Heronj mediatikë

Postuar në 26 Shtator, 2022 15:19

E njëjta teknikë propagandistike, i njëjti mekanizëm manipulativ. Revista “Time” vendos në kopertinën e vet gjeneralin ukrainas Valeriy Zaluzhny të cilit i bën një profil të dedikuar prej heroi. Përmes një interviste të parë, revista e vendos kreun e Shtabit ukrainas në listën e preferencës, teksa bën edhe paralajmërimin:

Kur historia e luftës në Ukrainë të shkruhet, Zaluzhny me gjasë do të zërë një rol të rëndësishëm

Vazhdon mandej një rrëfim sesi Zelenskiy e pikasi, e mori dhe e ngriti në detyrë, bashkë me paketimin profesional të një gjenerali amerikan, Mark Milley sipas të cilit:

Lidershipi i tij mundësoi forcat e armatosura ukrainase të adaptohen shpejt me iniciativën në fushëbetejë kundër rusëve

Miliarda dollarë nga Perëndimi, reformim në ushtri, një mendje e hollë gjenerali dhe ja, goditja në Kharkiv pas diversionit për sulm në jug dha rezultat. Ndërkohë që manovra e ukrainasve provoi se oficerët rusë rrezik nuk kanë lexuar as abc-në e luftës së Dytë Botërore (debati historiografik p.sh mbi operacionin Uranus do të instruktonte këdo për llojin e betejës në Kharkiv), ajo në media evidentohet si moment iluminimi për shtabin ukrainas me në krye Zaluzhnyn. Ky lloj potretizimi ka tashmë kredenciale vetëm propagandistike sepse në dekada kemi parë sesi heronjtë janë shndërruar në armiq kudo, në Irak, Iran, Afganistan e kështu me radhë.

Nga ana tjetër shpërdorime të tilla lavdesh për aftësi të mëdha dhe portretizim heronjsh, janë bërë të zakonshme nga media si kjo revista “Time” qëkurse p.sh disa vite më parë ishin këto që mitizuan aftësitë e ushtrisë ruse në Krime dhe në Siri. Ishin këto media që propaganduan kapacitetet e reja të ushtrisë ruse për goditje me raketa nga deti të objektivave tokësorë, e që ngritën në qiell një njeri si Valery Gerasimov, të cilin madje e shpallën babain e një doktrine të re si ajo e luftës hibride. Gerasimov tashmë ka humbur nga vëmendja e mediave, sepse me të nuk rend suksesi, ndërkohë suksesi në Kharkiv nxori në sipërfaqe heroin e radhës në një kohë që lufta ende nuk ka mbaruar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.