Irani dhe Rusia, kërcënim apo kolateral i ambicieve personale të z. Rama?

Postuar në 18 Shtator, 2022 00:23

Një muaj më parë në Gramsh u kapën në befasi tre rusë që mbahen ende sot nën akuzën mediatike të spiunazhit. Top-Channel raportoi disa herë se rusët u zbërthyen duke treguar se kishin filmiar Bovillën, ndërkohë që kryeministri Rama provoi se ka më shumë imagjinatë se Muhamed Veliu: sipas tij, rusët krijuan një ngjarje për të tërhequr vëmendjen nga diçka tjetër.
Se nga cila ngjarje kjo nuk dihet për shkak se këtu skandali i lë radhën skandalit e vështirë se ka ngjarje të cilës t’i zgjasë jetëgjatësia e vendit të parë mbi dy ditë.

Rusët u shfaqën sërish në media me zhvendosjen e ambasadës, pranë së cilës qeveria shqiptare emërtoi rrugën “Ukraina e Lirë”. 

E së fundmi me një artikull në “Zëri i Amerikës” ku doli se rusët kanë financuar Partinë Demokratike. 

Krahas këtyre ngjarjeve pas së cilave nuk dimë asgjë zyrtare, ndodhi një sulm kibernetik për të cilin nuk ka asgjë të saktë. Deklarata të kryeministrit dhe heshtje inkriminuese nga agjencia miliardere, AKSHI. Me këtë rast, z. Rama pasi zbuloi vetë se pas sulmit qëndronte Irani, vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me të. Komisioni i Jashtëm që normalisht do kërkonte një seancë dëgjimore as u ndie. As ai i Sigurisë, ndonëse alibinë e kanë në xhep: nuk ka nisur ende sesioni parlamentar. 

Kush ka mendje të ftohtë e kupton se nuk ka asnjë farë sulmi ndaj Shqipërisë, për faktin e thjeshtë se Shqipëria nuk ekziston. Nuk merret kush me çirakun në këtë botë. Ajo që ndodh është ngritja e një tymnaje ku marrin pjesë edhe përfaqësues të ndryshëm perëndimorë për arsye që ende nuk janë zbardhur. 

Me zbërthimin e rusëve sipas versionit të z. Rama nuk kemi pse të çuditemi që ky i fundit të ulë nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Moskën apo edhe ndërprerjen e tyre finale. Nuk kemi pse të çuditemi për shkak se një qeveri e kapitulluar përfundimisht me një skandal si ai inceneratorëve mbetet vetëm të bëjë investiturën e fundit që mundet, atë të vasalit të plotë për të mbajtur disa garanci për vete. Të jetë kështu vallë? 

Do të dalin fakte të reja, tha z. Rama. Jo prova, por fakte. Por të ashtuquajturat fakte që kanë dalë deri më tani nuk mund të bindin kënd se diçka po ndodh realisht. Kësi faktesh janë asgjë më shumë sesa “alarmi ajror” që shërbehet për qëllime pastërtisht propagandistike nga një vend që është shembull i një shteti të dështuar në kampin perëndimor, apo në institucionet e tij të sigurisë. Pavarësisht notave që vihen në mënyrë koniunkturale.

Një Shqipëri antiruse sot është gjethja e fikut e një Shqipërie që mund të mbajë marrëdhënie me një njeri si Vuçiç pa u akuzuar edhe ajo si proruse. Po prishen marrëdhëniet me vende të cilat ato ekzistonin vetëm formalisht. Të kujtojmë se Rusia kishte vite që kërkonte rinovimin e Traktatit të Miqësisë, në këtë pikë ishim. 

Të ashtuquajturat “fakte të reja” patjetër që ushqejnë këtë politikë të jashtme “parimore” dhe titanike, këtë akt kaq burrëror nga dikush që ndoshta edhe shpreson të shihet aty ku duhet si një figurë ndërkomëtare për t’u nominuar ndoshta në detyra të caktuara. Shqipëria është dispozitivi i ambicieve të një njeriu, pse jo! Aq më tepër që disa muaj më parë, saktësisht më 1 prill, u provokua opinioni me një shaka të një eurodeputetetje ndoshta gjermane, që postoi në tuiter se Edi Rama do zgjidhet sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Jetojmë në kohën e tik - tok, çdo gjë duhet marrë seriozisht, përveç NATO-s, deri sa edhe ajo të futet në tik-tok.

s.zaimi

Comments

Submitted by Heu bre (not verified) on

"Kush ka mendje të ftohtë e kupton se nuk ka asnjë farë sulmi ndaj Shqipërisë, për faktin e thjeshtë se Shqipëria nuk ekziston". Di gje OKB-ja, apo as ajo nuk ekziston.

Submitted by emri (not verified) on

Eh idiotesia ne ate vend eshte parameter qe nuk matet dot.
Eshte e sigurt qe dikush po qesh ne Rusi tek sheh kete pershesh qe po ndodh ne mexhelisin Shqipetar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.