Një profil i CNN për gjyqtarin që do të shqyrtojë çështjen Trump

Postuar në 02 Prill, 2023 16:18

Gjyqtari kryesor me të cilin do të përballet ish-presidenti Trump të martën nuk është emër i panjohur për të dhe as për publikun amerikan. Juan Merchan, gjyqtar në detyrë i Gjykatës së Lartë të Nju Jorkut, ka dënuar me burg Allen Weisselberg, një njeri i besuar i Trump, ka kryesuar gjyqin ndaj Organizatës Trump për shmangie taksash dhe ka mbikëqyrur çështjen e mashtrimit të ish-këshilltarit Steve Bannon. Rasti Trump mund të jetë çështja e profilit më të lartë që ai merr në shqyrtim pas një karriere të gjatë në gjykatën e nivelit shtetëror.

CNN bën një profil të tij, duke mbledhur opinionet e njerëzve që kanë punuar me të dhe duke iu rikthyer vendimeve që ai ka dhënë. 

Edhe pse përshkruhet nga vëzhguesit si gjyqtar "i ashpër", të gjithë bien dakord se ai është i drejtë, pavarësisht se kush është personi që ka përpara. Avokatët që janë paraqitur para tij thonë se ai mban kontrollin e sallës së gjyqit edhe kur rastet tërheqin vëmendje të konsiderueshme.

Dhe rasti Trump është i tillë.

Nicholas Gravante, avokati që përfaqësonte Weisselberg, e përshkruan si njeri efikas, praktik dhe dëgjues të vëmendshëm.

“Gjyqtari Merchan ishte gjithmonë i përgatitur mirë, i aksesueshëm dhe – më e rëndësishmja në çështjen Weisselberg – një njeri i fjalës. Ai më trajtoi mua dhe kolegët e mi me respektin më të madh, si në sallën e gjyqit, ashtu edhe pas dyerve të mbyllura”, citohet ai nga CNN.

Përveç rasteve që lidhen me bashkëpunëtorë të Trump si Weisselberg dhe Banon, Merchan ka kryesuar edhe çështje të tjera të profilit të lartë, duke përfshirë gjyqin ndaj të ashtuquajturës "zonja e futbollistëve", Anna Gristina, e cila u akuzua se kishte ngritur një rrjet eskortash, për të cilat paguanin zakonisht futbollistët dhe të pasurit. Ai vendosi një garanci prej 2 milionë dollarësh për zonjën Gristina. Gjithashtu, Merchan dënoi me burgim të përjetshëm një senegalez që përdhunoi dhe vrau të dashurën e tij. "CNN" citon edhe Timothy Parlatore, përfaqësues ligjor i Trump, i cili gjatë një interviste tha se Merchan është i paanshëm.

Kam pasur një çështje me të më parë. Ai mund të jetë i ashpër. Unë nuk mendoj se do të jetë domosdoshmërisht diçka që do të ndryshojë aftësinë e tij për të vlerësuar faktet dhe ligjin në këtë rast", tha Parlatore.

Kolegët e vlerësojnë Merchan për kontributin në ngritjen e Gjykatës së Shëndetit Mendor të Manhatanit dhe për vendimet e “dhembshura” që u japin të pandehurve shanse të dyta. Earl Ward, avokat gjyqi dhe drejtues i OJF The Bronx Defenders, thotë se gjatë shqyrtimit të çështjeve në Gjykatën e Shëndetit Mendor, Merchan shpeshherë mbante anën e prokurorëve. 

Ai është i drejtë dhe vendimet e tij janë në përputhje me ligjin, por shpeshherë, zbret në anën e prokurorisë,” tha Ward.

Një CV e shkurtër

Merchan filloi karrierën e tij juridike në vitin 1994 kur filloi si ndihmës avokat qarku në seksionin e gjykimit në Zyrën e Prokurorit të Qarkut Manhattan. Disa vite më vonë, ai shkoi në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit, ku punoi në çështjet në Long Island. Në vitin 2006, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, atëherë republikan, emëroi Merchan në Gjykatën Familjare në Bronx dhe guvernatori demokrat David Paterson e emëroi atë në Gjykatën e Kërkesave të Shtetit të Nju Jorkut në vitin 2009, në të njëjtin vit kur filloi nisi të ushtronte detyrën e gjykatësit në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut.

I lindur në Bogota, Kolumbi, Merchan emigroi në Shtetet e Bashkuara në moshën 6-vjeçare dhe u rrit në lagjen e qytetit të Nju-Jorkut të Jackson Heights, Queens. Ai ishte i pari në familjen e tij që shkoi në kolegj. Merchan fillimisht studioi biznes në Kolegjin Baruch në Nju Jork përpara se ta linte shkollën për të punuar. Ai iu rikthye studimeve disa vite më vonë dhe u diplomua në drejtësi në Universitetin Hofstra.

Rasti Trump

Aktakuza e ngritur ndaj ish-presidentit Donald Trump nga juria e Nju Jorkut e ka futur SHBA-në në ujëra të paeksploruara politike, ligjore dhe historike dhe ka ngritur një mori pyetjesh mbi atë se si do të avancojë çështja penale. Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit ka hetuar Trump në lidhje me rolin e tij të dyshuar në një skemë pagese të fshehtë që përfshin yllin e filmave porno Stormy Daniels, gjë që daton në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Megjithëse aktakuza nuk është detajuar ende, Trump dhe aleatët e tij e kanë cilësuar një “përndjekje politike dhe ndërhyrje në zgjedhje në nivelin më të lartë në histori”. Trump përballet me më shumë se 30 akuza që lidhen me biznesin dhe shmangien e detyrimeve. Ndërsa detaje të tjera pritet të dalin në ditët e ardhshme, Trump duhet të paraqitet më 4 prill në gjykatën penale të Manhatanit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.