Torturat në burgun e Abu Ghraibit, një padi e re shkon në gjykatë

Postuar në 13 Prill, 2024 13:00

Tre prej ish-të burgosurve në burgun e Abu Ghraibit në Irakut do të kenë mundësi të çojnë pretendimet e tyre në gjykatë, për herë të parë pas 20 vjetësh. Në padinë civile kundër kontraktorit ushtarak amerikan, CACI International, ata e fajësojnë se ka krijuar kushtet për tortura duke drejtuar ose inkurajuar abuzimet nga rojet ushtarake, të paktën pjesërisht për t’i "zbutur" të burgosurit para marrjes në pyetje. Paditësit janë civilë irakianë, të cilët janë mbajtur në Abu Ghraib për disa kohë, për t’u liruar më pas pa akuza.

CACI, hetuesit e të cilës kanë marrë në pyetje të burgosurit në Abu Ghraib, ka këmbëngulur se punonjësit e saj nuk janë akuzuar për abuzim me të burgosurit. Kompania me bazë në Virxhinia ka argumentuar gjithashtu se si kontraktues i Pentagonit, ajo duhet të mbrohet nga imuniteti sovran i qeverisë kundër akuzave për torturë.

Seanca e parë e parashikuar për të hënën pritet të jetë "një mundësi jashtëzakonisht e rrallë për llogaridhënie për dëmet skandaloze të pësuara nga irakianët pas pushtimit të SHBA në 2003", thuhet në një deklaratë të Qendrës për të Drejtat Kushtetuese, një grup amerikan që përfaqëson paditësit.

Në fakt, kjo është padia e parë ku viktimat e torturave amerikane pas 11 shtatorit do të dëgjohen në gjykatë.

Skandali i Abu Ghraib erdhi për herë të parë në vëmendjen e publikut në prill 2004, kur u publikuan foto të të burgosurve të abuzuar dhe amerikane teksa buzëqeshnin. Në atë kohë, CBS News transmetoi një material ku rrëfehej për abuzimin dhe ku ushtarët amerikanë shfaqeshin teksa tallnin të burgosurit lakuriq. Pamje të tjera paraqisnin grupe të burgosurish nudo me zinxhirë rreth qafës, teksa kërcënoheshin me qen.

Një nga paditësit, ish-raporteri i Al-Jazeera, Salah Al-Ejaili, pretendoi se ishte detyruar të vishte të brendshme femrash, nuk i lejohej të flinte dhe ishte vënë shpesh në situata ekstremisht tronditëse. Një tjetër i mbijetuar, Suhail Al-Shimari, pretendon për abuzim fizik, seksual dhe elektroshok.

Kontraktori i Pentagonit, CACI, ka pretenduar gjithmonë se qeveria amerikane ishte përgjegjëse për kushtet në Abu Ghraib. Ai ka vijuar të përfitojë kontrata nga qeveria amerikane në dy dekadat e fundit, ndërsa për abuzimet janë penalizuar vetëm punonjës të nivelit të ulët.

Një hetim i Pentagonit zbuloi se aktet e "brutalitetit dhe sadizmit të paqëllimshëm" ndodhën në burg në duart e personelit të policisë ushtarake dhe agjencisë së inteligjencës amerikane. Gjenerali në pension i ushtrisë amerikane Antonio Taguba, i cili drejtoi hetimin, arriti në përfundimin se të paktën një hetues i CACI duhet të ndëshkohet për rastin. Taguba pritet të jetë njëri prej dëshmitarëve në gjyqin e Abu Ghraib.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.