Disa herë më vrasës se Sali Berisha...

Postuar në 02 Shkurt, 2019 13:38
Skerdilajd Zaimi

Ka mbetur e vetmja kartë që presupozon se bën dallimin. Socialistët dhe çiarkët e tyre ekselentë në media kanë bërë zakon të thonë se: Edi Rama nuk të vret. Analistë që nxjerrin nga xhepi i argumenteve të tyre këtë cilësi të pashoqe të kryeministrit aktual, e cila na tundet para syve si amnistia e fundme. Si një nder që zoti Rama na e bën të gjithëve e që duhet t’i jemi mirënjohës. Duket se këtë kartë të humanizmit të së majtës e ka autorizuar vetë kryeministri. Në një takim me studentë sot, ai citohet të jetë shprehur ndër të tjera se:

E keni më të lehtë të protestoni ndaj meje, sepse ndaj cave Mark Mark aty që kanë hallet e tyre. Unë nuk shkoj dot të hap derën e universitetit atje. Më vjen shumë mirë që e keni marrë vesh që unë nuk të vras, unë maksimumi, ju coj ndonjë shigjetë me fjalë, të dëgjoj dhe këtu ke të drejtë, më pëlqen, s’më pëlqen, më vure në pozitë apo jo, unë jam këtu të të shërbej

E gjitha në fakt është mjerimi i një qeverisjeje dhe shembja e një të ashtuquajturi program për ndryshimin e Shqipërisë. Është mjerim sepse në turravrapin e megavjedhjeve që i janë bërë vendit në pesë vitet e fundit, në kanabizimin e tij dhe në dërrmimin e çdo shprese, ka mbetur vetëm ky dallim me qeverinë paraardhëse dhe ish-drejtuesin e saj, Sali Berisha: Ne, pra të majtët, nuk të vrasim.

Edi Rama nuk vret, kurse Berisha të vriste. Ja mbrojtja e pakalueshme.

Por e vërteta merr shumë pamje në gojët e të shumtëve që e përflasin. Sepse Edi Rama nëse nuk vrau më 21 janar, ai i çoi njerëzit drejt një kryeministri që me metrin e tij dhe me vlerësimet publike që i bënte, ishte një vrasës i certifikuar. Ndaj ne mund të themi sot se Edi Rama shpresonte te viktimat e asaj dite për të aktualizuar kauzën e të mirit kundër të keqit, për ta derdhur gotën e pakënaqësisë që në fund fare u provua në zgjedhjet e vitit 2013.

Zoti Rama është vrasës më i madh se Sali Berisha, sepse ai ka vrarë shpresën e një vendi të tërë. Sepse depresionin personal e ka imponuar si klimë të përgjithshme, kotësitë e veta performative i ka kthyer në mjet manipulimi dhe gënjeshtrën strehën e vetme të cilës i beson.

Zoti Rama është disa herë më vrasës sesa Berisha për shkak se ndaj tij u investua besimi i shumë njerëzve, i cili u zhbë, teksa edhe për viktimat e 21 janarit, zoti Rama, as bëri drejtësi siç premtoi vetë, as rihapi hetime, por thjesht shpalli dëshmorë dhe shpërndau ca lekë.

Zoti Rama është vrasës sepse është dështak par excellence, frikacaku perfekt në krye të një vendi që kërkon kurajo për ta drejtuar.

Zoti Rama nuk e preku sistemin 25 vjeçar që po varros të gjithë vendin në mashtrimin dhe vjedhjen e pambarimtë. Përkundrazi, ai u kthye në simbol të tij me mënyrën sesi shpërndan paranë publike, sesi krijon pasigurinë juridike për të gjithë qytetarët, sesi nuk pranon t’i kërkojnë llogari, sesi shpik bashkëqeverisjen si formë revolucionare të sjelluri që i përcakton institucionet si konservantë të korrupsionit dhe paaftësisë. Duke dëmtuar kështu një relacion që është organik për demokracinë, pasi zoti Rama është armik i procedurës, përbuzës i saj.

Besoni tek unë, na thotë kryeministri që së fundmi ka nisur të bredhë nëpër Shqipëri, nëpër baraka dhe shtëpi të mjerësh të cilëve u premton shtëpinë e re. Besoni tek unë, sepse shteti jam unë!

Zoti Rama e vrau edhe atë që duhej të mos prekej: Sistemin e Drejtësisë. Si një njeri me malinjitet të pakufi për shkak të frikës që e përcakton ekzistencën e tij, politike dhe biologjike, ai autorizoi një reformë të paprecedentë e cila formalisht e ktheu Kushtetutën në një udhëzim, teksa në substancë zhbëri një investim disa vjeçar. Aty ku duhej korrigjimi dhe operacioni i thellë, zoti Rama imponoi kaosin e vet mendor e psikologjik si kriter ristrukturimi duke pështjelluar të gjithë raportet dhe duke e lënë vendin de facto pa gjykata.

Përputhja e realitetit politik me realitetin juridik, është një ndër kriteret për të matur sesi funksionojnë institucionet, apo sesa në të vërtetë, ajo që thuhet në ligj zbatohet në praktikë.

Në Shqipërinë e z. Rama ndodh diçka e rrallë: realiteti politik që derivon nga dinamikat neurotike të një njeriu, imponon rregulla të reja që zhbëhen dhe ndryshojnë, interpretohen dhe riinterpretohen në përditmëri, me akte, udhëzime, vendime, projektligje, propozime dhe anullime. Në Shqipërinë e z. Rama qeveris adrenalina, hormoni që luhatet për arsye që nuk kanë të bëjnë me kontratën sociale që presupozohet se është nënshkruar.

Kjo është një Shqipëri personale, e një njeriu të vetëm që sillet me sindromën e tij. Kjo nuk është Shqipëria jonë. Kjo nuk ka sesi të jetë Shqipëria jonë, e cila shkon përtej trilleve të një dështaku permanent dhe të gjithanshëm. Ne nuk kemi kontratë me një njeri që mandej të duam shtëpinë tonë. Jo. Ky njeri ka një kontratë me ata që e kanë votuar dhe ka detyrimin të përfaqësojë gjithkënd deri sa t’i vijë letra e zëvendësimit.

Ndaj Sali Berishës duhej të mobilizoheshe dhe ai e polarizonte shoqërinë me aktet e tij. Kjo ka anën e vet pozitive sepse ushqen idenë e një objektivi që duhet arritur. Zoti Rama ka shpallur luftën e fjalëve - jo të Fjalës - të memeve, daljeve televizive, zhurmës së përnatshme, sorollatjeve pa kuptim, duke eliminuar çdo kufi etik dhe normë morale. Ndaj edhe ai nuk ka për t'u perceptuar si Berisha, nuk ka për të patur luftën e tij. Ai kthen faqen tjetër jo si kristian, por si profesionist i interesit të vet ndaj edhe shqiptarët kanë harruar ta marrin seriozisht zullumin e tij dhe të dorës që i ngjit kaq shumë.

Zotëria ka vendosur që ta mbyllë detyrën duke shtuar dozën e gënjeshtrave. Duke e përjetuar Shqipërinë neurotike që provokon përditë, më tepër sesa të kontribuojë në krijimin e një Shqipërie normale. Sepse është në situatë të pashpresë. Nuk mund të shërohet nga sëmundja e tij e parë dhe e fundit: të qenit në krye të lajmeve. Çfarëdo të shkruhet e thuhet për këtë njeri nuk ka vlerën e ballafaqimit me arsyen, apo me faktet, por kapitalizohet prej tij si mundësi për një lajm më shumë. Zoti Rama është fatkeq, sepse i duhet të shpikë e rishpikë veten, ta vizatojë dhe rivizatojë portretin e tij publik për të mbetur në krye të titujve. Në qendër të diskutimit. Ndaj edhe ai nuk ka ndërmend të vrasë në atë kuptim siç akuzon Sali Berishën. Ai ka pervertuar politikën në mënyrë sjelljeje dhe jo marrje përgjegjësish. Për këtë arsye nuk do të ndalet në shkallën e budallallëkut dhe vanitetit, që nisën me atletet në samite e vazhdojnë me fotomontazhe në Instagram.

Është fatkeq sepse dikur, kur të ketë ikur dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt, ai nuk do të jetë më pjesë e lajmit, e medias të cilën e dashuron kaq shumë, e ka frikë dhe e cila është viza e bardhë të cilën ai e heq pa u lodhur. Përditë, për çdo orë. Dikur do të heshtin për të dhe emrin e tij. Dhe zoti Rama me siguri që do të plaket shumë. Me shpejtësi të madhe. Dita do t’i duket më e gjatë se kurrë. Sepse në fakt ai nuk ka asnjë vlerë, asnjë kuptim, asnjë rëndësi, jashtë Kazanit. Ndaj edhe ai nuk pushon së vrari çdo logjikë, çdo normë dhe metër normal në këtë vend, sepse do ta optimizojë kohën e të gjithëve rreth Vetes.

Comments

Submitted by bimmi (not verified) on

Zoti Zaimi, ju i thoni "vrases" Kryeministrit Rama ne menyre figurative.
Degjojeni me vemendje zotin Rama, Rucin, Gjinushin, Ngjelen, se c'kane thene para protestes se 21 janarit 2011, ne videon qe eshte percjelle sot, pikerisht ketu ne Respublica. Keta zoterinj , jo vetem qe ishin pergatitur per gjakderdhje masive, por i kishin marre masat qe te ndodhte ajo. Keta zemerzinj e kishin planifikuar ate.
"Grupi me axhende tjeter", sic e quajti ambasadori amerikan ate pjese te protestuesve qe ishin instruktuar dhe paguar per te derdhur gjak, eshte prova qe Edi Rama eshte vrases, jo ne kuptimin figurativ qe flisni ju, i nderuar zoti Zaimi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.