Në emër të demokracisë/Franca mbështet opsionin ushtarak për krizën në Niger

Postuar në 06 Gusht, 2023 00:38

Grushti i shtetit në Niger ka provuar të disatën herë se Emmanuel Macron luan për strategjinë e madhe, por nuk e ka një të tillë. Seriali i dështimeve të tij në politikën e jashtme nuk ka të sosur: Liban, Turqi, Siri deri diku, në BE me krizën e sforcuar me Gjermaninë, për të mbërritur te poshtërimi në Australi vitin e kaluartv kur iu anullua një kontratë për nëndetëse bërthamore, të cilat iu kaluan ShBA. 

Në Niger, Franca humbi burimin e uraniumit të vet për centralet bërthamore dhe duhet thënë se këtu më shumë se një dështim i Macron, sinjalizohet një krizë ndërkombëtare serioze pasi Franca është eksportuesi më i madh i energjisë në Europë duke krijuar kështu kushtet eventuale të një krize të re në kontinent pas goditjes nga tregu rus. 

Megjithatë goditja ndaj pozitave në Afrikën Perëndimore ngjan të jetë serioze; vitin e kaluar Macron u mor gjatë me tërheqjen e trupave nga Mali, të cila vite më parë hynë me ndjenjë triumfalizmi. Në këto kushte të krijuara nga një seri befasish që janë të tilla të paktën publikisht, Francës nuk i ka mbetur veçse të financojë apo mbështesë aktorë të tretë që synojnë rikthimin e gjendjes së mëparëshme në emër të demokracisë. 

Franca mbështet me vendosmëri përpjekjet e Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore për të moshtur këtë përpjekje për grusht shteti.

citohet të jetë shprehur ministrja e Jashtme e Francës, Catherine Colona pas një takimi me kryeministrin e Niger, Mahamadou.

Komuniteti ka kërcënuar me ndërhyrje ushtarake, por deri më tani, kreu i grushtit të shtetit, gjenerali 59 vjeçar, Abdourahamane Tiani, i trajnuar dikur në Francë, ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet.

 Si zakonisht ndaj kundërshtimit vjen paralajmërimi gati sublim: 

Në lojë është e ardhmja e Nigerit dhe të gjitha rajonit

Por sa mund të konsiderohet strategji përpjekja për të ruajtur status quonë, kjo mbetet për t’u parë sidomos për faktin se në Afrikë, Francën dhe më tej Perëndimin po e sfidojnë fuqi si Kina dhe Rusia që shfaqen si inovatore në raportin që vendosin me fuqitë vendase. Ta zëmë apeli i ministres Colonna duket se nuk konsideron mbështetjen e Burkina Fasos dhe Malit për gjeneralin në fuqi, çka do zhyste rajonin në një konflikt të gjerë, prej nga ku në Europë do dëgjohen vetëm lajme për imigrantë. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.