Aplikacioni politik “Lulzim Basha”

Postuar në 18 Shkurt, 2023 02:11

Lulzim Basha është rishfaqur dje në një intervistë për televizionin publik shqiptar gjatë së cilës ka folur kryesisht për Kosovën dhe pavarësinë e saj. Por edhe për politikën e jashtme të Shqipërisë në këtë drejtim. 

Në një farë mënyre ish-kryetari i Partisë Demokratike ka luajtur me imazhin e një ministri të Jashtëm në hije me bindje të thekura pro-amerikane, pa hyrë në diskutim për zhvillimet e brendshme. 

Dalja e tij u bë në të njëjtën ditë kur u njoftua krijimi i një aleance zgjedhore mes Dashamir Shehit dhe Astrit Patozit ndërkohë që në datën 3 mars pritet një seancë e radhës për çështjen e vulës së PD-së në gjykatë. Por ndoshta këto nuk kanë lidhje. 

Është e qartë se opozita jo vetëm është e ndarë, por segmente të saj po përdoren për dekorin e pluralizmit. Një ditë më parë kryeministri i vendit, Edi Rama, u shpreh se nuk ka asnjë shqetësim nga fakti se PD-ja mund të mos regjistrohet në zgjedhe duke e trajtuar çështjen e vulës si rutinë. I njëjti person, pra kryeministri, parashikoi se nga zhurma që opozita po bën me çështjen “McGonigal” “më 14 shkurt do marr një shpullë që as e imagjinon”. 

Puna është se cilës opozitë i referohet z. Rama që ka aktualisht probleme serioze me besueshmërinë e vet publike. Kjo është një çështje me rëndësi pasi zgjedhjet nuk mund të trajtohen si marifet juridik, sepse janë çështje e realitetit politik. E qartë është se Lulzim Basha nuk është alternativë, por ai po qarkullohet si emër përkundrejt Sali Berishës që është për një pjesë të politikës i papranueshëm.

Nuk dihet se çfarë synon z. Basha me daljen e vet, pasi nëse po beson se përbën alternativë, e ka gabim që marketimin që ka nga të huajt ta besojë si kambial suksesi, kur përvoja na mëson të kundërtën. Teza se Berisha nuk fiton përballë Ramës është me keqadshje sepse injoron në fakt një garë që është e natyrshme në aktualitetin politik duke sugjeruar se ndryshimi sjell përmirësim. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.