Kullat e padijes dhe hipokrizisë

Postuar në 31 Mars, 2023 01:02

Në një intervistë të djeshme televizive, kandidati i shumicës qeverisëse për Bashkinë e Tiranës ndër të tjera e ka argumentuar kështu se pse në kryeqytet po ndërtohen ato që quhen kulla.

T’i adresojmë me radhë. Tirana është një qytet relativisht i ri, i krijuar nga Kongresi i Lushnjes, që e transformoi. Nuk jemi Athina dhe Roma, pra nuk jemi qytet i lashtë, pra ne e kemi mundësinë të ndërtojmë në një qytet krejt të ri.

Patjetër jemi shumë krenarë edhe për historinë. Ju thatë, sahati. Kemi një sahat që tani punon me gomën e vet sa herë shkon në gjysmë ora.

InterContinentali”, “GranMelia” ose “Sofiteli”, ose ndërtesa të tjera janë jashtëzakonisht cilësore. Dallohen nga rrumpahanja e viteve ’90, janë komplet tjetër gjë.

Bizneset, turizmi, aktivitetet ndodhin në qendër të Tiranës. Nuk mund t’i çojmë të huajt tek bregu i lumit dhe t’u themi se ministrisë do i kenë këtu. Eventet ndodhin në qendër. Hapja e hoteleve me 5 yje në qendër të qytetit ka sjellë një biznes të jashtëzakonshëm

Le t’i marrim edhe ne me radhë. Kandidati që ka qenë në detyrë për dy mandate mbron diçka për të cilën ka rol formal. Askush nuk e pyeti atë për ndërtimin, ai thjesht ka firmosur. Kjo është një e vërtetë publike, por natyrisht jo zyrtare. 

Së dyti, kandidati shprehet se në Tiranë mund të ndërtohet pasi në dallim nga Roma apo Athina nuk ka sektorë arkeologjikë apo arkitekturë antike që të duhet të ruhet. Pra nuk ka atë që quhet si Qyteti i Vjetër. Nuk duhet të çuditemi që kandidati është ose në keqbesim me njerëzit, ose është injorant. 

Athina e sotme në vitin e pavarësimit të Greqisë, 1821, ka patur 4000 banorë. Ajo u bë kryeqytet me diktimin e dy fuqive të Mëdha që financuan revolucionin grek. Ishin këto fuqi që financuan organizimin e saj urbanisitik që propozuan arkitekturën neoklasike për të. Goditjet, Athina e rikrijuar dhe me jo më shumë se 120 mijë banorë, i mori nga disa valë migrimi që nisën me shkëmbimin e popullsisë me luftën me Turqinë e vazhduan deri me valën e fundit të migrimit të brendshëm më 1968, kur nisi edhe ajo që u quajt Antiparochi. Ishte një metodë që shkëmbente godinat neoklasike me ndërtime të reja betoni për qëllime strehimi, duke përdorur kleringun si mjet. E njëjta gjë që ndodhi në Tiranë 30 vitet e fundit. 

Athina është një qytet i shëmtuar betoni që u ngrit mbi një trashëgimi të krijuar rishtas, njësoj si Tirana e arkitekturës së sjellë këtu nga Italia, gjurmët e së cilës mbeten vetëm te godinat e ministrive. Nga ana tjetër, Tirana ka patur atë që quhej Zonë e Mbrojtur, Zonë Historike, që u asgjësua si kuadër juridik me prishjen e Teatrit Kombëtar.

Për të kuptuar ngjashmërinë thuajse identike me Athinën, propozojmë këtë dokumentar të vitit 1980 që jo vetëm ilustron shembullin, por sjell me pamje shkallën e dëmit që është bërë. E vetmja që nuk u prek ishte lagja “Plaka”, si pasojë e afërisë me zonën arkeologjike. Autoritetet greke vunë kushtin e lartësisë gjatë procesit të antiparochi, i cili thuhet se lindi si kërkesë e tregut dhe u zhvillua pa u rregulluar. 

Është e kotë të diskutosh me një person që nuk ka argument tjetër veç krahasimeve të pavenda, por si pikë e tretë do të duhej që si kandidat të jepte shifra konkrete për “biznesin e jashtëzakonshëm” që kanë sjellë hotelet me 5 yje në qendër, meqenëse kështu është i besueshëm. 

Dallimi me Athinën është megjithatë shumë i madh: nëse atje antiparochi funksionoi për strehim të popullsisë me koston e shkatërrimit përfundimtar të arkitekturës neoklasike, në Tiranë ndërtimi në qendër dhe godinat e larta nuk kanë synime dhe funksione strehimi. Të mos na marrin për kaq syleshë, pasi vetëm çmimet për njësi të bëjnë të kuptosh se kush është kategoria që afrohet aty. 

Atëherë pse kjo gënjeshtër e hapur? Thjesht sepse ecën dhe e dyta sepse ndërtimi në qendër nuk e penalizon më kandidatin, as si debat publik, përderisa aty janë pjesë edhe përfaqësues të palës “kundërshtare”. Sikur të ishte serioz në përgjigje, ndoshta edhe argumentet do të ishin më të qarta dhe ndoshta do të provokonin debate. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.