Armenia, Silicon Valley i Kaukazit

Postuar në 11 Dhjetor, 2023 15:15

Armenia po kthehet në një fuqi të teknologjisë, falë filialeve që kanë hapur atje kompanitë e mëdha dhe një ekosistemi të favorshëm për kompanitë start-up.

Pavarësisht se politikisht mbetet e afërt me Rusinë dhe Iranin, si kundërpeshë ndaj fqinjëve armiqësorë në perëndim (Turqia) dhe në lindje (Azerbajxhani), sektori i tij privat i Armenisë mban lidhje të forta me Perëndimin, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, ku jeton një diasporë prej 1 milion armenësh.

Shumë prej tyre kanë shkëlqyer në teknologji apo fusha të tjera të lidhura me të. Noubar Afeyan, bashkëthemelues i kompanisë bioteknologjike Moderna, Alexis Ohanian, bashkëthemelues i Reddit dhe Avie Tevanian, ish-CTO i Apple dhe krijues i sistemit operativ macOS, janë armenë që ruajnë lidhje të forta me vendin e origjinës.

Në Jerevan gjen dhjetëra start-upe. Tryezat e restoranteve të qytetit i gjen shpesh të mbushura me sipërmarrës të rinj të teknologjisë që pinë raki kajsie dhe hanë japrak.

Kjo prirje që e ka bërë Armeninë të cilësohet si fuqi e teknologjisë në Kaukazin Jugor nuk është e rastit. Trashëgimia sovjetike ka shërbyer si start. Në fillim të viteve ’60, kompjuterët e parë të prodhuar nga Bashkimi sovjetik u zhvilluan pikërisht atje.

Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe lufta që pasoi me Azerbajxhanin për të përcaktuar kufijtë kombëtarë të Armenisë – hapi një konflikt që vazhdon edhe sot. Por, pavarësisht kësaj, Armenia u rimëkëmb dhe ka ditur ta tërheqë suksesin e diasporës së saj në Shtetet e Bashkuara për t'u bërë një nga ekonomitë më të forta në rajon.

Pas pavarësisë në 1991, Armenia filloi të zhvillohej në prapaskenë si ndërtues i softuerëve për kompanitë perëndimore, shumë prej tyre të themeluara nga armenë. Por gradualisht, vendi filloi të prodhonte produktet e veta.

Lufta në Ukrainë e përshpejtoi këtë trend, pasi si Rusia edhe vetë Ukraina i zhvendosën kompanitë e tyre të teknologjisë në Jerevan. Kjo bëri që fluksi i kapitalit të dobësonte dramin (monedha vendase) kundrejt dollarit, duke dëmtuar konkurrencën e industrisë së jashtme të vendit. Por ndërkohë, një industri e vogël kapitali sipërmarrës u bashkua për të financuar zhvillimin e teknologjisë dhe sot startup-et vendase gjenerojnë rreth 1 milion dollarë fitime.

Për rrjedhojë, ekonomia armene po lulëzon. Pritet që ky vit të mbyllet me një rritje prej 7%, sipas FMN, që e bën ekonominë me rritjen më të shpejtë në rajon. Teknologjia është sektori me rritjen më të shpejtë. Ajo është zgjeruar me 30% në 2023, duke lënë pas industrinë nxjerrëse dhe agrikulturën, dy sektorët më të mëdhenj të ekonomisë armene. Investimet e huaja janë rritur. Kompanitë më të mëdha si Adobe, Microsoft, Google, IBM dhe Cisco kanë hapur aty degët e tyre.  

Përreth Jerevanit janë disa shkollat dhe kampingjet ku mblidhen pasionantë të vegjël të teknologjisë. TUMO, një kampig ekstrakurrikular ku mblidhen nxënës të moshës 12-18 vjeç, nga vende të ndryshme të botës, mësojnë të programojnë dhe të ndërtojnë softuer, mbahet çdo vit aty.

Me shkurtime nga: Forbes 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.