luan rolin e shejtan budallait, kur e kërkon zgjidhjen e ngërçit kushtetues me dekretin e zgjedhjeve po nga presidenti. 

Kjo është një lojë banale që u shet qytetarëve një teatër që na thotë se legjitimiteti i zgjedhjeve lokale duhet zgjidhur nga Presidenti që prodhoi krizën kushtetuese, e cila nga shumica u tentua të injorohej. Sot e njëjta shumicë po na thotë që aktet e presidentit nuk janë nul nga pikëpamja administrative dhe juridike, ndaj presidenti rifaktorizohet duke i kërkuar një zgjidhje. 

Nga ana tjetër vetë Presidenca është dëshmuar thuajse një institucion karagjoz kur përmes një të ashtuquajturi shpjegim ka sqaruar opinionin se përse presidenti nuk ju përgjigj kësaj pyetjeje para komisionit: 

 Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, qëllimisht e shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë ndaj pyetjes së deputetit në fjalë, për të mos e dëmtuar atmosferën konstruktive të mbledhjes ku ishte i ftuar.
Kjo për arsyen se të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, përfshirë edhe ata që ankohen sot për dekretin e shfuqizuar të 30 qershorit, janë minimalisht në konflikt të dyfishtë dhe të drejtpërdrejtë interesi.
Së pari, sepse çdo deputet i Kuvendit e ka fituar mandatin e tij nga një proces zgjedhor i shtyrë, nga data 18 qershor 2017 në 25 qershor 2017, me Dekretin Nr. 10351, datë 21.05.2017, të ish-Presidentit Nishani.
Së dyti, deputetët e pranishëm sot në seancën dëgjimore, janë njëherazi edhe votues të rezolutës së Kuvendit të datës 13 qershor ku është shprehur gjykimi mbi aktet e Kreut të Shtetit, edhe anëtarë të komisionit të posaçëm, papajtueshmëri kjo që është e ndaluar nga rregullorja e Kuvendit dhe ligji.
Së treti, vetë deputeti që adresoi pyetjen, është në një situatë të katërfishtë të konfliktit të interesit:
1.    Ka marrë mandatin nga zgjedhje të shtyra me dekret të Presidentit.
2.    Ka votuar pro miratimit të rezolutës së datës 13 qershor 2019.
3.    Ka nënshkruar kërkesën fillestare për verifikimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit.
4.    Aktualisht është edhe kërkues, edhe vlerësues i kërkesës që po vetë ka firmosur, për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit.

Përtej kësaj tirade moralizuese pyetja mbetet: Çdo bëhet me 13 tetorin? Apo Shqipëri hesapi, njësoj si me komisionin hetimor për 21 janarin që u shty deri në fund të legjislaturës.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Te gjitha do te shtyhen sa te mbarojne vilat se ndertuari te gjithe keta! Qe mileti dhe opinioni te flere gjume se, vertet ata po grinden, po grinden per parime!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.